Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [ARJ.nr.14/2023], të 23 marsit 2023

Nr. të lëndës KI165/23

Parashtruesit: Ibrahim T. Shala

Shkarko:

KI165/23, Parashtrues: Ibrahim T. Shala, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [ARJ.nr.14/2023], të 23 marsit 2023

KI165/23, Aktvendim për papranueshmëri i 18 janarit 2024, publikuar më 13 mars 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale; diskriminim; aplikim i gabuar i ligjit; pritshmëri legjitime;

Parashtruesi i kërkesës shërbeu si gjyqtar në Gjykatën Themelore, dega në Klinë. Ai kishte parashtruar një kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës [KGJK], përmes së cilës kërkonte që t’i mundësohej shfrytëzimi i automjetit zyrtar për nevojë të udhëtimit nga vendbanimi i tij në Drenas për në vendin e punës në Klinë. KGJK-ja e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se të drejtën për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare e kanë vetëm kategori të caktuara të përcaktuara me Udhëzimin administrativ nr.03/2014. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit ia miratuan pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vendosën që KGJK-ja t’ia kompensonte financiarisht parashtruesit të kërkesës dëmin e pësuar për mos lejimin e përdorimit të automjetit zyrtar. Gjykatat e rregullta arsyetuan se KGJK-ja ia kishte lejuar përdorimin e automjetit zyrtar disa gjyqtarëve të tjerë, prandaj refuzimi i kërkesës së parashtruesit të kërkesës përbënte diskriminim. Gjykata Supreme, duke vendosur në lidhje me kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, anuloi vendimet e gjykatave të rregullta dhe vendosi që KGJK-ja me asnjë dispozitë ligjore nuk e kishte obligim sigurimin e transportit të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimi i Gjykatës Supreme përbën shkelje të nenit 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6, 14 dhe nenin 1 të protokollit numër 1 të KEDNJ-së.

Gjykata theksoi se është në autoritetin e KGJK-së vendosja në lidhje me shfrytëzimin e automjeteve zyrtare, që sipas Udhëzimit administrativ nr.03/2014 i takon vetëm kryesuesit të KGJK-së, anëtarëve të KGJK-së, kryetarëve të gjykatave dhe udhëheqësit të njësive të KGJK-së. KGJK-ja e pranoi faktin që e lejon përdorimin e automjetit zyrtar edhe në rastet kur disa gjyqtarë kanë vendbanimin dhe vendin e njëjtë të punës. Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ishte në situatë të ngjashme me grupin e gjyqtarëve të cilëve iu lejua përdorimi i automjetit zyrtar dhe nuk bëhej fjalë për diskriminim të tij, e as për aplikim arbitrar të dispozitave ligjore. Gjykata po ashtu vlerësoi se vendimi i Gjykatës Supreme ishte i arsyetuar mjaftueshëm dhe nuk bëhej fjalë për shkelje të së drejtës së pronës, sepse parashtruesi i kërkesës nuk mund të kishte “pritshmëri legjitime” për fitimin e pronësisë në këtë rast.

Parashtruesit:

Ibrahim T. Shala

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile