Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml.nr.9/2022, të 19 janarit 2022

Nr. të lëndës KI77/22

Parashtruesit: Nuredin Sylejmani

Shkarko:

KI77/22, Parashtrues: Nuredein Sylejmani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml.nr.9/2022, të 19 janarit 2022

 Fjalët kyç: kërkesë individuale, vendim i arsyetuar, e drejta e legalitetit dhe proporcionalitetit, kërkesë qartazi e pabazuar

Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me akuzat ndaj  parashtruesit të kërkesës [dhe tre personave te tjerë] nga PSRK-ja për pjesëmarrje në kuadër të grupit terrorist “Al Nusra” në periudhën 10 -23 mars 2013, me ç’ rast u akuzua për kryerjen e veprës penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist bazuar paragrafin 2 të nenit 143 (Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Kodi nr. 04/L-082 (në tekstin në vijim: KPRK). Gjykata Themelore e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” dhe e dënoi me burgim me kohëzgjatje prej tre (3) viteve si dhe të paguajë shumën prej njëqind (100.00 euro) dhe pesëdhjetë  (50.00 euro), në emër të paushallit gjyqësor. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës dhe PSRK-së, Gjykata e Apelit refuzoi ankesat dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Përfundimisht, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar Gjykata Supreme. Bazuar ne kërkesën e parashtruesit të datës 1 dhjetor 2021, për bashkimin e dënimeve, më 20 prill 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktgjykimit [KP.nr. 91/2022], ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Kolegjit Shqyrtues [KP.nr.373/2021] të 11 qershorit 2021 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special [PS.nr.33/2020] të 22 prillit 2021, duke i shqiptuar parashtruesit të kërkesës dënim unik me burg në kohëzgjatje prej shtatë (7) vite e dhjete (10) muaj si dhe dënim me gjobë në shumën prej njëmijë e tetëqind (1800.00) euro.

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta, duke ngritur: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, duke pretenduar shkelje të garancive procedurale të garantuara me këto nene, duke theksuar: (i) mos-arsyetim të vendimit gjyqësor si rezultat i mos-shqyrtimit të argumenteve të parashtruesit të kërkesës, si dhe administrimit të provave të papranueshme; (ii) shkelje të parimit të kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve,  (II) shkelje të nenit 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në rastet Penale] të Kushtetutës në lidhje me nenin 7 (Nuk ka dënim pa ligj) të KEDNJ-së, si rezultat i mosdhënies së një arsyetimi adekuat, lidhur me mos-përcaktimin e momentit të kundërligjshmërisë; dhe  pretendimet për (III) shkelje të nenit 34 [E drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër] të Kushtetutës në lidhje me nenin 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të KEDNJ-së.

Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 34 [E drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër] të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se përderisa mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës kishte dorëzuar në Gjykatën Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktgjykimit [P.S.nr.33/20] të 22 prillit 2021, të Gjykatës së Apelit, i njëjti nuk rezulton që pretendimet e parashtruesit të kërkesës për sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 34 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 4 të Protokollit Nr. 7 të KEDNJ-së, të jenë ngritur në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar në Gjykatën Supreme. Prandaj, Gjykata konstaton se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës refuzohet si i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores se punës.

Gjykata në vijim sqaroi që pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] për sa i përket mos-përcaktimit të momentit të kundërligjshmërisë, në thelb ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Rrjedhimisht, Gjykata i shqyrtoi këto pretendime si të ndërlidhura.

Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës ka përfituar nga e drejta për të pranuar vendim të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Gjykata gjithashtu vlerësoi se gjykatat e rregullta e kanë qartësuar momentin e kundërligjshmërisë të veprimeve të parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, ndaj të njëjtit janë përmbushur garancitë procedurale të nenit 33 të Kushtetutës në lidhje me nenin 7 të KEDNJ-së. Prandaj, ky pretendim i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e nenin 31 për mos–arsyetim të vendimit gjyqësor, si dhe nenit 33 të Kushtetutës, për mos përcaktim të momentit të kundërligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës, është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, prandaj kjo pjesë e kërkesës shpallet e papranueshme në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Nuredin Sylejmani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale