Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 550/2021] të 6 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI186/22

Parashtruesit: Malush, Sejdi, Hysni, Skender, Enver, Sherif, Mehdi, Xhevat, Qemajl dhe Jakup Berisha

Shkarko:

KI186/22, Parashtrues: Malush, Sejdi, Hysni, Skender, Enver, Sherif, Mehdi, Xhevat, Qemajl dhe Jakup Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 550/2021] të 6 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI186/22, Aktgjykim i 17 janarit 2024, publikuar më 20 shkurt 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil-pronësor, kërkesë e pranueshme, e drejta për gjykim të drejtë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 17 janar 2024, ka vendosur lidhur me rastin KI186/22, me parashtrues: Malush, Sejdi, Hysni, Skender, Enver, Sherif, Mehdi, Xhevat, Qemajl, e Jakup Berisha, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.550/2021] të 6 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës Kosovës në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 147/19] e 16 shtatorit 2021 të Gjykatës së Apelit.

Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, konstatoi se (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me  paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor lidhur me një paluajtshmëri në komunën e Suharekës. Sipas shkresave të lëndës, rezulton që më 1 qershor 2001, paditësi E.B, kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Suharekë për vërtetimin e të drejtës së pronësisë së pronës kontestuese, të cilës i ishin bashkangjitur edhe parashtruesit e tjerë të kërkesës, në cilësi të bashkëpaditësve. Më 9 mars 2010, Gjykata Komunale në Suharekë, në seancë përgatitore kishte precizuar padinë për sa i përket vlerës së kontestit, duke e rritur atë në shumën prej njëzetë mijë (20,000.00) euro, konform së cilës ishte bërë edhe pagesa e diferencës së taksës gjyqësore nga parashtruesit e kërkesës.

Nga viti 2004 deri në vitin 2018, çështja ishte kthyer dhe rikthyer disa herë në rivendosje. Përfundimisht, në vitin 2018, Dega në Suharekë e Gjykatës Themelore në Prizren, në procedurën e përsëritur kishte nxjerr Aktgjykimin [C. nr. 224/18], me të cilin kishte aprovuar në tërësi padinë e parashtruesve të kërkesës dhe kishte vërtetuar se të njëjtit janë bashkëpronarë kadastral të pronës kontestuese, secili në masën ideale përkatëse. Kundër këtij Aktgjykimi, Komuna e Suharekës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me ç’rast kjo e fundit aprovoi ankesën e të paditurës, duke ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe duke refuzuar në tërësi padinë e parashtruesve të kërkesës. Këta të fundit, parashtruan kërkesën për revizion në Gjykatën Supreme, e cila e hodhi poshtë të njëjtën si të palejuar, me arsyetimin se vlera e kontestit në shumën prej pesëqind (500) marka gjermane, është nën vlerën e nevojshme në bazë të së cilës lejohet shqyrtimi meritor i revizionit bazuar në ligjin e aplikueshëm.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretenduan shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 [xxx] dhe të së drejtës për mjete juridike të garantuar me nenin 32 [E Drejta për Mjet Juridik] të Kushtetutës, pasi, sipas tyre, (i) bazuar në kërkesën e Gjykatës Komunale në Suharekë, më 9 mars 2010, ishte bërë precizimi i vlerës së kontestit në njëzetë mijë (20.000) euro, dhe si pasojë ishte paguar edhe diferenca e taksës gjyqësore, e cila i ishte bashkëngjitur si provë shkresave të lëndës; ndërsa (ii) Gjykata Supreme nuk e kishte shqyrtuar në merita revizionin, por e kishte hedhur atë si të palejuar, me arsyetimin se vlera e kontestit, sipas ligjit të aplikueshëm, ishte nën vlerën e kërkuar për të ushtruar efektivisht këtë mjet ligjor, pa i shqyrtuar në mënyrën e duhur shkresat e lëndës.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me parimin e  “qasjes në gjykatë”; dhe (ii) më pas, i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, ndër tjerash, rikujtoi se, në parim, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm nuk reflekton vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të kontestit përkatës nga një gjykatë.  Në këtë kontekst dhe sipas shtjellimeve të detajuara në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se mospranimi i shqyrtimit në merita të kërkesës për revizion nga ana e Gjykatës Supreme, pa vlerësuar faktin që vlera e kontestit përkatës ishte ndryshuar përgjatë procedurave gjyqësore, përbën një të metë procedurale të pakapërcyeshme e cila bie në kundërshtim me të drejtat e lartcekura të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse konkluzionet e Gjykatës Supreme rezultuan në pamundësinë e parashtruesve të kërkesës për të pasur “qasje në gjykatë dhe drejtësi”, dhe rrjedhimisht edhe në mohimin e së drejtës për mjet efektiv juridik dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave.

Parashtruesit:

Malush, Sejdi, Hysni, Skender, Enver, Sherif, Mehdi, Xhevat, Qemajl dhe Jakup Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile