Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev.nr.103/2022 të 30 marsit 2022

Nr. të lëndës KI82/22

Parashtruesit: Valon Loxhaj

Shkarko:

KI82/22, Parashtrues: Valon Loxhaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr.103/2022], të 30 marsit 2022

KI82/22, Aktgjykim i 7 qershorit 2023, publikuar më 29 qershor 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e pranueshme, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për një vendim të arsyetuar, res judicata, seancë publike dëgjimore, shkelje e të drejtës për një vendim të arsyetuar.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pune, përkatësisht largimin e parashtruesit të kërkesës nga vendi i punës si Zyrtarit Kreditor në ProCredit Bank, më 15 dhjetor 2010. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatë Komunale në Prishtinë duke kërkuar (i) kthim në vendin e mëparshëm të punës; si dhe (ii) kompensim të të ardhurave personale të papaguara së bashku me kërkesat tjera aksesore. Gjykata Komunale e kishte miratuar si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke urdhëruar (i)  kthimin e parashtruesit të kërkesës në vendin e mëparshëm të punës; si dhe  (ii) kompensimin e të ardhurave personale mujore të papaguara dhe kërkesat tjera aksesore. Pas ankesës së palës së paditur ProCredit Bank, Gjykata e Apelit (i) kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Komunale sa i përket kthimit në vendin e punës; ndërsa (ii) kishte urdhëruar që çështja që ndërlidhet me kompensimin e të ardhurave personale të parashtruesit të kërkesës të kthehet në rivendosje. Në procedurën e rivendosjes, Gjykata Themelore në Prishtinë sërisht kishte miratuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e një pjese të të ardhurave personale të papaguara për periudhën 2012 deri 2016, ndërsa e kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për pjesën tjetër të të ardhurave personale që gjithashtu ndërlidheshin me të ardhurat që njëjti kishte realizuar për periudhën 1 shtator 2012 deri 30 shtator 2016, si anëtar Bordi në kompaninë regjionale “Ambienti” sh.a. Pas ankesave të parashtruesit të kërkesës dhe palës së paditur, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme duke kërkuar (i) pagesën e të ardhurave personale nga 15 dhjetori 2010 deri në 31 gusht 2012; si dhe (ii) dallimin në të ardhura personale përkitazi me periudhën nga 1 shtatori 2012 deri më 30 shtator 2016. Gjykata Supreme kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës.

Në procedurë para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës i kontestoj vendimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të neneve  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe duke theksuar, ndër tjerash, se (i) ProCredit Bank në mënyrë të kundërligjshme e largoi atë nga puna; dhe se (ii) gjykatat e rregullta nuk i kishin akorduar kompensim përkitazi me periudhën nga 15 dhjetori 2010 deri me 31 gusht 2012 dhe i kishin reduktuar pagesën e pagave si rezultat i të ardhurave në mënyrë të paqartë dhe të paarsyetuar duke përfshirë gjatë periudhës që kishte përfituar të hyra nga “Ambieni” sh.a. gjatë periudhës nga 1 shtatori 2012 deri më 30 shtator 2016.

Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kuadër të së drejtës për një vendim të arsyetuar, siç garantohet me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë  kontekst  (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar siç është e garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Në këtë  kontekst, Gjykata fillimisht vuri theks në faktin që anulimi dhe shpallja e kundërligjshme e njoftimit të të paditurës ProCredit Bank të 15 dhjetorit 2010 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës dhe kthimi i të njëjtit në vendin e mëparshëm të punës, janë çështje të gjykuara, përkatësisht  res judicata, sepse përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1955/13] të 27 qershorit 2016 të Gjykatës së Apelit, ishte vërtetuar Aktgjykimi  përkatës i Gjykatës Komunale, ndërsa rasti ishte kthyer në rivendosje vetëm sa i përket kompensimit të pagave të parashtruesit të kërkesës. Ndërsa, për sa i përket të drejtës për vendim të arsyetuar, Gjykata konstatoi që në rrethanat e rastit konkret, gjykatat e rregullta kishin dështuar të adresojnë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës lidhur me (i) kompensimin e të ardhurave që burojnë nga marrëdhënia e punës, ndërprerja e të cilës ishte vërtetuar si e kundërligjshme përmes vendimeve të formës së prerë, për periudhën prej 15 dhjetorit 2010 deri 31 gusht 2012; (ii) vlerësimin të kompensimit të nevojshëm të të ardhurave për periudhën prej 31 gushtit 2012 deri 30 shtator 2016 përgjatë të cilës parashtruesi i kërkesës kishte realizuar të ardhura edhe nga kompania regjionale “Ambienti” sh.a.. Gjykata, duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore, ritheksoi që përderisa nuk është  detyrim i gjykatave që të adresojnë dhe arsyetojnë secilin pretendim të palëve përkatëse, ato megjithatë kanë detyrimin kushtetues që të adresojnë dhe arsyetojnë, pretendimet thelbësore të palëve. Gjykata theksoi që në rrethanat e rastit konkret, ky nuk ishte rasti.

Për pasojë, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se (i) Aktgjykimi [Ac. nr. 1955/13] i Gjykatës së Apelit i 27 janarit 2016 lidhur me anulimin e njoftimit të 15 dhjetorit 2010 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe kthimin në vendin e mëparshëm të punës, është res judicata, ndërsa (ii) Aktgjykimi [REV.nr.103/2022] i Gjykatës Supreme i 30 marsit 2022 në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 504/19] të Gjykatës së Apelit  dhe Aktgjykimin [C. nr. 1507/16] e Gjykatës Themelore  në Prishtinë të 22 tetorit 2018, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1  të nenit  6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së një vendimi gjyqësor të arsyetuar, dhe për pasojë, shpallen të pavlefshme dhe çështja kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

 

Parashtruesit:

Valon Loxhaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile