KI134/22, parashtrues kompania “AFA Energy sh.p.k”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit [ARJ nr. 22/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 15 prillit 2022
KI134/22, Aktvendim për papranueshmëri i 18 janarit 2024, publikuar më 7 shkurt 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit
Parashtruesi i kërkesës është kompani që merret me prodhimin dhe distribuimin e energjisë elektrike nga kapacitetet e veta, përkatësisht dy hidrocentrale që janë ndërtuar përgjatë rrjedhës së lumit në zonën e komunës së Kaçanikut dhe Hanit të Elezit. Me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese, “HC Kotlina 1 dhe, HC Kotlina 2”, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kërkesë në ZRRE më 12 qershor 2015, përmes së cilës ka kërkuar marrjen e autorizimeve të nevojshme. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor më 25 shtator 2015 nxori Vendimin për pëlqimin mjedisor për ndërtimin e hidrocentraleve. ZRRE më 28 janar 2016, gjithashtu nxori aktvendimin e parë për miratimin e përkohshëm, dhe më pas më 29 mars 2018 nxori aktvendimin me të cilin i lëshoi miratimin përfundimtar parashtruesit të kërkesës, me kushte të përcaktuara qartë që ai duhet t’i plotësojë. Siç thuhet në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës dy herë kërkoi nga ZRRE-ja që të shtyjë afatin për zbatimin e projektit. Kërkesa e parë për shtyrje të afatit është dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës më 24 janar 2017, të cilën ZRRE-ja e ka pranuar dhe i ka dhënë parashtruesit të kërkesës një afat të ri për zbatimin e projektit. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën e dytë për zgjatjen e afatit për zbatimin e projektit në ZRRE më 15 mars 2021, mirëpo, më 7 tetor 2021, ZRRE-ja lëshoi vendimin për atë kërkesë [ZRRE: V_1420_2021], duke refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa anuloi miratimin përfundimtar për ndërtimin e kapaciteteve të reja.
Duke pasur parasysh se ZRRE-ja me vendimin [ZRRE: V_1420_2021] kishte revokuar miratimin përfundimtar për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore, përmes së cilës kërkoi, i) shtyrjen e ekzekutimit të vendimit [ZRRE: V_1420_2021], të 7 tetorit 2021, dhe, ii) vlerësimin e ligjshmërisë së Vendimit [ZRRE: V_1420_2021], në një kontest administrativ.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë në mënyrë specifike ka kontestuar procedurën gjyqësore lidhur me kërkesën për i) shtyrjen e ekzekutimit të vendimit [ZRRE: V_1420_2021], të 7 tetorit 2021, duke konsideruar se me refuzimin e kërkesëpadisë së tij ai pëson dëm të pariparueshëm. Në atë procedurë gjyqësore, Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme refuzuan kërkesën e parashtruesit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të ZRRE-së si të pabazuar, duke konstatuar se “si do që të vendoset çështja kryesore gjatë vlerësimit të ligjshmërisë se vendimit të organit të paditur me vendim përfundimtar gjyqësor, apo nëse do të vërtetohej se vendimi i të paditurit është jo ligjor dhe çështja do të vendosej në dobi të palës paditëse, ekzistojnë mekanizmat dhe mënyra e kompensimit të dëmeve eventuale me mjete monetare, prandaj dëmi do të ishte i sanueshëm”.
Pikërisht ky fakt ka ndikuar që parashtruesi i kërkesës të paraqesë kërkesë në Gjykatë, duke konsideruar se gjykatat e rregullta, me refuzimin e kërkesës së tij, kanë cenuar të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës, si dhe me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata analizoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kontekstin e vendimeve gjyqësore të kontestuara, duke zbatuar me atë rast parimet dhe praktikën gjyqësore, si të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe të GJEDNJ-së, dhe arriti në përfundimin se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së në kontekstin e vendimeve gjyqësore të paarsyetuara, janë qartazi të pabazuara, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
“AFA Energy sh.p.k”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative