KI69/23, Parashtrues: Erlis Xërxa, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.nr.1350/22] të Gjykatës së Apelit të 29 dhjetorit 2022
KI69/23, Aktvendim për papranueshmëri i 31 janarit 2024, publikuar më 18 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta në pronë, sekuestrim i përkohshëm, kërkesë e parakohshme, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me Urdhrin [UGJK.nr.161/22] të nxjerrë nga Gjykata Themelore me qëllim të sekuestrimit të përkohshëm të objekteve ndërtimore në zonën II të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, komuna Shtërpcë, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj PP/I.nr.138/20 dhe PP/I.nr.58/22 të datës 14.10.2022 përfshirë Vilën e parashtruesit të kërkesës të identifikuar me nr. 06976-12. Gjykata Themelore pas shikimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës kishte konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për sekuestrim të përkohshëm pasi që objektet në fjalë dyshohet se janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr. 04/L-087, e të cilat objekte dyshohet se janë rrjedhojë e veprave penale nën hetim. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kundërshtim me propozim që të anulohet Urdhri [UGJK.nr.161/22] i Gjykatës Themelore i 7 nëntorit 2022. Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar kundërshtimin të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Urdhrit [UGJK.nr.161/22] i Gjykatës Themelore i 7 nëntorit 2022. Gjykata Themelore theksoi se në rastin konkret, hetimet janë në zhvillim e sipër dhe kemi të bëjmë me sekuestrim të përkohshëm e që gjatë rrjedhës së procedurës penale duke marrë parasysh se në rastin konkret nevojiten veprime urgjente në mënyrë që të sigurohen provat e nevojshme dhe për të shmangur mundësinë e zhdukjes së këtyre provave. Gjykata Themelore dha këshillë juridike parashtruesit të kërkesës se konform nenit 24.6 të KPPRK-së kundër këtij aktvendimi është e lejuar ankesa në Gjykatës së Apelit. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje ligjore me propozim që Gjykata e Apelit të aprovoi ankesën dhe çështjen ta kthejë në rivendosje apo të ndryshojë aktvendimin ankimor duke lënë urdhrin për sekuestrim. Gjykata e Apelit e hodhi të palejuar ankesën e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore. Ndërkohë, Gjykata Themelore me datën 15 korrik 2023 në ri-procedurë të iniciuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte vendosur se kërkesa e kësaj të fundit për sekuestrimin e përkohshëm të pronës së parashtruesit të kërkesës është e paafatshme dhe kishte urdhëruar lirimin e objektit të sekuestruar pronë e parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës njoftoi Gjykatën se dëshiron që të vazhdohet me vlerësimin kushtetues të kërkesës së parashtruesit të kërkesës.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi se gjykatat e rregullta duke miratuar urdhrin e prokurorit themelor për sekuestrim të përkohshëm të objektit pronë e parashtruesit të kërkesës kanë shkelur garancitë kushtetuese nga neni 46 i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se marrë për bazë faktin që procedura e sekuestrimit të objektit pronë e parashtruesit të kërkesës, është në zhvillim e sipër dhe bazuar në parimin e mirë vendosur që procedurat duhet të vlerësohen në tërësinë e tyre, parashtruesi i kërkesës, pretendimet e tij që ndërlidhen me sekuestrimin e objektit pronë e tij: (i) mund t’i ngre në procedurë të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Apelit; (ii) duke iu referuar garancive të përcaktuara me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; dhe (iii) parimeve dhe standardeve të vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 të Kushtetutës, gjykatat janë të detyruara të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e parakohshme dhe bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit si dhe në rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës duhet të refuzohet e papranueshme.
Erlis Xërxa
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale