KI80/23, Parashtrues: Behgjet Stoliqi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme [AC-I-21-0757-A0001] të 23 marsit 2023
KI80/23, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2024, publikuar më 6 shkurt 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, seancë dëgjimore, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ka të bëjë me ndërlidhet me njoftimin AKP-së për ndërprerje të marrëdhënies së punës të parashtruesit për shkak të likuidimit të NSH “Lavërtari-Blegtori” Prizren. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në AKP duke kërkuar kompensim për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013, për kohën sa kishte punuar në NSH “Lavërtari-Blegtori” Prizren. Autoriteti i Likuidimit i AKP-së e refuzoi të pavlefshme kërkesën e parashtruesit të kërkesës për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës. Me këtë rast Autoriteti i Likuidimit të AKP-së kishte nxjerrë dy vendime refuzuese ndaj parashtruesit të kërkesës: (i) Vendimi i Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-0182, dt.23.03.2015; dhe (ii) Vendimi i Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-184, dt. 03.04.2015. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS kundër palës së paditur AKP lidhur me Vendimin e Autoritetit të Likuidimit për NSH “Lavërtaria-Blegtoria”, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kompensim për shkak të ndërprerjes së parakohshme të marrëdhënies së punës. DHPGJS-ja dy herë urdhëroi parashtruesin e kërkesës që në afat prej shtatë (7) përkatësisht tri (3) ditësh ta plotësoi ankesën dhe të njëjtit i tërhoqi vërejtjen se objekt i ankesës është vetëm Vendimi [PRZ-009-0182] i 23 marsit 2015 dhe jo vendimet tjera të Autoritetit të Likuidimit. DHPGJS-ja: (i) aprovoi të bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Vendimin e AKP-së, Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-0182, dt.23.03.2015 dhe detyroi të paditurën NSH “Lavërtari-Blegtori” që ta kompensojë parashtruesin e kërkesës për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës; (ii) ndërsa e hodhi të papranueshme ankesën e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Vendimin e AKP-së, Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-184, dt. 03.04.2015. DHPGJS-ja konstatoi se Vendimi i Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-184, dt. 03.04.2015 ishte kontestuar pas kalimit të afatit ligjor. Parashtruesi i kërkesës e kontestoi vetëm pikën e dispozitivit të vendimit të DHPGJS-së sa i përket hedhjes poshtë të ankesës si të paafatshme. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së vlerësoi se vendimi i kontestuar DHPGJS-së ishte i drejtë dhe ankesa kundër Vendimit të AKP-së PRZ 009-184, dt.03.04.2015 ishte e paafatshme pasi që kishin kaluar të gjitha afatet ligjore për kontestimin e të njëjtit.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb ngriti pretendime specifike lidhur me mos mbajtjen e seancës dëgjimore në rastin e tij. Parashtruesi i kërkesës theksoi se me mos mbajtje të seancës dëgjimore DHPGJS-ja “pa dyshim” ka shkelur garancitë procedurale të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se procedurat e zhvilluara pranë DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së: (i) ngrenë vetëm çështje ligjore të natyrës së kufizuar siç janë afatet ligjore; (ii) nuk ngrenë ndonjë çështje të ndërlikueshmërinë së posaçme çka do ta bënte mbajtjen e seancës dëgjimore të domosdoshme; dhe, (iii) nga natyra e rastit rrjedh se DHPGJS-ja dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së bazuar mbi parashtresa dhe materialet me shkrim kanë zgjidhur rastin në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të dhe 54[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Behgjet Stoliqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile