Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shtetit KMLC. nr. 73/2022, të 10 gushtit 2022, si dhe Aktgjykimit Ac. nr. 3624/21, të 20 prillit 2022, të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI201/22

Parashtruesit: Nazmi Uka

Shkarko:

KI201/22, Parashtrues: Nazmi Uka, vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shtetit KMLC. nr. 73/2022, të 10 gushtit 2022, si dhe Aktgjykimit Ac. nr. 3624/21, të 20 prillit 2022, të Gjykatës së Apelit

KI201/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2023, publikuar më 19 maj 2023

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, pagat jubilare, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit për pagesën e tri pagave jubilare me rastin e daljes së tij në pension, ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, në rastin konkret si punëdhënës. Pas kërkesës që parashtruesi i drejtoi Korporatës Energjetike të Kosovës për pagesën e tri pagave jubilare, nga shkresat e lëndës rezulton se kjo e fundit nuk u përgjigj në kërkesën e parashtruesit. Parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për pagesën e tri pagave jubilare nga ana e punëdhënësit, në rastin konkret Korporata Energjetike të Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se bazuar në paragrafin 5 të nenit 90 të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës, ku parashihet se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive vlen vetëm për ata punëdhënës e punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet kolektive, dhe nuk i obligon ata që nuk i marrin përsipër detyrimet që rrjedhin nga kjo e fundit, siç është rasti në rastin konkret. Për më tepër, Gjykata Themelore në arsyetim konstatoi se në rastin konkret kërkesa e parashtruesit është parashkruar. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit refuzoi ankesën si të pabazuar, duke e mbështetur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës më pas parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për Mbrojtje të Ligjshmërisë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit kundër dy aktgjykimeve të instancave më të ulëta. Zyra e Prokurorit të Shtetit njoftoi parashtruesin e kërkesës se nuk kishte bazë të mjaftueshme për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e Drejtave], si dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut .

Në thelb parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se me vendimet e gjykatave të rregullta, duke përfshirë shprehimisht edhe Njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Shtetit, gjendja faktike nuk është vërtetuar drejtë dhe për rrjedhojë, këto të fundit nuk kanë zbatuar drejt të drejtën materiale.

Gjykata në vlerësimin e kritereve të pranueshmërisë, i vlerësoi veç e veç Njoftimin e Prokurorit të Shtetit dhe Aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Përkitazi me Njoftimin e Prokurorit të Shtetit, Gjykata (i) shtjelloi dhe aplikoi parimet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me nivelin e aplikueshmërisë së garancive që ndërlidhen me vendimin e arsyetuar gjyqësor dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale,  në njoftime të tilla të Prokurorit të Shtetit. Në këtë kontekst, Gjykata konkludoi se (i) Njoftimi i Prokurorit të Shtetit ka përmbushur detyrimin kushtetues për të ofruar një vendim të “mjaftueshëm të arsyetuar” gjyqësor në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) pretendimet për zbatim të gabuar të së drejtës material, parashtruesi nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë para Gjykatës pretendimin e tij se si Zyra e Prokurorit të Shtetit gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se Aktgjykimi [Ac. nr. 3624/21] i 20 prillit 2022 i Gjykatës së Apelit, shkel të drejtat e garantuara me Kushtetutë, Gjykata gjatë vlerësimit nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, konstatoi se kërkesa është parashtruar jashtë afatit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Nazmi Uka

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile