Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ.nr.113/22 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI87/23

Parashtruesit: Shpejtim Bokshi

Shkarko:

KI87/23, Parashtrues: Shpejtim Bokshi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ.nr.113/22 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme

KI87/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 janarit 2024, publikuar më 18 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm 

Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë në atë se parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me gjobë në vlerë prej 9,693.86 EUR nga ana e KPMM-së për shkak të shfrytëzimit të jashtëligjshëm të resurseve minerare dhe zhvillimin e aktivitetit të jashtëligjshëm minerar pa posedimin e licencës së shfrytëzimit. Parashtruesi i kërkesës ishte ankuar në shkallën e dytë të KPMM-së lidhur me gjobën e shqiptuar, ku ankesa e tij ishte refuzuar dhe vendimi i shkalles së parë i KPMM-së ishte lënë në fuqi. I pakënaqur me vendimin e shkallës së dytë të KPMM-së parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit e kishte refuzuar padinë si të pabazuar. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ankesë ishte refuzuar dhe vendimi i gjykatës së shkallës së parë ishte vërtetuar. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për rishqyrtim të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kërkesë ishte refuzuar nga ana e Gjykatës Supreme.

Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Në lidhje me pretendimin për shkelje te nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata vërejti se të tria Gjykatat e rregullta,  vërtetuan se vendimi i KPMM-së ishte i ligjshëm pasi që ishte marrë në pajtim me dispozitat ligjore përkatësisht duke u bazuar në nenin 79 paragrafi 4 dhe 5 i Ligjit për Miniera dhe Minerale. Në këtë aspekt, Gjykata Supreme , po ashtu i dha përgjigje edhe pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me atë se ai është liruar për veprën e njëjtë në procedurë penale, duke sqaruar se aktakuza e ngritur ndaj tij ishte hedhë poshtë nga ana e gjykatës për shkak të parashkrimit absolut, dhe se në procedurën e konfliktit administrativ objekt i shqyrtimit dhe vendosjes është vlerësimi i ligjshmërisë së vendimit përfundimtar në procedurë administrative si në rastin konkret andaj kjo çështje është ndarë nga përgjegjësia penale, sipas objektit të shqyrtimit sepse në konflikt administrativ vlerësohet ligjshmëria e aktit përfundimtar.

Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara, konsideroi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Gjykata gjithashtu vërejti se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të drejtës së tij për mjete juridike, për shkak të mosdhënies së këshillës juridike nga ana e Gjykatës Themelore, ishte trajtuar nga ana e Gjykatës Supreme. Lidhur me këtë Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës kishte shfrytëzuar të drejtën e tij për ankesë, gjë që vërtetohet edhe përmes vendimeve të Gjykatës së Apelit dhe Supreme të cilat kishin shqyrtuar ankesën përkatësisht kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës, dhe se me këtë vërtetohet se nuk i është mohuar e drejta e tij për mjete juridike.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme.

Parashtruesit:

Shpejtim Bokshi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri