KI82/23, Parashtrues: Miradije Gashi Sheremeti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP. nr. 82/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme
KI82/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 janarit 2024, publikuar më 18 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga kërkesa e parashtrueses së kërkesës për rikthim në vendin e saj të punës në APK. Parashtruesja e kërkesës ishte e punësuar në APK në Pejë në pozitën e Zyrtares për çështje ekonomike. Drejtori i APK-së në Pejë i kishte shqiptuar vërejtje me shkrim për shkak të daljes nga vendi i punës, duke mos arsyetuar daljen. Pas tri vërejtjeve me shkrim nga ana e Drejtorit të APK-së në Pejë, ky i fundit kishte iniciuar kërkesën për procedurë disiplinore ndaj parashtrueses së kërkesës në Komisionin Disiplinor të APK-së. Komisioni Disiplinor i APK-së parashtrueses së kërkesës i kishte vendosur masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës”. Ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave të APK-së, ku ky i fundit kishte refuzuar ankesën e saj dhe kishte vërtetuar vendimin e komisionit disiplinor. Parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur ankesë në KPMSHCK kundër vendimit të komisionit të ankesave, ku ankesa e saj ishte refuzuar. Parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të KPMSHCK-së, e cila padi ishte aprovuar dhe rasti ishte rikthyer në rigjykim dhe rivendosje në KPMSHCK. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore kishte parashtruar ankesë KPMSHCK në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar dhe kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore. Në rivendosje, KPMSHCK kishte vendosur prapë të refuzojë ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe kishte lënë në fuqi vendimin e Komisionit për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave. Parashtruesja e kërkesës prapë kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të KPMSHCK-së, e cila padi ishte refuzuar nga ana e Gjykatës Themelore. Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar dhe kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore. Kërkesë për rishqyrtim të vendimit gjyqësor parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar në Gjykatën Supreme duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila kërkesë ishte refuzuar si e pabazuar nga ana e Gjykatës Supreme.
Gjykata vërejti se kemi të bëjmë me dy procedura, përkatësisht (i) procedurën lidhur me ankimin e parashtrueses së kërkesës lidhur me masën disiplinore “vërejtje me shkrim” dhe (ii) procedurën lidhur me ankimin e parashtrueses së kërkesës lidhur me masën disiplinore “ ndërprerje e marrëdhënies së punës”.
Lidhur me procedurën e parë, Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës pas pranimit të vendimit [A 02/268/2014] të 8 korrikut 2014 të KPMSHCK-së, kishte bërë ankesë në Gjykatën Themelore, mirëpo Gjykata nga dosja e lëndës vëren se parashtruesja e kërkesës nuk ka bashkëngjitur asnjë vendim të gjykatave, dhe se nuk e ka të qartë se a është vendosur lidhur me çështjen në gjykatat e rregullta. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson faktin se të gjitha pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje ligjore nga ana e KPMSHCK-së, mund të shqyrtoheshin gjatë procedurës së rregullt nga gjykatat e rregullta.
Prandaj, Gjykata gjen se parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese para shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike, përkatësisht se në legjislacionin e brendshëm ka mjete efektive juridike në dispozicion në gjykatat e rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar.
Lidhur me procedurën e dytë, Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës kishte të bënte me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga gjykatat e rregullta.
Gjykata lidhur me këto pretendime, vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj.
Gjykata vlerësoi se çështja e konstatimit të gjendjes faktike është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedurale nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se veprimet e parashtrueses së kërkesës kanë qenë në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil, dhe se masat ndaj saj janë marrë duke u bazuar në dispozita ligjore në fuqi.
Prandaj, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të vërtetimit të gabuar të fakteve, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Parashtruesja e kërkesës po ashtu pretendoi se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 22, 23, 24, dhe 27 të Kushtetutës dhe disa nene të disa konventave ndërkombëtare të cituara më lart. Mirëpo, parashtruesja e kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse duke cituar ato, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme.
Miradije Gashi Sheremeti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative