Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-I-22-0008, të 3 shkurtit 2023

Nr. të lëndës KI127/23

Parashtruesit: Tahir dhe Ðurđica Ramqaj

Shkarko:

KI127/23, Parashtrues: Tahir dhe Ðurđica Ramqaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-I-22-0008, të 3 shkurtit 2023

KI127/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 shkurtit 2024, publikuar më 22 mars 2024

Fjalët kyç: mbrojtja e pronës, kërkesë e papranueshme, kërkesë e paafatshme

Nga shkresat e lëndës rezultoi se parashtruesit e kërkesës ishin drejtuar pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me kërkesë për blerjen e banesës në Banjë të Pejës, me pretendimin se e njëjta i’u ka ndarë atyre nga Enti i Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit në Banjë të Pejës. Më pas Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit refuzoi kërkesën e parashtruesve për blerjen e banesës me arsyetimin se këta të fundit nuk kanë paraqitur Vendim për ndarje të banesës dhe Kontratë për shfrytëzim të banesës, duke mos argumentuar të drejtën banesore në kuptim të paragrafit 1.6 nenit 3 të Ligjit Nr.04-L-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Parashtruesit e kërkesës, kundër Vendimit të lartpërmendur të Bordit Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ushtruan padi në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, me ç’rast kjo e fundit refuzoi padinë si të pabazuar. Vendimi i shkallës së parë u vërtetua edhe nga Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretenduan se përmes vendimit të kontestuar u janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, duke pretenduar në thelb se të dy vendimet e gjykatave të rregullta nuk kishin trajtuar në mënyrë meritore provat e paraqitura nga ta.

Pas pranimit të fletëkthesës së dorëzuar në Gjykatë nga Dhoma e Posaçme  e Gjykatës Supreme, rezultoi se parashtruesit e kërkesës, kërkesën në Gjykatë e kishin dorëzuar katër muaj e një ditë pas pranimit të vendimit të kontestuar.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej katër (4) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

Parashtruesit:

Tahir dhe Ðurđica Ramqaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative