KI115/22, Parashtrues: Hasan Suka, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 10/2022] të 15 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI115/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 janarit 2024, publikuar 12 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranit luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komisioni në fjalë, pas përfundimit të procesit të verifikimit të listave, ia kishte lëshuar parashtruesit të kërkesës certifikatën e “veteranit pjesëtar” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë vendim parashtruesi i kërkesës nuk ishte pajtuar, prandaj kishte vendosur të ushtronte padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila pas precizimit të padisë kishte marrë për hedhjen poshtë si të palejuar të padisë me arsyetimin se akti i kontestuar, gjegjësisht (Certifikata e 16 prillit 2018) për nga përmbajtja nuk paraqiste akt përfundimtar në procedurë administrative, mbi bazën e të cilit lejohet inicimi i konfliktit administrativ, dhe se paditësi nuk kishte dëshmuar para gjykatës se i kishte shteruar mjetet e brendshme juridike në kuptim të heshtjes administrative, para se t’i drejtohej gjykatës me padi. Kundër këtij vendimi parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila refuzoi si të pabazuar ankesën e tij dhe vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore. Aktvendimi i Gjykatës së Apelit u konfirmua më pas nga Gjykata Supreme, e cila po ashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke arsyetuar se gjykatat e instancave më të ulëta në këtë çështje juridike administrative, në bazë të fakteve të vërtetuara drejtë kanë vendosur çështjen në shqyrtim sipas objektit të saj, duke u bazuar në dispozitat ligjore të LKA-së, LPA-së dhe të LPK-së.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, është marrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, duke shtuar se para gjykatave të rregullta ka dorëzuar prova të mjaftueshme për të vendosur meritorisht për çështjen e tij, siç janë vërtetimi që dëshmon kyçjen e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, më 15 maj 1998, deri më 20 qershor 1999, deklaratat e dëshmitarëve, fotografi të ndryshme për njohjen e statusit “veteran luftëtar” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Referuar pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës në “substancë” ankohej për mohimin e drejtësisë, respektivisht mohimin e të drejtës së tij për të pasur “qasje në drejtësi”. Gjykata, në shqyrtimin e këtij pretendimi, paraprakisht shtjelloi parimet e përgjithshme të përcaktuara nëpërmjet praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të vetë Gjykatës dhe konstatoi se në rrethanat e rastit konkret, si Gjykata Themelore, ajo e Apelit po ashtu edhe Gjykata Supreme kanë vlerësuar se në rastin e parashtruesit të kërkesës nuk ishin përmbushur kushtet e përcaktuara me dispozitat e LKA-së, për t’u lëshuar tutje në vlerësimin e meritave të padisë. Përgjigjja e gjykatave në këtë çështje ishte se objekti i kërkuar me padi nuk i përmbushte kriteret ligjore për t’u lëshuar në vlerësimin meritor të padisë, sepse parashtruesi i kërkesës në cilësi të paditësit nuk kishte arritur të provonte se kishte shfrytëzuar të gjitha mundësitë procedurale dhe ligjore për të pasur një zgjidhje meritore për kontestin e tij.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të së drejtës për qasje në drejtësi të garantuar me dispozitat e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së, si të tilla i takonin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të pambështetura ose të paarsyetuara prandaj të njëjtat, në baza kushtetuese, i shpalli qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Hasan Suka
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative