Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0867-A001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 10 marsit 2022

Nr. të lëndës KI41/22

Parashtruesit: Shkumbin Qehaja

Shkarko:

KI41/22, Parashtrues: Shkumbin QehajaVlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0867-A001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 10 marsit 2022  

KI41/22, Aktgjykim i 4 prillit 2023, publikuar më 16 maj 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mosmbajtje e seancës dëgjimore, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një padi të ushtruar nga parashtruesi i kërkesës kundër Radiotelevizionit të Prishtinës, për vërtetimin e të drejtës pronësore mbi një ngastër kadastrale në Prishtinë, e cila nga shkresat e lëndës rezulton të jetë në pronësi shoqërore. Parashtruesi i kërkesës dhe përfaqësuesit e Radiotelevizionit të Prishtinës, më 10 prill 2019 kishin arritur pajtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe më pas prona e kontestuar kishte kaluar në pronësi të parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, më 28 tetor 2019, Agjencia Kosovare e Privatizimit, si përfaqësuese e ndërmarrjeve shoqërore, kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar anulimin e pajtimit gjyqësor, me theks në kontestimin e kompetencës së Gjykatës Themelore në Prishtinë në këtë proces gjyqësor. Agjencia Kosovare e Privatizimit pretendoi se, duke pasur parasysh që objekt i pajtimit gjyqësor ka qenë paluajtshmëria e cila është në pronësi shoqërore dhe administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka pasur kompetencë lëndore lidhur me rastin, andaj, kjo e fundit është dashur që lëndën ta përcjellë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Në trajtimin e padisë së Agjencisë së lartcekur, Gjykata Themelore në Prishtinë u shpall jokompetente dhe lëndën e dërgoi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për shqyrtim të mëtejmë. Parashtruesi i kërkesës përmes përgjigjes në padinë e ushtruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kishte kërkuar edhe mbajtjen e seancës dëgjimore. 

Më pas, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme aprovoi padinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndër të tjera, me arsyetimin se pajtimi gjyqësor nuk mund të prodhojë efekte juridike sepse është nxjerrë nga Gjykata Themelore e cila në rastin konkret nuk ka pasur kompetencë lëndore për t’u marrë me çështjen dhe për më tepër, personat të cilët kanë nënshkruar në emër të Radiotelevizionit të Kosovës, nuk kanë pasur autorizim specifik nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme refuzoi kërkesën përkatëse për mbajtjen e seancës dëgjimore. Përmes ankesës së parashtruar në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kundër vendimit të lartpërmendur, sërish kërkoi mbajtjen e seancës dëgjimore. Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, si dhe kërkesën për mbajtjen e një seance dëgjimore lidhur me rastin. Këtë Aktgjykim, parashtruesi i kërkesës e konteston para Gjykatës, duke theksuar se i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar, në thelb, se deri tek shkelja e të drejtave të tij të mbrojtura me Kushtetutë ka ardhur si rezultat i refuzimeve për mbajtjen e seancës dëgjimore në dy nivele të vendimmarrjes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur, Gjykata u fokusua në pretendimet që kishin të bënin me mungesën e seancës dëgjimore në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe në këtë kontekst (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën në seancë dëgjimore siç është e garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, në bazë të pesë (5) aktgjykimeve të saj në rastet e ish-ndërmarrjes “Agimi”,  Aktgjykimin në rastin KI108/22, parashtrues Metalinvest SH. A.” si dhe rasteve tjera të natyrës së njëjtë si dhe, ndër të tjera, në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë”, ritheksoi parimet kryesore përkitazi me (i) të drejtën në seancë dëgjimore para gjykatave të shkallës së parë; (ii) të drejtën në seancë dëgjimore para gjykatave të shkallës së dytë dhe të tretë; (iii) parimet në bazë të të cilave duhet të vërtetohet se a është seanca dëgjimore e domosdoshme; dhe (iv) nëse nuk është mbajtur seanca dëgjimore në shkallën e parë, a mund të korrigjohet me mbajtjen e seancës dëgjimore në një shkallë më të lartë dhe kriteret relevante për bërjen e këtij vlerësimi.

Në bazë të këtyre parimeve, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar [AC-I-21-0867-A001] i 10 marsit 2022 i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në kuptim të së drejtës në seancë dëgjimore, ndër të tjera, për shkak se (i) parashtruesi i kërkesës ka kërkuar shprehimisht që nëse shihet e nevojshme për sqarimet të mëtutjeshme të mbahet një seancë dëgjimore publike para Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, duke krijuar kështu detyrimin që ky Kolegj të trajtojë domosdoshmërinë e mbajtjes së seancës dëgjimore, detyrim ky të cilin në fakt, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, bazuar në ligjin e aplikueshëm, e ka edhe sipas detyrës zyrtare; dhe (ii) Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme nuk kishte trajtuar “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës teknike”, çështje këto bazuar në të cilat do të mund të kishin ekzistuar “rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore” në dy shkallë vendimmarrje në kuadër të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Siç është sqaruar më lart, Gjykata tashmë përmes aktgjykimeve të saj në rastet e ish-ndërmarrjes “Agimi”,  Aktgjykimin në rastin KI108/22, parashtrues Metalinvest SH. A.” si dhe rasteve tjera të natyrës së njëjtë ka konstatuar shkelje procedurale në procedurat para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme si rezultat i mostrajtimit, refuzimit dhe mungesës së arsyetimit të mosmbajtjes së seancave dëgjimore në dy shkallë vendimmarrjeje.

Si rezultat i kësaj, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i lartpërmendur i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme nuk është në përputhshmëri me garancitë kushtetuese dhe për pasojë, ktheu çështjen në rivendosje. Gjykata gjithashtu theksoi se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale, përkatësisht mungesën e seancës dëgjimore në dy instanca vendimmarrëse dhe se, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet dhe nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim mospajtues.

Parashtruesit:

Shkumbin Qehaja

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile