KI142/22, Parashtrues Edmond Hoxha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.24/2022] të Gjykatës Supreme të 25 majit 2022
KI142/22, Aktvendim për papranueshmëri i 30 gushtit 2023, publikuar më 6 tetor 2023
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar.
Çështja e parashtruesit të kërkesës ishte shqyrtuar përmes pesë (5) vendimeve gjyqësore, duke u vendosur fillimisht nga Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [I.Ek.nr.312/14] të 3 tetorit 2019, e cila refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për pagesën e shumës prej 851,000.00 euro nga “Gekos”, me kamatë prej 8% në emër të përmbushjes së obligimit nga kontrata e 21 prillit 2010, me arsyetimin se nuk janë krijuar kushtet ligjore dhe kontraktuale për përmbushjen e detyrimit nga “Gekos” dhe se nuk është shkaktuar asnjë lloj dëmi tek parashtruesi i kërkesës. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae.nr.284/2018] të 11 qershorit 2020 anuloi Aktgjykimin [I.Ek.nr.312/14] e Gjykatës Themelore me arsyetimin se nuk është vërtetur drejt gjendja faktike dhe se janë shkelur dispozitat e Ligjit të Procedurës Kontestimore dhe rrjedhimisht ktheu rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore. Në procedurën e rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [I.EK.nr.297/20], duke u bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës meqë ky i fundit nuk e kishte përmbushur detyrimin, përkatësisht investimet e kërkuara me kontratën e 21 prillit 2010 dhe aneks kontratën si kusht për krijimin e detyrimit të “Gekos” që të paguajë pjesën tjetër të detyrimit, përkatësisht shumen prej 851,000,00 euro. Ky Aktgjykimi ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae.nr.231/2021] duke vlerësuar se drejtë ishte vërtetuar gjendja faktike dhe drejtë ishte zbatuar e drejta materiale në rrethanat e rastit konkrete nga Gjykata Themelore dhe se nuk kishte shkelje të dispozitave të Ligjit të Procedurës Kontestimore, duke konfirmuar kështu në tërësi përfundimet e arritura dhe bazën ligjore të aplikuar nga Gjykata Themelore. Gjykata e Apelit përveç që konfirmoi bazën ligjore të aplikuar nga Gjykata Themelore, ajo përgjatë arsyetimit të rastit u referua në dispozitat përkatëse të Ligjit [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018, ku në esencë vlerësoi se parashtruesi i kërkesës kishte dështuar të përmbushet detyrimet nga marrëdhënia kontraktuale me “Gekos” dhe se “çdo tërheqje e kapitalit të shoqërisë nga paditësi [parashtruesi i kërkesës] për nevoja vetanake bie në kundërshtim me dispozitat ligjore të sipërcituara”.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion kundër Aktgjykimit [Ae.nr.231/2021] të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme duke pretenduar në esencë zbatim të gabuar të ligjit, respektivisht zbatim të ligjeve në rrethanat e rastit të tij të cilat nuk kanë qenë në fuqi në kohën kur është krijuar marrëdhënie kontraktuale mes palëve, respektivisht sipas tij zbatimi i gabuar i ligjit në rastin e tij konsiston në zbatimin e Ligjit [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018 dhe Ligjit [Nr.04/L-077] për Marrëdhëniet e Detyrimeve të 19 qershorit 2012, ndërsa krijimi i marrëdhënieve detyrimore mes palëve ishte krijuar ne vitin 2010.
Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [E.Rev.nr.24/2022] të 25 majit 2022 refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se aktgjykimi i kontestuar nuk përmban shkelje të dispozitave procedural në kuptim të nenit 215 të Ligjit të Procedurës Kontestimore. Gjykata Supreme gjithashtu konfirmoi si të drejtë referencën e Gjykatës se Apelit në Ligjin [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018 dhe veçanërisht zbatimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978 në rastin e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme gjithashtu vlerësoi se parashtruesi kishte dështuar që të përmbushë detyrimet e tij sipas kontratës se lidhur, respektivisht nuk kishte përmbushura investimet e kërkuara me kontratë dhe aneks kontratë si kusht për krijimin e detyrimit të palës tjetër “Gekos” që të paguajë pjesën e mbetur të investimit në vlerë prej 851,000,00 euro.
Konstatimet e gjykatave të rregullta dhe në mënyrë specifike konstatimet e Gjykatës Supreme, parashtruesi i konteston para Gjykatës duke pretenduar se Aktgjykimi [E.Rev.nr.24/2022] i 25 majit 2022 është nxjerr në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës.
Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm duke pretenduar në esencë zbatimin e gabuar të ligjit gjatë tërë procesit gjyqësore të zhvilluar në gjykatat e rregullta. Në mënyrë specifike, parashtruesi i kërkesë pretendon se zbatimi i Ligjit [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018 dhe Ligjit [Nr.04/L-077] për Marrëdhëniet e Detyrimeve të 19 qershorit 2012 përben shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe rrjedhimisht shkelje të parimit të sigurisë juridike sepse ligjet e sipërcituara nuk kanë qenë në fuqi në kohen kur është krijuar marrëdhënies detyrimore mes palëve me rastin e nënshkrimit të kontratës së 21 prillit 2010.
Gjykata vëren se gjatë tërë procesit gjyqësor të zhvilluar në gjykatat e rregullta, çështja kryesore ishte përmbushja e detyrimeve kontraktuale mes palëve që rridhnin nga kontrata e 21 prillit 2010, përkatësisht nëse parashtruesi i kërkesës në cilësinë e aksionarit të “Elite” kishte investuar shumën e pranuar nga “Gekos” në vlerë prej 1,125.000.00 euro, çështje kjo e cila përmes aneks kontratës të 23 shkurtit 2012 ishte konstatuar se vlera e investuar nga parashtruesi ishte me e vogël se vlera e paguar nga “Gekos”.
Në lidhje me këtë çështje dhe pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata vë në dukje se gjykatat e rregullta kanë trajtuar ato në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të detajuar. Gjykata vëren se gjykatat e rregullta në trajtim të pretendimeve të ngritura përmes ankesës se tij, respektivisht lidhur me pretendimin për përmbushjen e detyrimit nga “Gekos”, kishin sqaruar se (i) parashtruesi i kërkesës nuk kishte përmbushur investimet e kërkuara nga marrëdhënia kontraktuale e lidhur mes tij dhe “Gekos”; (ii) parashtruesi i kërkesës kishte investuar vetëm gjysmën e mjeteve financiare të pranuar nga “Gekos” në realizmin e projektit të kontraktuar; (iii) rezultati i mos investimit të vlerës fillestare të pranuar nga “Gekos” nga ana e parashtruesit të kërkesës në realizmin projektit të kontraktuar kishte për pasojë pezullimin e detyrimit të “Gekos” që të paguajë pjesën e dytë të mjeteve financiare në vlerë prej 851,000.00 euro; (iv) parashtruesi i kërkesës kishte dështuar që të plotësonte kushtin kontraktual për përmbushjen e detyrimit tjetër nga pala kontraktuese “Gekos”.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon në esencë zbatim të ligjeve në rrethanat e rastit të tij të cilat nuk kanë qenë në fuqi në kohën kur është krijuar marrëdhënie kontraktuale mes palëve, respektivisht sipas tij zbatimi i gabuar i ligjit në rastin e tij konsiston në zbatimin e Ligjit [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018 nga ana e Gjykatës se Apelit dhe sipas parashtruesit të kërkesës edhe zbatimin e Ligjit [Nr.04/L-077] për Marrëdhëniet e Detyrimeve të 19 qershorit 2012, ndërsa krijimi i marrëdhënieve detyrimore mes palëve ishte krijuar në vitin 2010.
Gjykata nuk mund të mos vërej se Gjykata e Apelit përveç që kishte konfirmuar si të drejtë zbatueshmërinë e dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978 në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës, ajo ju kishte referuar edhe dispozitave të Ligjit [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018, i cili nuk ishte në fuqi në kohën kur ishte krijuar marrëdhënia kontraktuale mes palëve në fjalë. Gjykata vëren se përgjatë procesit gjyqësor të vendosjes se rastit të parashtruesit të kërkesës të zhvilluar në gjykatat e rregullta, këto të fundit nuk kanë bazuar vendimmarrjen e tyre vetëm duke iu referuar Ligjit [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018 por duke zbatuar dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978, të aplikueshme në rrethanat e rastit konkret. Për me tepër, Gjykata vë në dukje se bazat ligjore të aplikuar në këtë rast, siç janë neni 17 [Detyrat e përmbushjes së detyrimit] dhe neni 262 [Përmbushja e detyrimit dhe pasojat e mospërmbushjes] të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978, janë konfirmuar ne tërësi nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme si ligj i aplikueshëm në këto rrethana të rastit të parashtruesit të kërkesës lidhur me përmbushjen e detyrimeve nga marrëdhënia kontraktuale mes parashtruesit të kërkesës dhe “Gekos”.
Gjykata vëren se referimi i Gjykatës se Apelit në dispozitat e Ligjit [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018 ka shkaktuar konfuzion dhe pasiguri të parashtruesi i kërkesës lidhur me zbatueshmërinë e ligjit të duhur në rrethanat e rastit të tij, pasi ai argumenton se zbatimi i ligjit të sipërcituar nuk ishte i zbatueshme meqë kishte hyr në fuqi pasi ishte krijuar marrëdhënia e tij kontraktuale në fjalë. Në këtë aspekt, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se referenca në Ligjin [Nr.06/L-016] për Shoqëritë Tregtare të 24 majit 2018 ka qenë me peshë vendimtare që do të mund të ndikonte që të arrihej një rezultat ndryshe nëse ky ligj nuk do të aplikohej në rastin e tij. Gjykata dëshiron të theksojë se në nivel të përgjithshëm, zbatimi i ligjeve që nuk janë të aplikueshëm në rastet e caktuara nuk përputhet me një praktikë të konsoliduar ligjore në aspektin e rigorozitetit juridik, megjithatë në këtë rast, veprimi i Gjykatës se Apelit nuk duket të këtë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e parashtruar. Megjithatë, vlen të nënvizohet rëndësia e një vlerësimi me të hollësishëm të këtij fakti nga ana e Gjykatës se Apelit gjatë vendimmarrjes së saj.
Në rrethana të tilla, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta të shtjelluara më lart, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështet në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë “zbatuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës. Bazuar në si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa në tërësinë e saj është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Edmond Hoxha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Civile