Prishtinë më 22 prill 2024
Nr. ref.: RK 2414/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
për
rastin nr. KI267/23
Parashtrues
Elife Murseli
Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.368/2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës të 17 gushtit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesja e kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Elife Murseli nga fshati Doganaj, Komuna e Kaçanikut (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml.nr.368/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 17 gushtit 2023, në lidhje me Aktgjykimin [PAl.nr.101/23] të Gjykatës së Apelit të 27 prillit 2023, në lidhje me Aktgjykimin [P.nr.288/19] të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega e Kaçanik të 8 dhjetorit 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të kontestuara të gjykatave të rregullta, të cilat pretendohet se cenojnë të drejtat dhe liritë e parashtrueses së kërkesës të garantuara nga neni 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], neni 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], dhe neni 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe neni 5 (E Drejta për Liri dhe Siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e Punës).
Procedura para Gjykatës Kushtetuese
Më 5 dhjetor 2023, parashtruesja e kërkesës ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 dhjetor 2023, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin [nr. GJR.KI267/23] emëroi gjyqtarin Radomir Laban për Gjyqtar raportues, ndërsa me Vendimin [nr. KSH.KI267/23], caktoi Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani si kryesuese, Bajram Ljatifi, dhe Safet Hoxha si anëtarë.
Më 21 dhjetor 2023, Gjykata e informoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin dhe në të njëjtën ditë i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 27 mars 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri, i paraqiti Gjykatës rekomandim për papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Në bazë të lëndës Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës para kësaj Gjykate paraqitet si parashtrues i kërkesës edhe në dy kërkesa individuale në të cilat Gjykata ka vendosur me aktvendimet për papranueshmëri, respektivisht KI159/14 dhe KI151/17. Kërkesa Individuale KI159/14 është e ndërlidhur por nuk është relevante, ndërsa Kërkesa Individuale KI151/17 nuk është e ndërlidhur dhe as relevante me rastin aktual.
Sa i përket rastit konkret Gjykata gjen se parashtruesja e kërkesës ishte larguar nga pozita e punës si drejtoreshë e Çerdhes së fëmijëve “Agimi” në Kaçanik. Si pasojë e kësaj ajo kishte ngritur disa procese gjyqësore. Në një nga këto procese gjyqësore, ajo mori një vendim gjyqësor të formës së prerë që e lejonte të kthehej në vendin e punës dhe si rezultat i njërit prej tyre fitoi të drejtën për t'u kthyer në punë. Parashtruesja ka iniciuar procedurën përmbarimore në Gjykatën Themelore me qëllim të zbatimit të vendimit të plotfuqishëm. Mirëpo, ndërkohë që procedura e ekzekutimit ishte në zhvillim e sipër, ajo ka shkuar me vetë iniciativë në vendin e saj të punës, duke kërkuar që të lejohet të kryejë pa pengesa detyrën.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut ka njoftuar policinë se parashtruesja e kërkesës ka hyrë pa autorizim në ambientet e Kopshtit, duke “dëmtuar dhe prishur procesin e vazhdueshëm arsimor dhe duke penguar punëtorët e atij institucioni në kryerjen e detyrave të tyre”. Policia dëgjoi kërkesën e parashtrueses.
Më 23 korrik 2019, Prokuroria Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria) ngriti aktakuzën [PP.I/II.nr.1131-12/2019] kundër parashtrueses së kërkesës për shkak të veprës penale Vetëgjyqësia neni 410, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK). Po ashtu Gjykata vëren se vepra është përsëritur e që si pasojë e kësaj ka ardhur deri tek një ngritje e një aktakuze tjetër [PP.I/II.nr.710 /20] e datës 1 korrik 2020 për të njëjtën vepër penale (Vetëgjyqësia neni 410 të KPK-së).
Më 12 shtator 2022, në seancë, Gjykata Themelore, me pëlqimin e palëve, ka bashkuar lëndët [P. nr. 288/19] (2019:159441), dhe [P. nr. 152/20] (2020:080375), sipas aktakuzave [PP/II nr. 1131-12/2019] të 23.07.2019 dhe [PP/II nr. 710/2020] të 01.07.2020, dhe vendosi që procedura të zhvillohet për lëndën me numër [P.nr. 288/19].
Më 8 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj - Dega e Kaçanik (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) nxori Aktgjykimin [P.nr.288/19] me të cilin e ka shpallur parashtruesen e kërkesës fajtore për kryerjen e veprave penale për të cilat ishte akuzuar, duke e dënuar atë me dënim unik me kusht në kohëzgjatje prej 150 ditëve i cili dënim nuk do të ekzekutohet po që se e akuzuara në afat prej dy vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, si dhe të paguajë edhe shpenzimet procedurale.
Në arsyetimin e aktgjykimit [P.nr.288/19] Gjykata Themelore ndër të tjera theksoi:
“Gjykata në bazë të provave të administruara në shqyrtim gjyqësor ka gjetur se e akuzuara i ka kryer dy vepra penale Vetëgjyqësia nga neni 410 paragrafi 1 të KPRK-së […].”;
“E akuzuara përkundër faktit se nuk e ka kontestuar asnjë elementet të veprës penale për të cilën është akuzuar dhe që është shpallur fajtore, në mënyrë arbitrare, në vend se të presë vendimin e organit kompetent (vendim i Komunës së Kaçanikut për kthim në vend të punës) më datë 07.06.2019, ka shkuar në vendin e punës në QEAP “Agimi”, vetëm me vendim të gjykatës pa e pritur ekzekutimin e vendimit për kthim në vendin e punës nga Komuna e Kaçanikut.”;
“Pretendimi i të akuzuarës se kanë filluar procedurat e ankesës dhe për këtë arsye më datë 04.06.2020, e akuzuara ka shkuar në vendin e punës edhe pse ka qenë e njoftuar nga Komuna e Kaçanikut me vendimin Nr. 104/02-121/20 e datës 28.04.2020, Komisioni disiplinor të Komunës së Kaçanikut – për largimin nga puna si drejtoreshë e Çerdhës së fëmijëve “Agimi” në Kaçanik, nuk i arsyeton mënyrën arbitrare të të njëjtës në atë mënyrë që të shkojë në vend të punës pa e pasur një vendim të pambarueshëm për kthim në atë vend të punës si dhe të njëjtin vendim ta ketë zbatuar punëdhënësi.”;
“Gjykata nuk është lëshuar në pretendimet e të akuzuarës për të drejtën e pretenduar prej të njëjtës se i është bërë e pa drejtë për largimin e saj nga pozita e punës si drejtoreshë e Çerdhes së fëmijëve “Agimi” në Kaçanik, sepse për të njëjtat pala e dëmtuar dhe e akuzuara kanë qenë dhe janë ne kontest civil […].” .
Mbrojtësja e parashtrueses së kërkesës, më 29 dhjetor 2022, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [P.nr.288/19] të Gjykatës Themelore, duke cekur; a) se me aktgjykimin e kontestuar është kryer shkelje esenciale e dispozitave të procedurës penale, b) se ka ardhur deri te vërtetimi i gabuar ose jo i plotë të gjendjes faktike, c) se ka pasur shkelje të Ligjit Penal, d) po ashtu në lidhje me sanksionin penal dhe kërkesën pasurore-juridike.
Më 27 prill 2023, Gjykata e Apelit nxori Aktgjykimin [PAl.nr.101/23], i cili hodhi poshtë si të pabazuar ankesën e mbrojtëses së parashtrueses së kërkesës, ndërsa vërtetoi Aktgjykimin [P.nr.288/19] të Gjykatës Themelore, të 8 dhjetorit 2022.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [PAl.nr.101/23], në lidhje me pretendimet kryesore të ankimit, Gjykata e Apelit ndër të tjera ka cekur:
“Mbrojtësja e të akuzuarës e atakon aktgjykimin e shkallës së parë për shkak të Shkeljen esenciale të dispozitave të Kodi të Procedurës Penale, nenit 384 par. 1, pika 1.12, lidhur me nenin 370 par.7 të KPP-së sepse, gjykata e shkallës së parë nuk e ka paraqitur në mënyrë të plotë faktet vendimtare në bazë të të cilave do të manifestoheshin veprimet me të cilat do të vërtetohej se janë konsumuar në mënyrë të plotë dhe të pakontestueshme elementet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën pretendon prokuroria, sepse ankuesja ka prezantuar prova me të cilat ka dëshmuar arsyet e saja pse e njëjta është gjetur në vendin e ngjarjes në kohën e theksuar në procedurë, ndërsa në arsyetim përveç që gjykata i referohet rastit në kontest civil, nuk ka dhënë shpjegime se pse ato prova janë më pak të rëndësishëm për vendosje në këtë procedurë penale.”;
“Kolegji i kësaj gjykate e vlerësoj aktgjykimin e kundërshtuar dhe përkitazi me shkeljet e ligjit penal nga neni 385, dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përshihet me shkeljet e ligjit penal, sepse gjykata e shkallës së parë, ka vërtetuar elemente qenësore të ekzistimit të veprave penale të cilat i vihen në barrë të akuzuarës, se të gjitha provat e proceduara dhe të vlerësuara kanë quar në drejtim të asaj se janë vërtetuar faktet të cilat e karakterizojnë veprën penale të vetëgjyqësisë nga neni 410 par. 1 të KPRK-së për të cilat është akuzuar e akuzuara, […].”;
“Gjykata e Apelit në Prishtinë vlerëson se pretendimet ankimore të mbrojtëses të të akuzuarës, që të akuzuarës t’i shqiptohet një dënim më të butë – gjegjësisht që e akuzuara të shpallet e pafajshme dhe të lirohet nga akuza nuk janë të bazuara. Kjo për faktin se gjykata e shkallës së parë në përgjithësi drejt i ka konstatuar dhe vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa në ankesën e lartcekur nuk është paraqitur ndonjë rrethanë e rëndësishme dhe të posaçme që nuk është vlerësuar nga gjykata e shkallës së parë, e cila do ta arsyetonte shqiptimin e një dënimi më të butë ndaj të akuzuarës [...].”.
Mbrojtësja e parashtrueses së kërkesës parashtroi në Gjykatën Supreme një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore duke cekur; a) se me dy aktgjykimet, është shkelur ligji penal, shkelje këto të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, b) duke konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar fare provat e prezentuara nga e pandehura dhe se është mbështetur në prova të pjesërishme, gjë që si konkluzion nuk e ka ezauruar mjaftueshëm normën juridike, sepse po të trajtoheshin njësoj provat do të konstatohej se nuk përmbushen elementet e veprës penale për të cilën është shpallur fajtore e pandehura.
Më 17 gusht 2023, Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin [Pml.nr.368/2023], me të cilin e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së mbrojtësve të parashtrueses së kërkesës së parashtruar kundër Aktgjykimit [P.nr.288/2019] të Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimit [PAl.nr.101/2023] të Gjykatës së Apelit.
Në arsyetimin e aktgjykimit të saj në lidhje me pretendimet ankimore në kërkesë, Gjykata Supreme konkludoi ndër të tjera se:
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, pretendimi i mbrojtëses së të dënuarës është i pabazuar, ngase aktgjykimet kundër të cilave është parashtruar kërkesa, nuk përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet.”;
“Kurse nga shkresat e lëndës del të mos jetë kontestues fakti se Gjykata Themelore në Ferizaj përmes vendimit në procedurë përmbarimore i kishte njohur të drejtën të dënuarës për kthimin në vendin e saj të punës dhe i cili vendim ende nuk ishte zbatuar nga ana e organeve komunale dhe se kjo rrethanë e bën të qartë faktin se megjithatë e dënuara do të duhej të priste deri në zbatimin e vendimit përmbarimor, kurse në të kundërtën ndërmarrja e veprimeve të shkuarjes në punë deri sa në të njëjtin vend të punës ishte personi tjetër në mënyrë të qartë e determinon se në veprimet e të dënuarës janë realizuar elementet esenciale të veprës penale për të cilën është shpallur fajtore dhe është dënuar.”;
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, në rastin konkret në mënyrë të ngjashme është vërtetuar dhe përkitazi me rastin e dytë kur e dënuara përkundër faktit se i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës sipas vendimit 104/02-9121/20 të datës 28.04.2020, megjithatë e dënuara kishte hyrë në zyrën e saj ku kishte punuar paraprakisht pa pasur të drejtë dhe njëkohësisht në veprimet e të dënuarës janë prezente të gjitha elementet e veprës penale sipas pikës së dytë të dispozitivit të aktgjykimit të shkallës së parë.”;
“Edhe pse kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është paraqitur për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, megjithatë, bazuar në përmbajtjen e saj janë paraqitur kryesisht pretendime përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Mirëpo bazuar në dispozitën e nenit 432 par.2 të KPRK-së, kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkak të konstatimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, andaj pjesa e paraqitur për këtë bazë është refuzuar si e pabazuar.”.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se aktgjykimet e kundërshtuara janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të saj të garantuara nga neni 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], neni 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], dhe neni 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe neni 5 (E Drejta për Liri dhe Siguri) të KEDNj-së.
Parashtruesja e kërkesës pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara i ka sqaruar në këtë mënyrë:
Sa u përket shkeljeve të nenit 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNj-së, parashtruesja e kërkesës thekson: “Meqenëse Gjykata e shkalles së parë nuk i ka ezauruar mjaftueshëm të gjitha provat dhe gjendjen faktike lidhur me këtë rast, më ka mohuar të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Sepse, gjykata ka vendosur vetëm mbi bazën e provave që kanë shkuar në favor të Komunës së Kaçanikut, ndërsa nuk i ka marrë parasysh provat të cilat kanë shkuar në favorin tim, ashtu siç edhe është potencuar në Kërkesën për Mbrojtjen e Ligjshmërisë, [...], lidhur me dështimet e gjykatës së shkallës së parë për t’i ezauruar në mënyrë të plotë dispozitat e Ligjit të procedurës përmbarimore lidhur me kompetencën ekskluzive të gjykatës për përmbarimin e vendimeve lidhur me kthimin e punëtorëve në punë, sepse një vendim të tillë e ka pasur në dorë ankuesja. Këtyre pretendimeve fare nuk iu është referuar Gjykata Supreme. Gjithashtu Gjykata Supreme, nuk i ka vlerësuar pretendimet ankueses lidhur me shpjegimin vlerës provuese të provave në bazë të të cilave ka arritur përfundimet lidhur me figurën e veprave penale. Për më shumë ne procedurën para gjykatës së shkallës së parë, marrja në pyetje lidhur me të dy veprat është bërë njëkohësisht pa e specifikuar se cilat veprime inkriminuese janë gjetur në rastin e parë dhe cilat në rastin e dytë.”
Lidhur me shkeljen e pretenduar të nenit 29 [E drejta e lirisë dhe sigurisë] dhe nenin 55 [Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ, parashtruesja e kërkesës thekson se Gjykata Supreme e Kosovës nuk e ka interpretuar fare pretendimin e saj lidhur me ndërhyrjen e policisë në kopshtin e fëmijëve në prani të fëmijëve dhe stafit, pa ndonjë urdhër me shkrim nga gjykata apo ndonjë institucion kompetent. Më tej ajo thekson se ndërhyrja e policisë është bërë me urdhër verbal të kryetarit të Komunës.
Në lidhje me shkeljet e nenit 49 të Kushtetutës parashtruesja e kërkesës thekson: “Pavarësisht se Gjykata Supreme iu ka referuar rastit mes ankueses dhe Komunës së Kaçanikut, i cili është në kontest civil, përfshirë që e ka shpjeguar ekzistimin e një vendimi përmbarimor [...] sipas të cilit i ishte njohur e drejta ankueses për kthimin në vendin e punës dhe nuk e ka shtjelluar mjaftueshëm se ky vendim përmbarimor është lejuar me propozimin për përmbarim E.nr.03/2016 i lejuar me 22.01.2016 dhe deri më tani [...] ai vendim asnjëherë nuk është ekzekutuar.”
Parashtruesja e kërkesës kërkon nga gjykata që të shpallë kërkesën të pranueshme; të konstatojë se ka pasur shkelje të neneve 29, 31, 49 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenet 5 dhe 6 të KEDNj; të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [Pml.nr.368/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 17 gushtit 2023, Aktgjykimin [PAl.nr.101/23] të Gjykatës së Apelit - Departamenti i Përgjithshëm të 27 prillit 2023 dhe Aktgjykimin [P.nr.288/19] të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega e Kaçanik të 8 dhjetorit 2022 në lidhje me veprën penale për të cilën u shpall fajtore, si dhe të zbatohet propozimi për përmbarim E.nr. 03/16 i datës 22 janar 2016.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 29
[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
“[...] Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim::
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
“E drejta e punës garantohet.
Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.”
Neni 55
[Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore]
“Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.
Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi.
Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, nuk mund të bëhen për qëllime të tjera, përveç atyre për të cilat janë përcaktuar.
Me rastin e kufizimit të të drejtave të njeriut dhe interpretimit të atyre kufizimeve, të gjitha institucionet e pushtetit publik, dhe sidomos gjykatat, e kanë për detyrë t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël.
Kufizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me këtë Kushtetutë, nuk bën të mohojë kurrsesi esencën e së drejtës së garantuar.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 5
(E drejta për liri dhe Siguri)
“Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të parashikuar nga ligji;
kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
kur një i mitur ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi të mbikqyrur ose për ndalimin e tij të ligjshëm me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor;
kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi;
Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.”
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;
t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës; e. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.”
KODI NR. 06/L-074 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 410
Vetëgjyqësia
“Kushdo që ushtron në mënyrë arbitrare të drejtën që mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.
Kushdo që me anë të përdorimit të forcës apo kanosjes serioze, ushtron një të drejtë që mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet.
Nëse vepra penale nga paragrafi 2. i këtij neni kryhet nga kryesi duke vepruar si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.”
LIGJI NR. 04/L-139 PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE
KREU XVII
PËRMBARIMI I VENDIMIT PËR KTHIMIN NË VENDIN E PUNËS
Neni 312
Kompetenca territoriale
“Për vendosje për propozimin për përmbarim në bazë të dokumentit përmbarues, me të cilin punëdhënësi është urdhëruar që punëtorin ta kthejë në punë, apo që ta sistemoj në vendin përkatës të punës dhe për zbatimin e përmbarimit, e kompetencës territoriale është Gjykata në territorin e së cilës është krijuar marrëdhënia e punës.
Gjykata ka kompetenca ekskluzive për përmbarimin e vendimeve lidhur me kthimin e punëtorit dhe shërbyesve civil në punë.”
Neni 313
Afati për paraqitjen e propozimit për përmbarim
“Propozimi për përmbarim në bazë të dokumentit përmbarimor për kthim në vendin e punës, me të cilin punëdhënësi është urdhëruar që punëtorin ta kthejë në punë, mund të paraqitet brenda afatit prej nëntëdhjetë (90) ditësh, nga dita kur vendimi është bërë i formës së prerë.”
Neni 314
Mënyra e zbatimit të përmbarimit
“Përmbarimi në bazë të dokumentit përmbarues sipas të cilit punëdhënësi është i detyruar që punëtorin ta kthejë në punë, apo që ta sistemoj në vendin përkatës të punës, zbatohet me anë të caktimit të gjobave në të holla kundër punëdhënësit dhe personit përgjegjës në të.
Dënimi me të holla caktohet sipas dispozitave të nenit 15 dhe 16 të këtij ligji dhe dispozitave për përmbarimin me qëllim të realizimit të kredisë për veprimin të cilin mund ta kryejë vetëm debitori.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të cilat janë të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të Punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata i referohet edhe neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila kundërshton aktin e organit publik, përkatësisht aktgjykimin [Pml.nr.368/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 17 gusht 2023, pasi që ka shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu theksoi të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në përputhje me kërkesat e nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit dhe kërkesën e ka paraqitur në përputhje me afatet e përcaktuara në nenin 49 (Afatet) të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu i referohet rregullit 34 (2) të Rregullores së Punës që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata vë në dukje fillimisht se rregulli i lartpërmendur, bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj) dhe Gjykatës, i lejon kësaj të fundit të shpallë kërkesat të papranueshme për arsye që lidhen meritat e çështjes. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund ta shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë dhe pas vlerësimit të meritës së saj, respektivisht nëse vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashikohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së Punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, si dhe të Gjykatës, kërkesa mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm në lidhje me një pretendim specifik që mund të përmbajë kërkesa. Në këtë drejtim, është më e saktë t'i quajmë “pretendime qartazi të pabazuara”. Kjo e fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të klasifikohet në katër grupe të ndryshme: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GjEDNj, Kemmachev kundër Francës, Aplikimi nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonisë, Aplikimi Nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Për sa i përket vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, pra vlerësimit nëse ajo është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e çështjes që përmban kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtrueses së kërkesës, për vlerësimin e të cilave Gjykata do të zbatojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj, sipas të cilave, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e obliguar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata, duke parë pretendimet konkrete të parashtrueses së kërkesës dhe mënyrën e kategorizimit të tyre, vlerëson se thelbi i të gjitha pretendimeve të saj lidhet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, të cilin ajo e sjell në lidhje me procedurën penale, ndërsa shkeljet e tjera të pretenduara të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, të krijuara pikërisht si pasojë e proceseve të padrejta gjyqësore në të cilat ajo u dënua. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata shton se është përgjegjëse për karakterizimin e çështjeve kushtetuese që mund të përmbajë rasti konkret dhe se mund të shqyrtojë vullnetarisht ankesat bazuar në dispozita ose qëndrime që palët nuk i kanë kërkuar shprehimisht.
Duke iu kthyer rastit konkret, Gjykata rikujton, se parashtruesja e kërkesës në procedurën penale është dënuar përfundimisht me aktgjykimet e gjykatave të rregullta për veprat penale të kryera të vetëgjyqësisë nga neni 410 par. 1 të KPRK-së.
Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës i lidh këto shkelje me procedurat e zhvilluara në të gjitha fazat para gjykatave të rregullta, dhe në përputhje me rrethanat Gjykata është e detyruar t'i përgjigjet pyetjes nëse procedurat në tërësi ishin të drejta, në kontekst, i) nëse gjykatat kanë administruar si duhet provat dhe nëse kanë devijuar nga aktakuza, ii) nëse ka qenë arbitrar intervenimi i policisë në çerdhe, dhe iii) nëse parashtruesja e kërkesës ka pasur të drejtë të kthehet në punë, sipas ligjit për procedurën përmbarimore, me vendimin e gjykatës;
nëse gjykatat kanë administruar si duhet provat dhe nëse ka pasur devijim nga aktakuza
Kështu, duke parë rregullsinë e procedurave gjyqësore në kontekstin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës i) nëse ka pasur administrim të parregullt të provave, respektivisht nëse gjykatat nuk kanë marrë parasysh provat të cilat ajo i ka propozuar, Gjykata rikujton praktikën gjyqësore të GJEDNJ dhe Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës është detyrë e gjykatave të rregullta, dhe veçanërisht e gjykatës së shkallës së parë, të vlerësojnë provat e paraqitura dhe rëndësinë e tyre në një çështje specifike (shih vendimin e GJEDNJ: Elsholz kundër Gjermanisë, aktgjykimi i 13 korrikut 2000, kërkesa nr. 25735/94, paragrafi 66). Prandaj, Gjykata nuk do të vlerësojë cilësinë e gjetjeve të gjykatave të rregullta lidhur me vlerësimin e provave, përveç në rastet kur ky vlerësim është qartazi arbitrar.
Po ashtu, Gjykata rikujton në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së dhe Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës është detyrë e gjykatave të rregullta, dhe në veçanti e gjykatës së shkallës së parë, të vlerësojnë provat e paraqitura dhe rëndësinë e tyre në rastin konkret (shih vendimin e GjEDNj Elsholz kundër Gjermanisë, aktgjykim i 13 korrikut 2000, kërkesa nr. 25735/94, paragrafi 66). Prandaj, Gjykata nuk do të vlerësojë cilësinë e gjetjeve të gjykatave të rregullta në lidhje me vlerësimin e provave, përveç rasteve kur ky vlerësim duket qartazi arbitrar.
Po kështu, Gjykata nuk do të ndërhyjë në atë se cilave prova të palëve në procedurë i besojnë gjykatat e rregullta në bazë të një vlerësimi gjyqësor të lirë. Gjithashtu, gjykata thekson se gjykatat e rregullta janë të detyruara të vlerësojnë me ndërgjegje të gjitha provat individualisht dhe në lidhje me provat e tjera, dhe pastaj në bazë të një vlerësimi të tillë të kujdesshëm, të konkludojnë nëse është provuar një fakt, i cili është parashikuar edhe nga neni 361, paragrafi 2 i KPK-së. Megjithatë, vlerësimi i lirë i provave kërkon një arsyetim, si të secilës provë individualisht ashtu edhe të gjitha provave së bashku, dhe sjelljen e të gjitha provave në një marrëdhënie logjike reciproke (shih vendimin e GjEDNj-së, Suominen kundër Finlandës, aktgjykim i 1 korrikut 2003, aplikimi numër 37801/97, paragrafi 36).
Nga ajo që u tha më sipër, në vlerësimin e pretendimeve lidhur me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, Gjykata përcakton se është e rëndësishme të theksohet që drejtësia e kërkuar nga nenet e lartpërmendura është më shumë drejtësi "procedurale" sesa "substanciale". Në praktikë, koncepti i "drejtësisë procedurale" përfshin: (i) sigurimin e procedurave kontradiktore dhe parimit të kontradiktoritetit procedural; (ii) mundësinë e palëve të paraqesin argumente dhe dëshmi në fazat e ndryshme të procedurës që i vlerësohen si të rëndësishme për rastin; (iii) garantimin e kontestimit efikas të argumenteve dhe dëshmive nga pala kundërshtare; dhe (iv) të drejtën që argumentet e paraqitura, të cilat janë objektivisht të rëndësishme për zgjidhjen e rastit, të dëgjohen dhe shqyrtohen nga gjykatat e rregullta në mënyrë të duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GjEDNj-së Barbera, Messeque dhe Jabardo kundër Spanjës, nr. 10590/83, Aktgjykim i 6 dhjetorit 1988, paragrafi 68; dhe rastet e Gjykatës Kushtetuese: KI128/19, parashtrues Artan Mala, Aktvendim për Papranueshmëri i 25 shkurtit 2021, paragrafi 58; dhe KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42)
Pra, duke parë procedurën në gjykatën e shkallës së parë, është më se e qartë për Gjykatën se në procesin e paraqitjes së provave, ajo ka përmbushur plotësisht detyrimet e saj që rrjedhin nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, e cila mund të shihet në bazë të shkresave të lëndës si dhe veprimeve procedurale të Gjykatës Themelore. Për më tepër, Gjykata nuk mund të mos e vë re se parashtruesja ishte përfaqësuar në procedurë nga një avokat mbrojtës, i cili gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk kishte vërejtje për vetë rrjedhën e gjykimit dhe që Gjykata Themelore e theksoi në mënyrë specifike në aktgjykim, në të cilën shprehimisht ka thënë “Nuk ka pasur pyetje apo vërejtje nga avokati i të pandehurës në lidhje me mbrojtjen”.
Gjykata konstaton më tej se parashtruesja e kërkesës ka paraqitur të njëjtat pretendime ankimore edhe në Gjykatën e Apelit, për të cilat, sipas mendimit të kësaj Gjykate, Gjykata e Apelit ka dhënë një shpjegim më se të pranueshëm se pse ato pretendime ankimore të parashtrueses së kërkesës janë të pabazuara, duke u ndalur në faktin se shqyrtimi gjyqësor, a) u zhvillua me persona prania e të cilëve ishte e nevojshme, b) se të gjitha provat që u morën në shqyrtim ishin të pranueshme sepse plotësonin kërkesat ligjore formale, c) se të drejtat e të akuzuarës janë respektuar gjatë të gjitha fazave të procedurës për të vërtetuar fajësinë ose pafajësinë në lidhje me veprat penale për të cilat ngarkohet e akuzuara, d) që gjykata e shkallës së parë të ketë vlerësuar qartë saktësinë e çdo prove dhe ka dhënë arsyet për miratimin e saj. ose mos miratimin, dhe se ka shpjeguar qartë se pse i konsideron disa prova si relevante dhe disa të parëndësishme për të vendosur për një çështje penale.
Gjithashtu në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Gjykata gjen një shpjegim ligjor në të cilin sapo trajtoi çështjet e pranueshmërisë së provave, ku u konstatua se gjykatat më të ulëta "në mënyrë të hollësishme kishin bërë vlerësimin e të gjitha provave të administruara në bazë të të cilave është arritur te konkludimi se në veprimet e të dënuarës janë realizuar të gjitha tiparet e veprave penale në fjalë”.
Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se në rastin e parashtrueses së kërkesës janë respektuar të gjitha kriteret e lartpërmendura nga ana e gjykatave të rregullta. Parashtruesja e kërkesës edhe më tej mund të mos jetë e plotësuar me vendimin e gjykatave mbi çështjen e saj, por kjo pakënaqësi vetvetiu nuk mund të shërbejë si një bazë e argumentueshme për pretendimin e shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GjEDNj-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Në lidhje me pretendimin e parashtrueses së kërkesës se Gjykata ka devijuar nga aktakuza
Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesja e kërkesës para Gjykatës pretendon edhe shkelje të nenit 31 të Kushtetutës për sa i përket devijimit nga aktakuza, gjegjësisht se është marrë në pyetje për dy vepra penale që nuk i janë shpjeguar. Megjithatë, Gjykata, duke parë thelbin e procesit gjyqësor, vëren se bëhet fjalë për një vepër penale të së njëjtës natyrë që është përsëritur dy herë, të cilën parashtruesja e kërkesës e ka kryer në intervale kohore të ndryshme dhe se prokuroria ka paraqitur dy aktakuza, por me pëlqimin e palëve, do të thotë me pëlqimin e saj dhe të avokatit të saj, janë bashkuar në një aktakuzë, me të njëjtën vepër penale, me të cilën më vonë është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe që mund të konkludohet në bazë të pjesës së arsyetimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore, kështu që Gjykata konstaton se në procedurën para gjykatave të rregullta nuk ka pasur devijim nga aktakuza origjinale, por për bashkimin procedural të dy lëndëve në një, me çka përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës është pajtuar.
Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës i) se nuk ka pasur vlerësim të provave, dhe ii) se ka pasur devijim nga aktakuza, dhe rrjedhimisht ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me neni 6 i KEDNJ-së, janë të pabazuara.
nëse me procedurën e intervenimit nga ana e policisë në çerdhe ka ardhur deri te shkelja e nenit 29 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së
Parashtruesja e kërkesës shkeljen e nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së dhe e lidh me veprimet e policisë. Më konkretisht, parashtruesja pretendon ii) se ndërhyrja e policisë në kopsht ka qenë arbitrare dhe se pretendimi i saj, të cilin ajo e ka ngritur në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, nuk është vlerësuar nga ana e Gjykatës Supreme.
Gjykata para së gjithash thekson se neni 29 i Kushtetutës përcakton: “Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente".
Në rrethanat e rastit, Gjykata nuk konstaton asnjë arbitraritet në veprimet e policisë në kontekstin se ata duhet të kishin një urdhër gjykate në momentin kur ndërhyn në kopsht. Neni 29 i përgjigjet heqjes së lirisë për më shumë se 48 orë nga policia pa urdhër të gjykatës dhe në rastin konkret nuk bëhet fjalë për atë, por për ndërhyrjen e policisë për të konstatuar ekzistimin e veprës penale. Një veprim i tillë i policisë nuk ka çuar as në kufizimin e të drejtave të parashtrueses së kërkesës, siç shprehet ajo në kërkesë.
Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës se shkelja e nenit 29 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNj-së, ka ndodhur për shkak të intervenimit të policisë në çerdhe, janë të pabaza.
nëse parashtruesja e kërkesës ka pasur të drejtë të kthehet në punë, sipas ligjit për procedurën përmbarimore, me vendimin e gjykatës
Duke konsideruar pretendimin e tretë të parashtrueses së kërkesës se nëse aplikimi i gabueshëm i ligjit nga gjykatat dhe se ajo ka pasur të drejtë të kthehet në vendin e punës, janë diçka që, sipas parashtrueses së kërkesës, shkelin nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së si dhe neni 49 të Kushtetutës.
Duke marrë parasysh pretendimin e parashtrueses së kërkesës për aplikimin e ligjit në mënyrë të gabuar për ekzekutimin apo jo të vendimit të gjykatës, një gjë e tillë nuk është objekt i shqyrtimit i kësaj lënde, mirëpo edhe përkundër kësaj Gjykata duhet të theksojë se nëse vendimi i plotfuqishëm nuk ekzekutohet nga organet përkatëse atëherë duhet ndjekur procedura të veçanta përmbaruese, përkatësisht duhet të shteren mjetet juridike në dispozicion. Por duke marrë parasysh faktet dhe pretendimet e paraqitura, Gjykata vëren se edhe vetë parashtruesja e kërkesës e pranon në lidhje me vendimin e gjykatës për kthimin në vendin e punës se ai vendim asnjëherë nuk është ekzekutuar. Pra duke u nisur nga kjo premisë Gjykata vjen në konkluzionin se parashtrueses së kërkesës i takonte e drejta për t’u kthyer në punë, me anë të vendimit të gjykatës, por duhet theksuar se vendimi duhet t’u nënshtrohej procedurave përmbaruese nëpërmjet gjykatave kompetente, duke ju referuar Vendimit të Gjykatës Supreme. Në rastin konkret Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës nuk ka respektuar procedurat ligjore të përmbarimit dhe mënyra se si ka vepruar bie në ndesh me normat juridike, andaj dhe ka konsumuar veprën penale.
Po ashtu në kontekst të asaj se nëse është shkelur neni 49 i Kushtetutës, me pretendimin se i është ndaluar e drejta e punës, ky nen duhet interpretuar në lidhje me instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë. Paragrafi i parë i nenit 49 duhet shikuar në kontekst me të drejtën e punës, përkatësisht marrëdhënien e punës. Kushtetuta garanton që çdokush ka të drejtën e respektimit të personalitetit të vet në punë, kushte të sigurta dhe të shëndetshme në punë, mbrojtje të nevojshme në punë, kohë të kufizuar të punës, pushim ditor dhe javor, pushim të paguar vjetor, kompensim të drejtë për punë dhe mbrojtje juridike në rast të pushimit të marrëdhënies së punës. Këto të drejta janë të patjetërsueshme dhe askush nuk mund t’i shmangë. Mirëpo shkelje të tilla Gjykata nuk konstaton se ka pasur për faktin se edhe pse ka pasur prolongime të proceseve gjyqësore, kjo nuk dedukton në shkelje të drejtës së punës. Parashtrueses së kërkesës asnjëherë nuk i është ndaluar e drejta në profesionin e saj, në interpretim të gjerë. Megjithatë duhet theksuar se shqyrtimi i çështjes rreth punësimit apo jo, nuk është objekt i shqyrtimit, andaj dhe Gjykata nuk do ta elaboroj më gjer këtë çështje.
Duke pasur parasysh ato që u trajtuan më sipër, Gjykata konstaton se aktgjykimet mbi përgjegjësinë penale të parashtrueses së kërkesës janë konform normave juridike, dhe për këtë arsye as në këtë rast nuk ka shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së dhe as të nenit 49 të Kushtetutës.
Përfundimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtrueses së kërkesës në tërësi duhet të shpallen të papranueshme si qartazi i pabazuar, për arsye se pas analizës u konstatua se pretendimet e saj për shkelje të së drejtës për “gjykim të drejtë” bien nën pretendimet e kategorisë (iii) “të pambështetura ose të paarsyetuara”, prandaj të gjitha pretendimet e parashtrueses së kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së Punës.
Prandaj, kërkesa duhet të refuzohet si e papranueshme në baza kushtetuese, siç është e përcaktuar me nenin 113 (7) të Kushtetutës, e parashikuar me nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe e specifikuar më tej në rregullin 34, paragrafi 2 të Rregullores së Punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës, më 27 mars 2024, njëzëri
VENDOS
TË SHPALLË kërkesën të papranueshme;
T’UA DËRGOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Elife Murseli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale