KI239/23, Parashtrues: Narkize Abdullahu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 302/2023] të 3 gushtit 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar
Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtrueses së kërkesës lidhur me mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor për kërkesën e saj të njohjes së kontributit të amvisërisë pas datës 31 dhjetor 2007 deri në momentin e shkurorëzimit. Rrjedhimisht, parashtruesja e kërkesës përmes parashtresës së precizimit të kërkesëpadisë të 22 janarit 2021, ndër të tjera kishte kërkuar që të detyrohet A.B (ish-bashkëshorti) që në emër të kontributit për punët e amvisërisë gjatë periudhës së bashkësisë martesore, respektivisht nga data 10 dhjetor 1996 deri më 31 dhjetor 2007, parashtrueses së kërkesës t’ia kompensojë shumën prej 20.000 (njëzetmijë) euro. Gjykata Themelore kishte aprovuar këtë kërkesë të parashtrueses së kërkesës. Në vijim, parashtruesja pretendon se kishte kërkuar njohjen e dhënies së kontributit në amvisëri edhe përtej datës 31 dhjetor 2007. Gjykata e Apelit në vijim kishte theksuar se gjykata e shkallës së parë drejtë e ka llogaritur periudhën e rrjedhjes së kamatës tek kërkesa e parashtrueses së kërkesës për kompensimin e dëmit për punët e amvisërisë në periudhën 1 qershor 1996 deri më 31 dhjetor 2007. Në kërkesën për revizion, parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar që çështja të kthehet në rivendosje për të vlerësuar kontributin e parashtrueses së kërkesës në punët e amvisërisë pas datës 31 dhjetor 2007 deri në datën e shkurorëzimit, përkatësisht deri më 16 tetor 2017. Gjykata Supreme kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e parashtrueses së kërkesës.
Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, si dhe pretendime për shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, përkatësisht cenim të të drejtave pronësore të saj si rezultat i pamundësimit të realizimit të kontributit të amvisërisë pas vitit 2007, ndërsa në anën tjetër mundësimin e pasurimit të pabazuar të ish-bashkëshortit të saj.
Përkitazi me pretendimin e parë lidhur me mos arsyetimin e vendimeve gjyqësore, bazuar në parimet e përgjithshme të GjEDNj-së, lidhur me arsyetimin e vendimit gjyqësor, Gjykata vëren se gjykatat e rregullta kishin sqaruar se në rastin e parashtrueses së kërkesës, gjykatat e rregullta kanë nxjerrë vendimet e tyre në përputhje të plotë me standardet e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Kjo për faktin se nga shkresat e lëndës është e qartë se vendimmarrja ishte e bazuar në prova të ndryshme, dhe vlerësimet e ekspertëve. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtrueses së kërkesës. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës kishte përfituar nga e drejta për të pranuar vendim të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (nenit 31 të Kushtetutës) për sa i përket mos arsyetimit të vendimit gjyqësor. Gjykata konstatoi se në rastin konkret nuk dëshmohet se parashtruesi i kërkesës kishte kërkesë të arsyetuar lidhur me shkeljen e të drejtës së pronës sipas nenit 46 të Kushtetutës.
Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt“, prandaj deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.
Narkize Abdullahu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile