Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC. nr. 59/15] të 23 qershorit 2015 të Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Aktvendimit [PPS. nr. 62/2022] të 30 shtatorit 2022 të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI12/23

Parashtruesit: NPN “FERDA”

Shkarko:

KI12/23, Parashtrues NPN “FERDA”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC. nr. 59/15] të 23 qershorit 2015 të Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Aktvendimit [PPS. nr. 62/2022] të 30 shtatorit 2022 të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës

KI12/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 31 janarit 2024, publikuar më 20 shkurt 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e pasafatshme, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se parashtruesi i kërkesës parashtroi padi kundër Komunës së Drenasit, përmes së cilës kërkoi shlyerjen e detyrimeve, e cila procedurë përfundoi me Aktgjykimin [Ae. nr. 29/14] të 23 dhjetorit 2014 të Gjykatës së Apelit, ku e njëjta e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës i është drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me propozim që të paraqes kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [Ae. nr. 29/14] të 23 dhjetorit 2014 të Gjykatës së Apelit, kërkesë të cilën Prokuroja L.P., përmes Njoftimit [KMLC. Nr. 59/15] të 23 qershorit 2015, e kishte refuzuar si të pasafatshme. Me pretendimin se prokurorja në fjalë dhe gjyqtarët që kanë zgjidhur rastin e tij kanë kryer veprën penale “Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore” të përcaktuar me nenin 432 të Kodit paraprak Penal të Republikës së Kosovës, më 22 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kallëzim penal ndaj tyre, të cilin kallëzim penal, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e hodhi poshtë më 21 maj 2021. Si rezultat i kësaj, më 12 gusht 2022, parashtruesi përsëriti kallëzimin penal vetëm ndaj prokurores L.P., i cili kallëzim penal po ashtu u hodh poshtë nga PSRK më 30 shtator 2022, përmes Aktvendimit [PPS. nr. 62/2022] me arsyetimin se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm që i dyshuari ka kryer veprën penale si në kallëzim penal e as ndonjë vepër penale tjetër, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se i është shkelur e drejta e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në thelb për shkak se: (i) Prokurorja e Shtetit ia kishte llogaritur gabimisht afatin për parashtrimin propozimit për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, duke e refuzuar propozimin e tij përmes Njoftimit [KMLC. nr. 59/15] të 23 qershorit 2015, si të pasafatshëm; si dhe (ii) për këtë kishte parashtruar kallëzim penal ndaj saj, të cilin, Prokurori Special përmes Aktvendimit [PPS. nr. 62/22] të 30 shtatorit 2022 kishte hedhur poshtë.

Përkitazi me pretendimin që ndërlidhet me llogaritjen e gabuar të afatit për dorëzimin e propozimit për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë në Njoftimin [KMLC. nr. 59/15] e Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Gjykata pasi që elaboroi praktikën e saj gjyqësore lidhur me rastet e tjera, në të cilat është vlerësuar kushtetutshmëria e njoftimeve të Prokurorit të Shtetit, vlerësoi se vendim i fundit meritor përkitazi me këtë pretendim është Njoftimi [KMLC. nr. 59/15], i 23 qershorit 2015 të Zyrës së Prokurorit të Shtetit. Andaj, marrë parasysh se kërkesa e parashtruesit është dorëzuar më 23 janar 2023, Gjykata konstatoi se e njëjta nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.

Ndërsa, përkitazi me pretendimin në lidhje me Aktvendimin [PPS. nr. 62/22] e 30 shtatorit 2022 të Prokurorit Special, me të cilin kishte hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj Prokurores së Shtetit që kishte nxjerrë Njoftimin e lartcekur, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte elaboruar fare se si aktvendimi në fjalë i kishte shkelur të drejtat e tij, rrjedhimisht, bazuar në praktikën e saj gjyqësore se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, andaj, shpalli këtë pretendim të papranueshëm si qartazi të pabazuar në kategorinë e pretendimeve të “pambështetura apo paarsyetuara”,  ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

NPN “FERDA”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile