Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, [AC-I-22-0713-A0001], të 26 janarit 2023 për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Nr. të lëndës KI 29/23

Parashtruesit: Bashkim Kuquku

Shkarko:

KI29/23, Parashtrues: Bashkim Kuquku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-22-0713-A0001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 26 janarit 2023

KI29/23, Aktvendim për papranueshmëri i 22 majit 2023, publikuar më 13 qershor 2023

Fjalët kyçe: kërkesa individuale, qasja në drejtësi, taksa gjyqësore, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në ndërmarrjen shoqërore “Lavërtaria-Blegtoria” në Prizren, nga viti 1984 deri më 2014 kur u njoftua për largimin nga puna për shkak të procesit të privatizimit. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë kreditore te Autoriteti i Likuidimit për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën kohore nga viti 2004 deri më 2014, në shumën prej 23.112.00 euro. Kërkesa e tij u refuzua me arsyetimin se ajo ishte parashkruar. Pas kësaj, ai dorëzoi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, dhe argumentoi se parashkrimi nuk parashihej për kërkesat nga marrëdhënia e punës në procesin e likuidimit të ndërmarrjes. Dhoma e Posaçme refuzoi padinë si të pabazuar, dhe arsyetoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte filluar asnjë procedurë gjyqësore në lidhje me kërkesat e tij, prandaj nuk mund t’i drejtohej Autoritetit të Likuidimit. Parashtruesi ushtroi ankesë në Kolegjin e Apelit, por kjo e fundit nuk ia trajtoi fare dhe e konsideroi të tërhequr ankesën, për shkak të mos pagesës së taksës gjyqësore. Kolegji i Apelit vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paguar taksën përkundër vërejtjes që e kishte pranuar, dhe as nuk kishte bërë kërkesë për lirim nga pagesa.

Parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatë me pretendimin se Kolegji i Apelit ia mohoi të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], në lidhje me nenin 6 [E Drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht “qasjen në drejtësi”.

Gjykata vlerësoi se, Kolegji i Apelit e konsideroi të tërhequr ankesën e parashtruesit të kërkesës për shkak të mos pagesës së taksës gjyqësore, e cila parashihej nga Udhëzimi Administrativ [nr.1/2017] i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Sipas këtij udhëzimi, nëse taksa për padi, e përcaktuar sipas vlerës së kontestit në padi, nuk paguhet deri në datën përfundimtare, edhe pas pranimit të vërejtjes për pagesën e saj, në rastet kur nuk ekzistojnë kushtet për lirimin e palës nga detyrimi i pagesës, do të konstatohet se padia është tërhequr. Në rastin konkret, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paguar taksën e përcaktuar gjyqësore, edhe përkundër vërejtjes që e kishte pranuar, dhe as nuk kishte bërë kërkesë për lirim nga pagesa. Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se vendimi i Kolegjit të Apelit ishte në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, nuk ishte arbitrar dhe as i paarsyeshëm.

Gjykata konkludoi se (I) pretendimet për shkelje të nenit 24, 31 dhe 54 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, përkitazi me mohimin e të drejtës për “qasje në drejtësi”, i përkasin kategorisë së dytë (ii) të pretendimeve që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”,  andaj, si të tilla këto pretendime në baza kushtetuese deklarohen qartazi të pabazuara.

Parashtruesit:

Bashkim Kuquku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile