Parashtrues Pal Gruda dhe Zef Gruda; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PA-Il. nr. 2/2020, të 8 tetorit 2020.
KI16/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 prillit 2023, publikuar më 15 maj 2023.
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, qartazi e pabazuar, kërkesë e parakohshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurën penale e cila është iniciuar dhe zhvilluar kundër personave T. K., K. K., GJ. K., M. K., B. B., Gj. K., G. K., për kryerjen e veprave penale të ndëshkueshme nga neni 267, 274, 300, 208, 343 dhe 374 në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal, në të cilin rast – parashtruesit e kërkesës ishin palë e dëmtuar.
Parashtruesit e kërkesës i kontestojnë vendimet e gjykatave të rregullta të nxjerra në procedurat gjyqësore të zhvilluara kundër të akuzuarve T. K., K. K., GJ. K., M. K., B. B., Gj. K., dhe G. K., ku parashtruesit e kërkesës paraqiten si palë e dëmtuar në lëndën [PKR. nr. 76/18] e cila është zhvilluar në Gjykatën Themelore. Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se të akuzuarit e lartpërmendur duke vepruar si grup i organizuar e duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personave të ndryshëm, përfshirë edhe parashtruesit e kërkesës iu kishin huazuar atyre shuma të parave dhe më pas i kishin detyruar ata që të paguajnë kamatat joproporcionale.
Në procedurën e zhvilluar penale ndaj T.K., K.K., GJ.K., M.K., B.B., Gj. K., G.K., këta të fundit përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me gjobë në një shumë të caktuar të hollash, përderisa parashtruesi i kërkesës në cilësinë e palës së dëmtuar ishte udhëzuar në kontest civil. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte ndryshuar pjesërisht nga ana e Gjykatës se Apelit ashtu që i shpalli fajtorë të akuzuarit duke e ashpërsuar dënimin me burgim dhe me gjobë ndaj tyre dhe udhëzoi palët e dëmtuara në kontest civil. Pas ankimimit, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [PA-II. nr. 2/2020] anulon vendimin e Gjykatës së Apelit dhe ktheu rastin në rigjykim në Gjykatën e Apelit. Për pasojë, parashtruesit e kërkesës para Gjykatës kontestojnë Aktvendimin e Gjykatës Supreme që ndërlidhet me një “akuzë penale” kundër disa personave të tretë, gjegjësisht T. K., K. K., GJ. K., M. K., B. B., Gj. K., G. K., me pretendimin se janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese, te garantuar me nenin 31, 32 dhe 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës konkretisht pretendojnë se përgjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në gjykatat e rregullta ishin përjashtuar nga mundësia që në cilësinë e palës së dëmtuar të merrnin pjesë në procedurat gjyqësore të zhvilluara në gjykatat e rregullta dhe të paraqitnin ankesat/pretendimet e tyre, e gjitha kjo sipas tyre përben shkelje të nenit 31 dhe 32 të Kushtetutës. Nder te tjera, parashtruesit e kërkesës theksojnë se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit nuk ia kanë dorëzuar parashtruesve të kërkesës vendimet e nxjerra siç i detyron paragrafi 2 i nenit 388 të Kodit të Procedurës Penale, në mënyrë që parashtruesit e kërkesës të kishin mundësinë që të paraqesin pretendimet e tyre përgjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore, respektivisht të përgjigjen në ankesat e të akuzuarve. Sa i përket çështjes lidhur me kërkesën pasurore juridike, parashtruesi i kërkesës ka ngritur këtë çështje duke pretenduar në esencë shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Në lidhje me këto pretendime, Gjykata vërejti fillimisht se parashtruesit e kërkesës (i) kanë pranuar Aktgjykimin [PKR. nr. 76/18] e 24 majit 2019 me 27 dhe 28 qershor 2019; (ii) kanë marrë pjesë në seancën e 22 janarit 2020 të Gjykatës se Apelit dhe kishin patur mundësin që të ngrinin pretendime lidhur me rastin e tyre; (iii) si dhe kanë marrë pjesë edhe në seancën e zhvilluar në ri-procedurë në Gjykatën e Apelit. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoj se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 dhe 32 të Kushtetutës refuzohet si qartazi i pabazuar në baza kushtetuese. Ndërsa lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të protokollit nr. 1 të KEDNJ-së lidhur me realizimin e kërkesës pasurore juridike, Gjykata e deklaroj si të parakohshme.
Pal Gruda dhe Zef Gruda
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale