KI146/23 dhe 163/23, Parashtrues: Nagip Krasniqi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 279/2023, të 13 qershorit 2023, si dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, PN. 1. S. nr. 161/2023, të 24 gushtit 2023
KI146/23 dhe KI163/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 janarit 2024, publikuar më 12 mars 2024
Fjalët kyç: e drejta për liri dhe siguri, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, qartazi e babazuar
Kërkesat KI146/23 dhe KI163, janë kërkesa të bashkuara dhe janë vazhdimësi e njëra-tjetrës.
Rrethanat e rastit KI146/23 ndërlidhen me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktim të paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1; “ushtrim i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1; si dhe veprën penale “konflikt i interesit” nga neni 417, paragrafi 2 i të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktim të paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji ishte miratuar nga Gjykata Themelore, me arsyetimin se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184 (Caktimi i paraburgimit), paragrafin 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pikën 1.2.1, pikën 1.2.2 dhe pikën 1.2.3 të KPPRK-së, duke shtuar se ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprat penale për të cilat dyshon Prokuroria Speciale. Aktvendimi i Gjykatës Themelore për caktimin e paraburgimit ishte miratuar nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme. Më pas, Prokuroria Speciale kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës. Gjykata Themelore kishte miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe kishte vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës, duke arsyetuar se në rastin konkret ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e paraburgimit të parapara sipas nenit 188 (Vazhdimi i paraburgimit) të KPPRK-së. Vendimi i Gjykatës Themelore ishte mbështetur plotësisht nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
Rrethanat e rastit KI163/23, janë të ndërlidhura me kërkesën KI146/23, përkatësisht janë vazhdimësi e saj dhe konsistonin në kërkesën e Prokurorisë Speciale drejtuar Gjykatës Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për parashtruesin e kërkesës. Gjykata Themelore kishte miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe kishte vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës, duke arsyetuar se në rastin konkret ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e paraburgimit. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit, i cili e kundërshtonte aktvendimin e shkallës së parë në të gjitha pikat, kjo e fundit miratoi ankesën duke e kthyer rastin në rigjykim, me arsyetimin se Gjykata Themelore nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm në pretendimet e parashtruesit. Gjykata Themelore, duke vendosur në rigjykim, aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe vazhdoi edhe për dy muaj masën e paraburgimit për parashtruesin e kërkesës. Në arsyetim të aktvendimit të lartpërmendur shtohet se është përmbushur kriteri i përgjithshëm, respektivisht “dyshimi i bazuar” për vazhdimin e masës së paraburgimit. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit refuzoi ankesën si të pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se përmes vendimeve të lartpërmendura i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 29 [E Drejta për Liri dhe Siguri] si dhe neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Përkitazi me kërkesën KI146/23, në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendoi se, (i) nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktim të paraburgimit të përcaktuara në nenin 184 (Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit) të KPRK-së, (ii) faktin se Prokuroria Speciale nuk ka ndërmarrë veprime të cilat do e përshpejtojnë procedurën siç parashihet me paragrafin 1 të nenit 188 (Vazhdimi i paraburgimit) të KPPRK-së, dhe (iii) Gjykata e Apelit si në procedurën e zhvilluar për caktim të paraburgimit edhe në procedurën për vazhdim të tij, nuk kishte vendosur lidhur me ankesën e parashtruesit në afatin e paraparë ligjor prej 72 orëve, të përcaktuar sipas paragrafit 3 të nenit 186 (Përmbajtja e aktvendimit për caktimin e paraburgimit dhe ankesa kundër tij) të KPPRK-së.
Përkitazi me kërkesën KI163/23, në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendoi se, (i) vendimet nuk janë të arsyetuara; (ii) Gjykata e Apelit ka arritur në përfundim se vendimi i shkallës së parë është nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e ka mbajtur në fuqi masën e paraburgimit, si dhe faktin se Gjykata e Apelit nuk ka vendosur brenda afatit të përcaktuar prej 72 orëve, të përcaktuar sipas paragrafit 3 të nenit 186 (Përmbajtja e aktvendimit për caktimin e paraburgimit dhe ankesa kundër tij) të KPPRK-së; (iii) Gjykata Themelore, duke vendosur në rigjykim, në bazë të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit nuk kishte marrë parasysh të gjeturat e Gjykatës së Apelit.
Lidhur me rastin KI146/23, Gjykata së pari shtjelloi parimet e përgjithshme të vendosura nga Gjykata dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me ligjshmërinë e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit dhe aplikoi të njëjtat në rastin konkret duke konstatuar se, vendimet e gjykatave të rregullta ishin të arsyetuara dhe të drejta kur kishin vendosur për çështjen e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, prandaj nuk mund të thuhet se nuk kanë qenë të arsyetuara në pajtim me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të Konventës apo që, shikuar në tërësinë e tyre, kanë qenë në ndonjë mënyrë arbitrare.
Në rastin KI163/23 Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij se procedurat pranë gjykatave të rregullta në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e mbrojtura me Kushtetutë.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit si në rastin KI146/23 dhe KI163/23, që Gjykata e Apelit si në procedurën e zhvilluar për caktim të paraburgimit edhe në procedurën për vazhdim të tij, nuk kishte vendosur lidhur me ankesën e parashtruesit në afatin e paraparë ligjor prej 72 orëve, të përcaktuar sipas paragrafit 3 të nenit 186 (Përmbajtja e aktvendimit për caktimin e paraburgimit dhe ankesa kundër tij) të KPPRK-së. Gjykata pasi kërkoi sqarime nga Gjykata e Apelit, konstatoi se Gjykata e Apelit ka vendosur brenda afatit të përcaktuar prej 72 orëve, të përcaktuar sipas paragrafit 3 të nenit 186 (Përmbajtja e aktvendimit për caktimin e paraburgimit dhe ankesa kundër tij të KPPRK-së.
Nagip Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale