Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [A.A.nr.36/2022] të Gjykatës Supreme të 20 janarit 2023    

Nr. të lëndës KI39/23

Parashtruesit: Labinot Zekaj

Shkarko:

KI39/23, Parashtrues: Labinot Zekaj, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [A.A.nr.36/2022] të Gjykatës Supreme të 20 janarit 2023

KI39/23, Aktvendim për papranueshmëri i 29 gushtit 2023, publikuar më xxx

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, ndalimi i diskriminimit, masë e përkohshme, shkelje disiplinore, kërkesë e papranueshme   

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me kërkesën që Autoriteti Kompetent e kishte paraqitur në KGJK me pretendime se parashtruesi i kërkesës, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mund të ketë kryer shkelje disiplinore në kundërshtim me LPDGJP-në dhe Kodin e Etikës për Gjyqtarë. Autoriteti Kompetent kishte konsideruar se në çështjet e kthyera në rigjykim nga Gjykata e Apelit, parashtruesi i kërkesës nuk i kishte ndërmarrë veprimet konform përgjegjësive të tij gjyqësore dhe kishte zvarritur lëndët në fjalë. KGJK-ja kishte mbajtur dy seanca dëgjimore ku kishte dëgjuar raportin e Panelit Hetimor me konstatime për shkelet disiplinore nga parashtruesi i kërkesës si dhe përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës me qëllim të administrimit të drejtë të drejtësisë. KGJK-ja vendosi: (1) Parashtruesi i kërkesës, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuara në nenin 5, paragrafi 2, nën-paragrafi 2.7, të LPDGJP-së dhe nenit 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtar; (2) Për këtë shkelje disiplinore parashtruesit të kërkesës i shqiptohen sanksionet disiplinore vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 40 % për gjashtë (6) muaj. KGJK-ja kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës edhe përkundër që ka pas obligim ligjor për trajtim të lëndëve me prioritet, i njëjti ka kryer lëndë tjera që nuk kanë qenë me prioritet sipas ligjit dhe  strategjisë së KGJK-së. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme duke e kontestuar në tërësi ligjshmërinë e vendimit të KGJK-së duke pretenduar konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatim të gabuar të LPDGJP-së dhe Vendimit për sanksionin disiplinor me propozim që: Gjykata Supreme të merr aktvendim me të cilin ndryshohet Vendimi i KGJK-së si dhe  të refuzohet në tërësi si e pabazuar kërkesa për inicimin e procedurës nga Autoriteti Kompetent, ose vendimi të prishet dhe çështja të kthehet në rishqyrtim. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar ankesën të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës dhe e vërtetoi Vendimin e KGJK-së. Gjykata Supreme vlerësoi se KGJK-ja në mënyrë të plotë i ka vlerësuar të gjitha rrethanat përkatësisht faktet e çështjes, mbi bazën e të cilave ka krijuar një pasqyrë të qartë, nga e cila ka rezultuar vërtetimi i përgjegjësisë disiplinore të parashtruesit të kërkesës dhe shqiptimin e sanksioneve disiplinore.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi shkelje të neneve 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi caktim të masës së përkohshme.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata vlerësoi: (i) KGJK-ja kishte mbajtur dy seanca dëgjimore me praninë e përfaqësuesit të kërkesës dhe kryesuesit të Panelit Hetimore; (ii) KGJK-ja ka shpjeguar cilat lëndë kanë pasur prioritet gjatë periudhës kontestuese e që nuk janë adresuar nga parashtruesi i kërkesës; (iii) KGJK-ja po ashtu ka përcaktuar edhe bazën ligjore lidhur me trajtimin me prioritet të lëndëve të caktuara nga parashtruesi i kërkesës; dhe (iv) Gjykata Supreme në përgjithësi ka përvetësuar konstatimet e KGJK-së dhe duke vlerësuar se sanksioni i disiplinor i shqiptuar është proporcional dhe në përputhje me shkeljet e konstatuara si në raportin e Panelit Hetimor.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për diskriminim, Gjykata vlerëson nuk mund të spekulojë lidhur me kushtetutshmërinë e procedurave të zhvilluara në KGJK dhe në gjykatat e rregullta kundër gjyqtarëve tjerë, sidomos, kur merret parasysh se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë dhënë shpjegime të detajuara dhe të arsyetuara për masën disiplinore kundër parashtruesit të kërkesës.

Lidhur me kërkesën për caktim të masës së përkohshme, duke qenë se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur dëshmitë e nevojshme për vendosje të masës së përkohshme si dhe bazuar në faktin se Gjykata veçse ka konstatuar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar, e njëjta konstatoi se kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet bazuar në rregullat 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) dhe 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesë për masë të përkohshme) të Rregullores së punës

Gjykata konkludoi se pretendimet i parashtruesit të kërkesës shikuar në tërësi e tyre kategorizohen si pretendime të shkallës së katërt dhe duhet të refuzohen qartazi e pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Labinot Zekaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative