Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 2148/16, të 25 gushtit 2021

Nr. të lëndës KI18/23

Parashtruesit: Hamza Çeshmegji

Shkarko:

Prishtinë, më​​ 11 dhjetor​​ 2023​​ 

Nr.ref.:​​ RK 2300/23

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

​​ 

 

 

rastin nr. KI18/23

 

Parashtrues

 

 

Hamza Çeshmegji

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit,​​ Ac. nr. 2148/16,​​ të​​ 25 gushtit 2021

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS

 

 

e​​ përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi,​​ zëvendëskryetar,

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban,​​ gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është parashtruar nga​​ Hamza Çeshmegji,​​ me vendbanim në Komunën e​​ Prizrenit​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: parashtruesi​​ i​​ kërkesës).

 

 

Vendimi i kontestuar

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ konteston​​ Aktvendimin [Rev.​​ nr.​​ 594/2021] të​​ 8 dhjetorit 2022​​ të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac.​​ nr.​​ 2148/16] të 25 gushtit 2021​​ të Gjykatës së​​ Apelit të Republikës së​​ Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin​​ [C.​​ nr.​​ 272/15] të 6 prillit 2016​​ ​​ Gjykatës Themelore në​​ Prizren​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).​​ 

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekti i çështjes së kërkesës​​ është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ të kontestuar, përmes​​ së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i​​ janë shkelur të drejtat dhe liritë​​ themelore të garantuara me​​ nenin​​ 7​​ [Vlerat]​​ dhe​​ nenin​​ 46​​ [Mbrojtja e Pronës] të​​ Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta)​​ në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit​​ nr.​​ 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë:​​ KEDNJ).​​ 

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Ligji)​​ dhe në rregullin​​ 25​​ (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

  • Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata​​ Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur.​​ Lidhur me këtë,​​ konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • ​​ 31​​ janar​​ 2023,​​ parashtruesi i kërkesës​​ dorëzoi​​ kërkesën​​ në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • Më​​ 6​​ shkurt​​ 2023,​​ Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.​​ GJR.​​ KI18/23]​​ caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi​​ gjyqtar raportues​​ dhe​​ Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët:​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi​​ (kryesuese),​​ Nexhmi Rexhepi​​ dhe​​ Enver Peci​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 10 shkurt​​ 2023, Gjykata njoftoi​​ parashtruesin​​ e​​ kërkesës dhe Gjykatën Supreme​​ për​​ regjistrimin e kërkesës, me ç’​​ rast i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.

 

  • Më​​ 14 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin​​ e gjyqtarit raportues​​ dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Nga​​ shkresat​​ e lëndës rezulton​​ se​​ parashtruesi i kërkesës​​ është​​ i biri i​​ të ndjerit​​ A.​​ Ç., i cili, në cilësinë e dhuratëmarrësit, kishte lidhur një kontratë për dhuratën me​​ G.​​ Ç.,​​ e cila kontratë ishte vërtetuar nga Gjykata Komunale në Prizren më 7 mars 1995,​​ dhe përmes së cilës​​ ​​ të ndjerit A.​​ Ç.​​ i ishte dhuruar një paluajtshmëri.​​ 

 

  • Në një datë të​​ pasaktësuar, pasardhësit e të ndjerit H.​​ Ç.​​ (respektivisht R.​​ Ç., M.​​ Ç., A.​​ Ç., H.​​ Ç., B.​​ Ç., M.​​ Ç., M.​​ Ç., N.​​ L., M.​​ K.,​​ H.​​ S., F.​​ K.​​ dhe E.​​ Ç.)​​ në cilësi të trashëgimtarëve të rrethit të parë,​​ parashtruan padi pranë Gjykatës Themelore në Prizren, duke kërkuar anulimin e kontratës​​ së lartpërmendur​​ dhe​​ të vërtetuarit​​ se ata janë pronarë të​​ ngastrës kadastrale nr.​​ 1042 (paluajtshmërisë​​ kontestuese), në bazë të së drejtës së trashëgimisë, pas vdekjes së H.​​ Ç.

 

  • Më 28 tetor 2015, Gjykata Themelore nxori Aktvendimin [C.​​ nr.​​ 272/15], me të cilin konstatoi se padia është tërhequr, ngase në shqyrtimin kryesor të​​ mbajtur në atë ditë nuk ka prezantuar avokati i​​ R.​​ Ç. dhe të tjerëve​​ dhe nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

 

  • Më 9 nëntor 2015,​​ përfaqësuesi i R.​​ Ç.​​ dhe të tjerëve,​​ ​​ i propozoi Gjykatës Themelore kthim në gjendje të mëparshme, meqë, sipas tij,​​ e kishte ngatërruar datën e shqyrtimit kryesor.

 

  • Më 13 nëntor 2015, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktvendimit [C.​​ nr.​​ 272/15], aprovoi propozimin për kthim në gjendjen e mëparshme, teksa gjeti se​​ “i njëjti është i bazuar dhe janë plotësuar kushtet ligjore për kthim në gjendje të mëparshme”.

 

  • Në një datë të pasaktësuar, A.​​ Ç.​​ babai tashmë i ndjerë i parashtruesit të kërkesës​​ e autorizoi parashtruesin e kërkesës që​​ “paralel me avokatin E.​​ Ç. të më përfaqësojë në kontestin civil C. nr.​​ 272/15, sipas padisë kundër meje, që zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prizren”.

 

  • ​​ 6 prill 2016, Gjykata​​ Themelore​​ përmes Aktgjykimit [C.​​ nr.​​ 272/15],​​ i)​​ aprovoi në tërësi kërkesëpadinë​​ e R.​​ Ç.​​ dhe të tjerëve; ii)​​ e anuloi kontratën mbi dhurimin e paluajtshmërisë,​​ iii) vërtetoi se R.​​ Ç.​​ dhe të tjerët​​ janë bashkëpronarë të paluajtshmërisë, në bazë të së drejtës për trashëgiminë, pas vdekjes së H.​​ Ç.​​ 

 

  • Gjithashtu, Gjykata​​ Themelore vendosi që​​ “masa e përkohshme e sigurimit, e caktuar nga ana e kësaj gjykate me nr. C.593/12, datë 17.09.2012, mbetet në fuqi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi”.

 

  • Në një datë të pasaktësuar,​​ përfaqësuesi​​ A.​​ Ç. paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit​​ kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore,​​ duke pretenduar​​ shkelje esenciale të dispozitave kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale, duke pretenduar se​​ “aktgjykimi i atakuar është i paqartë, kontradiktor dhe i paligjshëm, pasi e drejta materiale është zbatuar gabimisht. Aktvendimi me të cilin është pranuar propozimi për kthim në gjendje të mëparshme është i padrejtë, pasi nuk ka pasur arsye për​​ ”.

 

  • ​​ 25​​ gusht 2021, Gjykata e Apelit​​ përmes​​ Aktgjykimit [Ac.​​ nr.​​ 2148/16], refuzoi ankesën e A.​​ Ç. si të pathemeltë dhe e vërtetoi vendimin e shkallës së parë, duke e konsideruar të njëjtin si të drejtë dhe të ligjshëm.

 

  • Sipas Gjykatës së Apelit,​​ “aktgjykimi i atakuar nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të​​ gjendjes faktike​​ si dhe nuk ka shkelje nga neni​​ 182.2, pika b), g), j), k) dhe m), të LPK-së.​​ Dispozitivi i aktgjykimit të atakuar është mjaft i qartë dhe i kuptueshëm, po ashtu thëniet në arsyetim kanë rrjedhë logjike me atë që është vendosur në dispozitiv”.

 

  • Më​​ 10 nëntor 2021,​​ përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës,​​ paraqiti revizion​​ në Gjykatën Supreme​​ për (i) shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) konstatim të gabuar​​ dhe​​ jo të plotë të gjendjes faktike dhe (iii) zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Më​​ 8 dhjetor 2022, Gjykata Supreme, përmes Aktvendimit [Rev.​​ nr.​​ 594/2021],​​ hodhi poshtë​​ si të​​ palejuar revizionin e paraqitur nga avokati A.​​ Sh. në​​ emër të​​ parashtruesit të​​ kërkesës.

 

  • Gjykata Supreme gjeti se​​ një​​ nga arsyet për të​​ hedhur revizionin si të​​ palejueshëm​​ është​​ edhe në​​ rast se revizioni​​ është​​ paraqitur nga personi i cili nuk​​ është​​ i autorizuar për paraqitjen e revizionit, siç​​ është​​ në​​ rastin konkret, pasi bazuar në​​ shkresat e lëndës avokati A.​​ Sh., nuk ka autorizim nga i padituri, por autorizimin e ka marrë​​ nga djali i të​​ paditurit, i cili ka qenë​​ i autorizuar nga i padituri”.

 

  • Sipas Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës nuk ka pasur autorizim nga A.​​ Ç. që​​ ta autorizojë​​ dikë​​ tjetër, duke argumentuar se​​ i autorizuari Hamza Çeshmegji, nuk ka mundur të​​ autorizojë​​ askënd, për faktin se nuk ka pasur të​​ specifikuar se i njëjti mund të​​ ushtrojë​​ mjetet e jashtëzakonshme juridike, e as të​​ bartë​​ autorizimin në​​ personin tjetër, siç ka vepruar duke e autorizuar avokatin A.​​ Sh., pasi për këto veprime​​ është​​ dashur që​​ autorizimi të​​ përmbajë​​ këtë​​ autorizim në​​ mënyrë​​ taksative se mund t’i ndërmarrë​​ këto veprime”.

 

Pretendimet e parashtruesit​​ të kërkesës

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ pretendon​​ që​​ përmes vendimit të kontestuar parashtruesit i janë shkelur të​​ drejtat themelore të tij​​ ​​ garantuara me nenin​​ 7 [Vlerat]​​ dhe 46​​ [Mbrojtja e Pronës] të​​ Kushtetutës,​​ në ndërlidhje me nenin 1 të KEDNJ-së.

 

  • Sa i përket shkeljes së​​ pretenduar nga Gjykata Supreme,​​ parashtruesi i kërkesës pretendon që,​​ në lidhje me mungesën e autorizimit të rregullt,​​ “pala e paditur nuk ka qenë e informuar para se të merret aktvendimi dhe i autorizuari i të paditurit A.Ç. ka ndërruar jetë më 26.10.2020 dhe për këtë i janë shkelur të drejtat elementare dhe mohimi për mbrojtjen e pronës së tij”.

 

  • Parashtruesi i kërkesës tutje pretendon që​​ gjykatat e rregullta nuk kanë marrë parasysh gjendjen faktike si dhe nuk kanë adresuar pretendimet e​​ parashtruesit.​​ ​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ në kërkesën e tij​​ nuk​​ ka specifikuar se çfarë​​ kërkon nga Gjykata.

 

Dispozita​​ përkatëse​​ kushtetuese dhe​​ ligjore​​ 

 

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Neni 7​​ 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ [Vlerat]

 

1. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut”.

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Neni 46

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ [Mbrojtja e Pronës]

 

“1. E drejta e pronës është e garantuar.​​ 

2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.​​ 

3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.​​ 
[...]

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës​​ 

 

  • Gjykata​​ fillimisht​​ shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[...]

 

(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Tutje, Gjykata​​ u​​ referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit,​​ ​​ parashohin:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

1.“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2.Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë​​ saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.

 

Neni 49

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.[...]”.

 

  • Gjykata më tej i referohet edhe rregullit​​ 29​​ [Llogaritja e periudhës kohore] dhe rregullit 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës:

 

Rregulli​​ 29

[Llogaritja e periudhës kohore]

 

Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë rregullore të punës, llogaritet si më poshtë:​​ 

 

[...]

 

(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.

 

[...]

 

(g)​​ përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.

 

Rregulli 34

[Kriteret e pranueshmërisë]

 

“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:​​ 

 

[...]

​​ 

(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit 20 efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit.​​ 

 

  • Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një​​ autoriteti​​ publik, përkatësisht​​ Aktvendimin​​ [Rev.​​ nr.​​ 594/2021]​​ të​​ 8 dhjetorit 2022​​ të Gjykatës​​ Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.​​ 

 

  • Për të përcaktuar nëse parashtruesi i kërkesës e ka parashtruar kërkesën brenda afatit të​​ caktuar prej 4 (katër) muajsh, Gjykata i referohet datës së pranimit të vendimit të fundit nga ana e parashtruesit të kërkesës dhe datën e paraqitjes së kërkesës në Gjykatën Kushtetuese.

 

  • Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë: (i) cili është “vendimi i fundit” në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës në ndërlidhje me rrjedhjen e afatit ligjor katër (4) mujor nga neni 49 i Ligjit, përkatësisht “vendimi i​​ mjetit të fundit efektiv juridik”; dhe (ii) nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor katër (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata rikujton​​ se​​ rregulli i afatit katërmujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës. ​​ Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej katër (4) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës,​​ i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese​​ të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se​​ Lekic kundër Sllovenisë, kërkesa nr.​​ 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08​​ Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 65). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë, dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do​​ t’​​ i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih rastin e GEDNJ-së,​​ Sabri GÜNEŞ kundër Turqisë,​​ kërkesa nr. 27396/06, Aktgjykim i 29 qershorit 2012, paragrafi 52 dhe 55).

 

  • Afati katër (4) mujor fillon të rrjedhë nga dita e vendimit të fundit në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve juridike (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ Chapman kundër Belgjikës, kërkesa nr.​​ 39619/06, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 34).​​ Në këtë kuptim, Gjykata thekson se kur parashtruesit i njihet e drejta për të pranuar kopjen e vendimit përfundimtar të gjykatave të rregullta, afati 4 mujor fillon të rrjedhë nga dita kur​​ vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës, pa marrë parasysh nëse vendimi është shpallur gojarisht ndaj parashtruesit të kërkesës.​​ Ky kriter është përcaktuar edhe​​ përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Sipas GJEDNJ-së, shterimi i mjeteve juridike dhe periudha katër (4) mujore janë të ndërlidhura ngushtë. GJEDNJ më tej thekson se afati katër (4) mujor fillon të rrjedhë nga dita kur parashtruesi ka pranuar vendimin e mjetit të fundit efektiv juridik (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ Anne Williams kundër Mbretërisë së Bashkuar,​​ Kërkesa nr.​​ 32567/06, Vendim i 17 shkurtit 2009).

 

  • Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, procedura e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me meritat e​​ këtij​​ rasti kishte përfunduar me Aktgjykimin​​ [Ac.​​ 2148/16] të Gjykatës​​ së​​ Apelit​​ të 25 gushtit​​ 2021.​​ Pas​​ pranimit të këtij të fundit, parashtruesi i kërkesës​​ është drejtuar në Gjykatën Supreme me revizion, ku kjo e fundit e ka hedhur​​ poshtë si të palejuar revizionin.​​ 

 

  • Në lidhje me këtë, Gjykata vë në dukje që përmes Aktvendimit [Rev.​​ nr.​​ 594/2021], të​​ 8 dhjetorit 2022, të ​​ Gjykatës Supreme, kjo e fundit, bazuar në​​ nenin 218​​ ​​ të Ligjit​​ nr.​​ 04/L-118, e ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të palejuar,​​ për shkak të mungesës së autorizimit​​ duke mos e trajtuar në merita rastin e parashtruesit të kërkesës.

 

  • Gjykata tutje shton, se në rastin e parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të​​ Aktgjykimit​​ [Ac.​​ nr.​​ 2148/16] të Gjykatës​​ së​​ Apelit​​ të 25 gushtit​​ 2021, asgjë nuk e ka ndaluar atë që t’i drejtohet Gjykatës. Megjithatë, ai​​ ka përdorur​​ mjetet​​ juridike,​​ në mungesë të autorizimit për​​ përfaqësim.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së​​ punës, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, është​​ Aktgjykimi [Ac.​​ nr.​​ 2148/16]​​ i​​ Gjykatës​​ së​​ Apelit​​ të 25 gushtit​​ 2021, dhe i cili ishte përfundimtar. Në​​ këtë kontekst, ​​ Gjykata, më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës​​ e ka dorëzuar kërkesën e tij​​ në Gjykatë,​​ në përputhje me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.

 

  • Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, vendimin e mjetit të fundit efektiv juridik, sipas përcaktimit të mësipërm të Gjykatës,​​ më së voni e​​ ka​​ pranuar​​ më​​ 10 nëntor 2021 kur edhe e ka parashtruar revizionin​​ kundër këtij të fundit, ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar më​​ 31 janar 2023, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.

 

  • Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse​​ përmes​​ aktvendimit​​ të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të neneve 27, 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin​​ 34 (1) (c), të Rregullores së punës, më​​ 14 nëntor 2023,​​ njëzëri

 

VENDOS​​ 

 

    • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

    • T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;​​ 

 

    • TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;​​ 

 

    • Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

Gjyqtari​​ raportues ​​  ​​  ​​   Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 ​​ 

 

 

 

Bajram Ljatifi  ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​​​ ​​ ​​  ​​ ​​​​  ​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa​​ Caka-Nimani​​ 

1

 

Parashtruesit:

Hamza Çeshmegji

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative