Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2371/24
AKTVENDIM PËR PAPARANUESHMËRI
në
rastin nr. KI115/22
Parashtrues
Hasan Suka
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 10/2022] të 15 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Hasan Suka me vendbanim në fshatin Bllacë, komuna e Suharekës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar me autorizim nga Ramiz Suka, avokat në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ. nr. 10/2022] të 15 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [AA. nr. 945/2021] e 16 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit, dhe Aktgjykimin [A. nr. 2418/18] e 15 dhjetorit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 5 prill 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Supreme, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të tij, të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023 u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur, e cila ka shfuqizuar Rregulloren e punës së Gjykatës nr. 01/2018. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 2 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatë.
Më 8 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR.KI115/22, caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi, gjyqtar raportues dhe me Vendimit KSH.KI115/22 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 10 gusht 2022, Gjykata për regjistrimin e kërkesës e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme. Të njëjtën datë, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore informata lidhur me datën e dorëzimit të Aktgjykimit të kontestuar tek parashtruesi i kërkesës.
Më 10 gusht 2022, Gjykata Themelore, nëpërmjet postes elektronike e informoi Gjykatën se Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 5 prill 2022.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 22 janar 2024, Gjykata shqyrtoi raportin paraprak të gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Hyrje
Parashtruesi i kërkesës kishte aplikuar për statusin e “veteranit luftëtar” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pranë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Komisioni qeveritar). Pas përfundimit të procesit të verifikimit, Komisioni qeveritar, më 16 prill 2018 ia lëshoi parashtruesit të kërkesës certifikatën e “veteranit pjesëtar” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I pakënaqur me këtë status parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar procedurat vijuese.
Më 9 tetor 2018, parashtruesi i kërkesë parashtroi “padi” në Gjykatën Themelore, kundër të paditurit Komisioni qeveritar. Nëpërmjet kësaj padie, parashtruesi i kërkesës kërkoi anulimin e certifikatës së 16 prillit 2018 të lëshuar nga Komisioni qeveritar, duke kontestuar kështu rangun e kategorizimit e tij sipas ligjit në fuqi.
Më 15 dhjetor 2020, Gjykata Themelore, fillimisht kishte kërkuar precizimin e padisë nga parashtruesi i kërkesës për të saktësuar se cilin akt të organit administrativ e konteston nëpërmjet kësaj padie.
Më 15 dhjetor 2020, Gjykata Themelore nxori Aktvendimin [A. nr. 2418/2018] me të cilin e hedhë poshtë si të palejueshme padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se akti i kontestuar (Certifikata e 16 prillit 2018) për nga përmbajtja nuk paraqet akt përfundimtar në procedurë administrative, mbi bazën e të cilit lejohet inicimi i konfliktit administrativ, dhe se paditësi nuk kishte dëshmuar para gjykatës se i kishte shteruar mjetet e brendshme juridike në kuptim të heshtjes administrative, para se t’i drejtohej gjykatës me padi. Gjykata Themelorë, ndër të tjera, ishte bazuar edhe në dispozitat e nenit 13, të 14 të LKA-së.
Parashtruesi i kërkesës, i pakënaqur me Aktvendimin [A. nr. 2418/2018] e 15 dhjetorit 2020 të Gjykatës Themelore, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të (i) vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, (ii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale dhe (iii) shkeljes së rregullave të procedurës administrative.
Më 16 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit, me Aktvendimin [AA. nr. 945/2021] e refuzoi, si të pabazuar, ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk konteston asnjë “akt administrativ përfundimtar” të organit të paditur dhe se i njëjti nuk ka dorëzuar asnjë provë për të dëshmuar se ka ushtruar ankesë tek i padituri Komisioni qeveritar. Me ketë rast, Gjykata përfundoi se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shteruar të gjitha mjetet e brendshme juridike, para se të ushtronte padi nëpërmjet konfliktit administrativ në Gjykatën Themelore.
Parashtruesit i kërkesës, në afat ligjor, parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme për shkak të (i) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës administrative dhe të (ii) aplikimit të gabuar të ligjit material, me propozimin që Gjykata Supreme të aprovojë si të bazuar padinë e tij.
Më 15 shkurt 2022, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimin ARJ. nr. 10/2022, e refuzoi, si të pabazuar, kërkesën parashtruesit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe i vërtetoi vendimet e instancave më të ulëta. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme vlerësoi se, ”... gjykatat e instancave me të ulëta në ketë çështje juridike administrative, në bazë të fakteve të vërtetuara drejtë kanë vendosur çështjen në shqyrtim sipas objektit të saj, duke u bazuar në dispozitat ligjore të cekura si më lartë të LKA-së, LPA-së dhe të LPK-së, (i zbatueshëm si në kuptim të nenit 63, të LKA-së). Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, aktvendimi i kontestuar i gjykatës së shkallës së dytë është i qartë dhe i kuptueshëm, në arsyetimin e tij janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare, të cilat i pranon edhe kjo gjykatë, e po ashtu e drejta materiale është aplikuar drejtë dhe nuk është cenuar ligji në dëm të palës paditëse”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i Gjykatës së Apelit dhe i Gjykatës Themelore janë të padrejtë dhe të njëanshëm dhe shkelin të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, duke konsideruar se Akti administrativ i të paditurit, Komisionit qeveritar, nuk ishte akt përfundimtar, sipas ligjit për konfliktet administrative.
Parashtruesi i kërkesës, pretendon se para gjykatave të rregullta ka dorëzuar prova të mjaftueshme për të vendosur meritorisht për çështjen e tij, siç janë vërtetimi që dëshmon kyçjen e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, më 15 maj 1998, deri më 20 qershor 1999, deklaratat e dëshmitareve, fotografi të ndryshme për njohjen e statusit “veteran luftëtar” i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë vazhdë, parashtruesi i kërkese pretendon se padia mund të hedhet poshtë nëse është e pasafatshme dhe e parakohshme dhe se këto dy premisa, sipas tij, nuk ekzistojnë dhe nuk janë përmbushur në rastin konkret, duke theksuar se gjykimi ishte në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës.
Dispozitat relevante
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri dëmokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI NR. 03/l-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Organ - organet e administratës publike, organet e qeverisjes qendrore dhe organet e tjera në varësi të tyre, organet e vetëqeverisjes lokale dhe organet në varësi të tyre, kur në ushtrimin e autorizimeve publike vendosin në çështjet administrative.
1.2. Akt administrativ - çdo vendim të organit të paraparë në nën-paragrafin 1.1. të këtij paragrafi, i cili merret në fund të një procedure administrative në ushtrimin e autorizimeve publike dhe që prek, në mënyrë të favorshme ose jo të favorshme të drejtat e njohura ligjërisht, liritë ose interesat e personave fizikë ose juridikë përkatësisht palës tjetër në vendosjen e çështjes administrative.
[...]
Neni 13
Konflikti administrativ
1. Konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë.
2. Konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurën administrative ankimi nuk është i lejuar.
Neni 14
Konflikti administrativ
Konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës ose ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj.
Neni 34
1. Gjykata e hedh poshtë padinë me vendim, nëse konstaton se:
[...]
1.5. është fjala për çështjen për të cilën sipas dispozitës shprehimore të ligjit nuk mund të zhvillohet konflikti administrativ;
[...]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
Nenit 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
[…]
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Rreth përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ. nr. 10/2022] të 15 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi që i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur nga autoritetet publike, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit, dhe kërkesën e ka dorëzuar në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kritereve të lartcekura, Gjykata po ashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në nënrregullin 2 të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, i cili përcakton:
Rregulli 34
(Kriteret e papranueshmërisë)
2 Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret në vijim: a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GJEDNJ-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Përveç kësaj, praktika gjyqësore e GJEDNJ-së përcakton që një ankesë mund të karakterizohet për nga faktet e përfshira në të, dhe jo vetëm nga baza ligjore dhe argumentet në të cilat palët thirren shprehimisht (shih rastin e GJEDNJ-së: Talpis kundër Italisë, nr. 41237/14, Aktgjykimi i 18 shtatorit 2017, paragrafi 77 dhe referencat e cituara aty).
Gjykata, në këtë rast rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë KEDNJ)
I. Vlerësimi i Gjykatës, përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës
Gjykata, verën se parashtruesi i kërkesë në “substancë” ankohet për mohimin e drejtësisë, respektivisht mohimin të drejtës së tij për të pasur “qasje në drejtësi”, e cila individit i garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së
Prandaj, këto pretendime, Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë nga pikëpamja e të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në dritën e interpretimit të paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, duke aplikuar parimet e përcaktuara nga GJEDNJ-së, në bazë të të cilave kjo Gjykatë dhe gjykatat e rregullta në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, janë të obliguara që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
E drejtua për “qasje në drejtësi”
Parimet e përgjithshme
E drejta për të pasur “qasje në drejtësi” për qëllime të paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së është sqaruar në rastin e GJEDNJ-së, Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 4451/70, Aktgjykim i 21 shkurtit 1975, paragrafët 28-36. Duke iu referuar parimit të sundimit të ligjit dhe shmangies së pushtetit arbitrar, GJEDNJ-ja ka konstatuar se “e drejta për qasje në drejtësi” është aspekt thelbësor i garancive procedurale të mishëruara në paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Zubac kundër Kroacisë, nr. 40160/12, Aktgjykim i 5 prillit 2018, paragrafi 76). Për më tepër, GJEDNJ thekson se kjo e drejtë i siguron çdokujt të drejtën e adresimit të çështjes përkatëse që ndërlidhet me “të drejta dhe detyrime të tij/saj civile” para një gjykate kombëtare të themeluar më ligj (shih rastin e GJEDNJ-së, Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 84, si dhe rastin e Gjykatës, KI214/21, me parashtrues Avni Kastratin, Aktgjykimi i 7 dhjetorit 2022, paragrafi 78-89).
Gjykata në këtë kontekst thekson se e drejta në gjykatë, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, përcakton që palët duhet të kenë një mjet efektiv juridik që ua mundëson mbrojtjen e të drejtave të tyre civile (shih rastet e GJEDNJ-së, Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 47273/99, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi 49; dhe Naït-Liman kundër Zvicrës, nr.51357/07, Aktgjykim i 15 marsit 2018, paragrafi 112).
Për me tepër, GJEDNJ në rastin e lartcekur, Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë (në paragrafin 85) thekson se, “kushdo mund të mbështetet në nenin 6.1 të KEDNj-së, kur konsideron se ka një ndërhyrje të paligjshme në ushtrimin e një prej të drejtave të tij ose të saj (civile) dhe ai ose ajo ankohet se nuk ka pasur mundësinë për ta paraqitur kërkesën e tij/saj në gjykatë, në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 6.1 të KEDNj-së. Kur ka një mosmarrëveshje serioze dhe të vërtetë për sa i përket ligjshmërisë së një ndërhyrjeje të tillë, neni 6.1 i jep të drejtë individit në fjalë qe çështjet e ligjit (ligjshmërisë) të vendosen nga një gjykatë vendore” (shih rastin e GJEDNJ-së, Z dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29392/95, Aktgjykimi i 10 majit 2001, paragrafi 92; shih gjithashtu rastin Markovic dhe të tjerët kundër Italisë [DhM], nr. 1398/03, Aktgjykimi i 14 dhjetorit 2006, paragrafi 98).
Rrjedhimisht, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, çdokush ka të drejtë që të paraqesë “padi” lidhur me “të drejtat dhe detyrimet civile” përkatëse tek një gjykatë. Neni 31 i Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së mishërojnë të “drejtën për gjykatë”, përkatësisht të “drejtën e qasjes në gjykatë”, e që nënkupton të drejtën për të filluar procedurat tek gjykatat në çështjet civile (shih rastin e GJEDNJ-së Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, paragrafi 36). Prandaj, çdokush që konsideron se ka pasur ndërhyrje të kundërligjshme në ushtrimin e të drejtave civile të tij/saj dhe pretendon se i është kufizuar mundësia për të kontestuar një pretendim të tillë para një gjykate, mund t’i referohet nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke u thirrur në të drejtën përkatëse për qasje në gjykatë.
Më specifikisht, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, së pari duhet të ekzistojë një “e drejtë civile” dhe së dyti, të ketë një “kontest” lidhur me ligjshmërinë e një ndërhyrjeje, që prek vetë ekzistencën apo fushëveprimin e “të drejtës civile” të mbrojtur. Definicioni i të dy këtyre koncepteve duhet të jetë përmbajtjesor dhe joformal (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së, Le Compte, Van Leuven and De Meyere kundër Belgjikës, nr. 6878/75, 7238/75, Aktgjykim i 23 qershorit 1981, paragrafi 45; Moreira de Azevedo kundër Portugalisë, nr. 11296/84, Aktgjykim i 23 tetorit 1990, paragrafi 66; Gorou kundër Greqisë (nr.2), nr. 12686/03, Aktgjykim i 20 marsit 2009, paragrafi 29; dhe Boulois kundër Luksemburgut, nr. 37575/04, Aktgjykim i 3 prillit 2012, paragrafi 92). “Kontesti”, megjithatë, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, duhet të jetë: (i) i “vërtetë dhe serioz” (shih, në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së Sporrong dhe Lönnroth kundër Suedisë, Aktgjykim i 23 shtatorit 1982, paragrafi 81; dhe Cipolletta kundër Italisë, Aktgjykim i 11 janarit 2018, paragrafi 31); dhe (ii) rezultatet e procedurave para gjykatave duhet të jenë “vendimtare” për të drejtën civile në fjalë (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së, Ulyanov kundër Ukrainës, nr.16742/04, Vendimi i 5 tetorit 2010). Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, “lidhjet e paqëndrueshme” ose “pasojat e largëta” në mes të drejtës civile në fjalë dhe rezultatit të këtyre procedurave nuk janë të mjaftueshme për të qenë në fushëveprimin e nenit 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së, Lovrić kundër Kroacisë, nr. 38458/15, Aktgjykim i 4 prillit 2017, paragrafi 51, dhe Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 71).
Në raste të tilla, kur është konstatuar të ketë një “të drejtë civile” dhe një “kontest”, neni 31 i Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenin 6 të KEDNJ-së i garantojnë individit të drejtën “që çështja të zgjidhet nga një tribunal” (shih rastin e GJEDNJ-së, Z dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, paragrafi 92). Refuzimi i një gjykate për të shqyrtuar pretendimet e palëve lidhur me pajtueshmërinë e një procedure me garancitë procedurale themelore të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm kufizon qasjen e tyre në gjykatë (shih rastin e GJEDNJ-së Al Dulimi dhe Montana Management Inc kundër Zvicrës, nr. 5809/08, Aktgjykim i 21 qershorit 2016, paragrafi 131).
Për më tepër, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, KEDNJ nuk synon të garantojë të drejta që janë “teorike dhe të rreme”, por të drejta që janë “praktike dhe efektive” (shih, për më tepër rreth të drejtave “praktike dhe efektive”, rastet e GJEDNJ-së Kutić kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafi 25 dhe referencat e cituara aty; dhe Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 86 dhe referencat në të).
Prandaj, në kuptim të këtyre të drejtave, neni 31 i Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, garantojnë jo vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të “kontestit” përkatës nga një gjykatë (shih rastet e GJEDNJ-së, Kutić kundër Kroacisë, nr. 48778/99, Aktgjykim i 1 marsit 2002, paragrafët 25-32; Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 86 dhe referencat në të; Aćimović kundër Kroacisë, nr. 61237/00, Aktgjykim i 9 tetorit 2003, paragrafi 41; dhe Beneficio Cappella Paolini kundër San Marinos, nr. 40786/98, Aktgjykim i 13 korrikut 2004, paragrafi 29).
Parimet e lartpërmendura, megjithatë, nuk nënkuptojnë që e drejta për gjykatë dhe e drejta e qasjes në gjykatë janë të drejta absolute. Ato mund të jenë subjekt i kufizimeve, të cilat janë qartë të përcaktuara nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së. Megjithatë, këto kufizime nuk mund të shkojnë deri në masën sa të kufizojnë qasjen e individit duke cenuar vetë thelbin e të drejtës (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së, Baka kundër Hungarisë, nr. 20261/12, Aktgjykim i 23 qershorit 2016, paragrafi 120; dhe Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 89 dhe referencat në të).
Kurdo që “qasja në gjykatë” kufizohet nga ligji ose praktika përkatëse gjyqësore, Gjykata shqyrton nëse kufizimi prek thelbin e të drejtës dhe, në veçanti, nëse ky kufizim ka ndjekur një “qëllim legjitim” dhe nëse ekziston “një marrëdhënie e arsyeshme proporcionaliteti, ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet” (shih rastet e GJEDNJ-së, Ashingdane kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8225/78, Aktgjykim i 28 majit 1985, paragrafi 57; Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 89; Naït-Liman kundër Zvicrës, cituar më lart, paragrafi 115; Fayed kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 17101/03, Aktgjykim i 21 shtatorit 1990, paragrafi 65; dhe Marković dhe të tjerët kundër Italisë, nr. 1398/03, Aktgjykim i 14 dhjetorit 2006, paragrafi 99).
Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Siç u theksua më lartë, parashtruesi i kërkesës, pretendon se para gjykatave të rregullta ka dorëzuar prova të mjaftueshme për të vendosur meritorisht për çështjen e tij, siç janë vërtetimi si dëshmi e kyçjes së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, më 15 maj 1998 deri më 20 qershor 1999, deklaratat e dëshmitareve, fotografi të ndryshme, për njohjen e statusit “veteran luftëtar” i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata rikujton po ashtu se parashtruesi i kërkesës tutje pretendon se një padi mund të hedhet poshtë si e palejuar nëse është e pasafatshme ose e parakohshme, dhe se këto dy premisa, sipas tij, nuk janë përmbushur në rastin konkret, duke theksuar se gjykimi ishte në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës.
Gjykata, duke pasur parasysh thelbin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës rikujton se “çdokush që konsideron se ka pasur ndërhyrje të kundërligjshme në ushtrimin e të drejtave civile të tij/saj dhe pretendon se i është kufizuar mundësia për të kontestuar një pretendim specifik para një gjykate, mund t’i referohet nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, duke u thirrur në të drejtën për “qasje në drejtësi” (shih, rastin e GJEDNJ-së, Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, paragrafi 36).
Gjykata përsërit se e drejta për “qasje në drejtësi” në parim është e garantuar përkitazi me “kontestet” në lidhje me një “të drejtë civile”. Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se për të përcaktuar aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me dy çështje esenciale. E para ndërlidhet me “të drejtën civile”, ndërsa e dyta me ekzistencën e një “kontesti” mosmarrëveshjeje reale e cila kërkon zgjidhje në rrugë gjyqësore. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës i ka plotësuar të dy kriteret e lartcekura, për faktin se kemi një “kontest” real mes tij dhe Komisionit qeveritar, akti i të cilit pretendohet se është kontestuar në rrugë administrative, për arsye të ndikimit në të drejtat civile të tij, respektivisht në mirëqenën e tij.
Gjykata në vazhdim do të analizojë nëse mohimi i kësaj të drejte themelore ka ndodhur si pasojë e një “gjykimi të padrejtë”, i cila për rrjedhoje mund të këtë rezultuar nga konkluzionet “qartazi arbitrare” të gjykatave.
Në vijim, Gjykata i referohet Aktvendimit [A. nr. 2418/2018] të Gjykatës Themelore, e cila hedhjen poshtë të padisë së parashtruesit të kërkesës e kishte bazuar në arsyetimin se akti i kontestuar (Certifikata e 16 prillit 2018) nga përmbajtja e tij nuk paraqiste “akt përfundimtar” në procedurë administrative, mbi bazën e të cilit lejohet inicimi i konfliktit administrativ, dhe në faktin se parashtruesi i kërkesës (paditësi) nuk kishte dëshmuar para gjykatës së kishte shteruar mjetet e brendshme juridike, në kuptim të heshtjes administrative, para se t’i drejtohej gjykatës me padi. Gjykata Themelore, tutje arsyetimin e saj e bazoi në nenin 3, paragrafin 1.2, të Ligjit për Konfliktet Administrative (LKA), që përcakton se “Akti administrativë” nënkupton çdo vendim të organit të paraparë në nënparagrafin 1.1. të këtij paragrafi, i cili merret në fund të një procedure administrative në ushtrimin e autorizimeve publike dhe që prek, në mënyrë të favorshme ose jo të favorshme, të drejtat e njohura ligjërisht, liritë ose interesat e personave fizik ose juridike, përkatësisht palës tjetër në vendosjen e çështjes administrative. Më pas gjykata në fjalë iu referua edhe nenit 13 të LKA-së, i cili përcakton se “Konflikti administrativ mund të fillohet kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative të shkallës së dytë, ose kundër aktit administrativ të nxjerre në shkallë të parë, kundër të cilit nuk është lejuar ankimi”. Po ashtu gjykata iu referuar edhe nenit 14 të LKA-se i cili përcakton se “Konflikti administrativ mund të fillohet edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ, sipas kërkesës, respektivisht ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me ketë ligj”. Bazuar në këto arsye, Gjykata Themelore vlerësoi se ndaj “objektit të kërkesëpadisë së paditësit” nuk mund të zhvillohet konflikti administrativ, pasi që në këtë rast akti i kontestuar nuk është akt përfundimtar i të paditurit.
Gjykata, tutje i referohet Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, e cila nder të tjera theksoi se parashtruesi i kërkesës, nuk konteston asnjë Akt administrativ përfundimtar të organit të paditur dhe se i njëjti nuk ka dorëzuar asnjë provë material për të dëshmuar se ka ushtruar ankesë te i padituri, Komisioni qeveritar, për heshtje administrative. Me ketë rast, Gjykata e Apelit konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte shteruar mjetet e brendshme juridike pranë të paditurit para se të parashtronte padi në gjykatë.
Gjykata, gjithashtu i referohet Aktgjykimit [ARJ. nr. 10/2022] të Gjykatës Supreme, e cila arsyetoi se: “Për të filluar procedurë gjyqësore në konflikt administrativ fillimisht duhet të shtjerrën mjetet juridike në procedurë administrative, ndaj çdo veprimi apo mos veprimi administrativ, nëse pala e interesuar pretendon se i është cenuar një e drejtë apo interes juridik me një akt apo mos veprim të administratës, ashtu si parashihet në nenin 124, dhe afatet nga neni 127, të LPPA, e pastaj të procedohet çështja me padi në procedurë gjyqësore të konfliktit administrativ.”[...]. “Nga theksimet si me lartë, Gjykata Supreme vlerëson se gjykatat e instancave me të ulëta në ketë çështje juridike administrative, në bazë të fakteve të vërtetuara drejtë kanë vendosur çështjen në shqyrtim sipas objektit të saj, duke u bazuar në dispozitat ligjore të cekura si më lartë të LKA-së, LPA-së dhe të LPK-së, (i zbatueshëm si në kuptim të nenit 63, të LKA-së). Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, aktvendimi i kontestuar i gjykatës së shkallës së dytë është i qartë dhe i kuptueshëm, në arsyetimin e tij janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare, të cilat i pranon edhe kjo gjykatë, e po ashtu e drejta materiale është aplikuar drejtë dhe nuk është cenuar ligji në dëm të palës paditëse”.
Sa më lartë, Gjykata vëren se sikurse Gjykata Themelore, ajo e Apelit edhe Gjykata Supreme ka vlerësuar se në rastin e parashtruesit të kërkesës nuk ishin përmbushur kushtet e përcaktuar me dispozitat e LKA-së, për t’u lëshuar tutje në vlerësimin e meritave të padisë. Gjykata nuk e paragjykon faktin se parashtruesi i kërkesës edhe mund të ketë pasur dëshmi dhe prova për të realizuar të drejtën e tij subjektive, për njohje të statusit “veteran luftëtar”, megjithatë përgjigja e gjykatave në këtë çështje ishte se objekti i kërkuar me padi nuk i përmbushte kriteret ligjore për gjykim të meritave të padisë, sepse parashtruesi i kërkesës në cilësi të paditësit nuk ka arritur të provojë se ka shfrytëzuar të gjitha mundësit procedurale dhe ligjore për të pasur një zgjidhje meritore për kontestin e tij.
Gjykata rikujton se paragrafi 1 i neni 6 të KEDNJ-së nuk kërkon që Gjykata Supreme, si instancë përfundimtare të japë arsyetim më të detajuar, kur ajo thjesht zbaton një dispozitë të caktuar ligjore për refuzimin e një ankese, duke konsideruar se ajo ankesë specifike nuk ka një perspektivë për sukses (shih rastet e GJEDNJ-së, Burg dhe të tjerët kundër Francës, nr. 34763/02; vendim i 28 janarit 2003; Gorou kundër Greqisë (nr. 2), nr. 12686/ 03, vendim i 20 marsit 2009, paragrafi 41; shih rastin e Gjykatës KI106/22, me parashtrues Driton Fetahu, Aktvendim i 8 shkurtit 2023, paragrafi 45-56).
Thënë këtë, Gjykata konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është në pajtueshmëri me kërkesat dispozitave të nenit 31 të Kushtetutës dhe të paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, sepse aktgjykimi si i tillë përmban lidhje logjike ndërmjet bazës juridike të aplikuar, arsyetimit dhe përfundimeve të nxjerra.
Për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, respektivisht të së drejtës për të pasur qasje në drejtësi, i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuar”, dhe si të tilla të njëjtat janë qartazi të pabazuara.
Përfundim
Bazuar në të gjitha shtjellimet e mësipërme, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të së “drejtës për qasje në drejtësi” të garantuar me dispozitat e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenin 6 të KEDNJ-së, i takojnë kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara” prandaj, si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, i shpall qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në tërësinë e saj, duhet deklaruar e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) dhe 48 (1) b) të Rregullores së punës, më 22 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Hasan Suka
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative