KI67/22, Parashtrues Zeqirja Prebreza, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [CA. Nr. 1343/2021] të 29 dhjetorit 2021, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI67/22, Aktgjykim i 4 prillit 2023, publikuar më 10 maj 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia e armëve, parimi i kontradiktoritetit procedural
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për njohjen e të drejtës në kompensim të tri pagave jubilare. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, ndërsa duke vepruar sipas ankesës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Gjykata e Apelit ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Bazuar në shkresat e lëndës përkatëse, në ankesën e paraqitur para Gjykatës së Apelit nga Korporata Energjetike e Kosovës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje në ankesë, megjithatë, Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, të njëjtën nuk e kishte shqyrtuar, për më tepër, kishte konstatuar që një e tillë nuk ishte paraqitur nga parashtruesi përkatës.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të mbrojtura me (i) paragrafët 1 dhe 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit]; (ii) paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) paragrafin 1 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në esencë, për shkak të: (i) mungesës së shqyrtimit të përgjigjes së tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare dhe si pasojë, shkeljes së parimit të “barazisë së armëve”; (ii) zbatimin e gabuar të ligjit; si dhe (iii) mungesës të konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit.
Gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata u fokusua në pretendimet që kishin të bënin me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit”, si rezultat i mos shqyrtimit nga Gjykata e Apelit të përgjigjes së parashtruesit të kërkesës ndaj ankesës së palës kundërshtare, duke elaboruar fillimisht (i) parimet e përgjithshme përkitazi me “barazinë e armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, të garantuara me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Bazuar në këto parime, Gjykata së pari sqaroi që një përgjigje në ankesë ishte paraqitur nga parashtruesi i kërkesës brenda afatit ligjor dhe vlerësoi se, Gjykata e Apelit për shkak të mos shqyrtimit të përgjigjes në ankesë përmes Aktgjykimit [CA. Nr. 1343/2021] të 29 dhjetorit 2021, ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të “barazisë se armëve” dhe “parimin e kontradiktoritetit” procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis palës kundërshtare, dhe si pasojë është privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe përmbajtjesor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga pala kundërshtare.
Si rezultat i kësaj, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit duhet të deklarohet i pavlefshëm dhe rasti të kthehet në rivendosje në Gjykatën e Apelit. Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale lidhur me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, përkatësisht mungesën e shqyrtimit të përgjigjes në ankesë nga ana e Gjykatës së Apelit dhe se, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet dhe nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues.
Zeqirja Prebreza
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile