KI148/22, Parashtrues: Musli Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme A.A.nr.6/2022 të 30 majit 2022
KI148/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 gushtit 2023, publikuar më 20 shtator 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë disiplinore, prokurori i shtetit
Lidhur me rrethanat të rastit konkret, Gjykata rikujton se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), parashtruesit të kërkesës i kishte shqiptuar sanksionin disiplinor Vërejtje publike me shkrim, në bazë të rekomandimit të panelit hetimor, pasi që ishte vërtetuar se parashtruesi i kërkesës ka përgjegjësi disiplinore sepse me rastin e përshkrimit të gjendjes faktike ne diapozitivin e aktakuzës nuk ka marr parasysh provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese gjate hetimit te krimit se viktima ishte e ndjeshme dhe se viktima ishte goditur me mjet të fortë prerës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të KPK-së, e cila ankesë ishte refuzuar si e pabazuar si dhe ishte vërtetuar vendimi KPK.Nr.510/2022 i 14 prillit 2022 i KPK-së.
Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës në esencë pretendoi se Gjykata Supreme i ka shkelë të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak se nuk ka bërë vërtetim të plotë dhe të saktë të fakteve si dhe është zbatuar gabimisht Ligji për Prokurorin e Shtetit , duke arsyetuar […] “…se vendimi i KPK-së nr.510/2022 i 14.04.2022 është nxjerrë në kundërshtim me nenin 13 paragrafi 7 të Ligjit nr.03/L-034, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-225 për prokurorin e shtetit, me Ligjin nr.06/L-057 për përgjegjësit disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përkatësisht nenit 6 paragrafi 2.6. Si dhe në kundërshtim me nenin 46 dhe 47 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili shprehimisht ka paraparë se prokurori vendimin e merr në mënyrë të pavarur ”.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ.
Gjykata vërejti se Gjykata Supreme kishte arsyetuar në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimin përkatës, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata vlerësoi se çështja e interpretimit të ligjit është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës.
Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm lidhur me aplikimin e gabuar të ligjit janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Musli Gashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative