Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 2148/16, të 25 gushtit 2021

Nr. të lëndës KI18/23

Parashtruesit: Hamza Çeshmegji

Shkarko:

KI18/23, Parashtrues: Hamza Çeshmegji, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 2148/16, të 25 gushtit 2021

KI18/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 nëntorit 2023, publikuar më 14 dhjetor 2023

Fjalët kyç: mbrojtja e pronës, kërkesë e papranueshme, kërkesë e pasafatshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se A. Ç., babai i parashtruesit të kërkesës, në cilësinë e dhuratëmarrësit, kishte lidhur një kontratë për dhuratë me G. Ç., e cila kontratë ishte vërtetuar nga Gjykata Komunale në Prizren, dhe përmes së cilës të ndjerit A. Ç., i ishte dhuruar një paluajtshmëri. Më pas, palët e treta, respektivisht R. Ç., M. Ç., A. Ç., H. Ç., B. Ç., M. Ç., M. Ç., N. L., M. K., H. S., F. K. dhe E. Ç., në cilësi të trashëgimtarëve të rrethit të parë të G. Ç parashtruan padi pranë Gjykatës Themelore në Prizren, duke kërkuar anulimin e kontratës së lartpërmendur dhe vërtetimin se ata janë pronarë të ngastrës kadastrale, në bazë të së drejtës së trashëgimisë. Gjykata Themelore kishte i) aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e R. Ç. dhe të tjerëve; ii) e anuloi kontratën mbi dhurimin e paluajtshmërisë, iii) vërtetoi se R. Ç. dhe të tjerët janë bashkëpronarë të paluajtshmërisë, në bazë të së drejtës për trashëgiminë. Pas ankesës kundër vendimit të lartpërmendur të shkallës së parë që përfaqësuesi i A. Ç. e parashtroi në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit refuzoi të njëjtën si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës përmes përfaqësuesit të tij paraqiti revizion, kundër vendimeve të instancave më të ulëta në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme hodhi poshtë si të palejuar revizionin e paraqitur nga përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës në emër të këtij të fundit me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk ka pasur autorizim nga A. Ç. që ta autorizojë dikë tjetër.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë adresuar pretendimet e tij.

Gjykata vlerësoi se në rastin konkret “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, në lidhje me meritat e këtij rasti është Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit i 25 gushtit 2021. Gjykata konstatoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hamza Çeshmegji

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative