KI21/23, Parashtrues: “Kelkos Energy” sh.p.k. Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ. UZVP. nr. 119/22], të 16 dhjetorit 2022
KI21/23, Aktgjykim i 29 gushtit 2023, publikuar më 29 shtator 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, arsyetim i vendimit gjyqësor, interpretim qartazi i gabuar dhe arbitrar i ligjit, masë e sigurisë, masë e përkohshme, procedurë paraprake
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me vendimet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për dhënien e lejeve ujore dhe mjedisore bazuar në Ligjin nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës dhe Ligjin nr. 03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, të cilat i mundësuan parashtruesit të kërkesës të investojë përmes ndërtimit të infrastrukturës për hidrocentrale, për qëllime të kryerjes së aktivitetit përkatës afarist të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Tre qytetarë të Republikës së Kosovës kontestuan ligjshmërinë e këtyre vendimeve përmes padive të parashtruara në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke propozuar gjithashtu shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të lartcekura deri në zgjidhjen meritore të rastit në konflikt administrativ.
Çështja që ndërlidhet me shtyerjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara, përkatësisht procedurat që ndërlidhen me vendosjen e masës së sigurisë/masës së përkohshme, i është nënshtruar vendosjes dhe rivendosjes në gjykatat e rregullta, duke përfshirë nga dy herë në Gjykatë Themelore, atë të Apelit dhe Supreme. Më saktësisht (i) Gjykata Themelore, fillimisht miratoi, si të bazuar, propozimin e palëve paditëse dhe mori vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, përkatësisht lejeve ujore dhe mjedisore, derisa Gjykata Themelore të vendosë me vendim përfundimtar për meritat e rastit; (ii) pas ankesave përkatëse, përkatësisht atë të parashtruesit të kërkesës, Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Gjykata e Apelit, anuloi vendimin e Gjykatës Themelore, duke e kthyer lëndën në rivendosje; (iii) në procedurë të përsëritur, Gjykata Themelore sërish vendosi masën e sigurisë/përkohshme, duke pezulluar zbatimin e vendimeve të kontestuara; ndërsa (iv) Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesave përkatëse, ndryshoi vendimin e shkallës së parë, përkatësisht atë të Gjykatës Themelore, duke refuzuar propozimin e palëve paditëse që të shtyhet ekzekutimi i vendimeve të Ministrisë përgjegjëse për Ambientin.
Gjykata Supreme, duke vendosur lidhur me kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të palëve paditëse, e miratoi kërkesën e tyre si të bazuar, duke vërtetuar vendimin e shkallës së parë, përkatësisht duke lënë në fuqi masën e sigurisë/përkohshme. Ky vendim i Gjykatës Supreme, u kontestua në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar, ndër tjerash, shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në esencë, si rezultat i shkeljes të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor, zbatim arbitrar të ligjit dhe shkelje të të drejtës në pronë. Përmes Aktgjykimit KI202/21, me parashtrues të kërkesës “Kelkos Energy” sh.p.k., të publikuar më 15 nëntor 2022, Gjykata Kushtetuese vendosi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në esencë, si rezultat i shkeljes së të drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor. Gjykata Kushtetuese, ndër tjerash, (i) la në fuqi, vendimin e Gjykatës së Apelit bazuar mbi të cilin, ishte lejuar zbatimi i vendimeve të kontestuara të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë; dhe (ii) urdhëroi Gjykatën Supreme që ta njoftojë Gjykatën për masat e ndërmarra në zbatim të Aktgjykimit.
Pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Supreme, nxori një vendim të ri, përmes të cilit përsëriti të gjeturat e vendimit të saj paraprak, i cili ishte shpallur në kundërshtim me Kushtetutën sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI202/21. Të njëjtin vendim të Gjykatës Supreme parashtruesi i kërkesës sërish e kontestoi para Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit të gabuar të ligjit, në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe interpretimin e gabuar dhe arbitrar të ligjit, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, ashtu siç kishte bërë edhe në Aktgjykimin e saj paraprak, përkatësisht Aktgjykimin në rastin KI202/21, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi që vendosja e masave të sigurisë/përkohshme, gjegjësisht pezullimi i ekzekutimit të vendimeve deri në zgjidhje meritore të çështjes, duhet të jetë i arsyeshëm, proporcional dhe i bazuar në një arsyetim të detajuar të përmbushjes së kritereve të përcaktuara me ligjet e aplikueshme, përkatësisht, dispozitave përkatëse të Ligjit për Konfliktet Administrative.
Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi që përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, Gjykata Supreme as në vendimin e saj të ri nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve, përkatësisht vendosjen e masave të sigurisë/të përkohshme. Për më tepër, dhe përkundër faktit që mungesa e trajtimit të dispozitave të aplikueshme të Ligjit për Konfliktet Administrative ishte ngritur në mënyrë të vazhdueshme nëpër instanca gjyqësore, Gjykata Supreme thjeshtë kishte miratuar qëndrimin e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, duke mos shqyrtuar argumentet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, përfshirë ato që ndërlidhen me legjitimitetin aktiv të palëve përkatëse për të iniciuar konflikt administrativ sipas dispozitave të ligjit të aplikueshëm.
Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, përkatësisht [ARJ. UZVP. Nr. 119/22] i 16 dhjetorit 2022, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit dhe zbatimit arbitrar të ligjit, duke e kthyer rastin për rishqyrtim në Gjykatën Supreme. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, deri në vendimmarrjen e Gjykatës Supreme, në fuqi mbetet Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, i cili ka refuzuar kërkesën e palëve paditëse për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Gjykata në fund theksoi se, Aktgjykimi i saj është nxjerrë vetëm përkitazi me procedurën për pezullimin/shtyerjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara të Ministrisë përgjegjëse derisa gjykatat e rregullta të vendosin lidhur me meritat e padisë. Çështja e ligjshmërisë së vendimeve të lartcekura është në shqyrtim para gjykatave të rregullta dhe Aktgjykimi i Gjykatës në këtë rast në asnjë mënyrë nuk paragjykon vendimmarrjen e tyre lidhur me meritat e padisë ndaj vendimeve të kontestuara të Ministrisë përkatëse dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues.
“Kelkos Energy” sh.p.k.
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Administrative