Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës Rev. nr. 70/2022 të 6 majit 2022

Nr. të lëndës KI161/22

Parashtruesit: Ekrem Breznica

Shkarko:

KI161/22, parashtruesi Ekrem Breznica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës Rev. nr. 70/2022 të 6 majit 2022

KI161/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 marsit 2023, publikuar më 04 maj 2023.

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura

Rrethanat e rastit konkret i referohen ankesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës në Komisionin e Policisë për Ankesa dhe Shpërblime kundër vendimit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor të Policisë së Kosovës, i cili e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e kundërvajtjes disiplinore dhe i shqiptoi masë disiplinore. Komisioni i Policisë për Ankesa dhe Shpërblime e hodhi poshtë ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, me arsyetimin se vendimi i kontestuar nuk bazohej në gabime faktike dhe materiale. Parashtruesi i kërkesës u ankua në Gjykatën Themelore kundër vendimit të Komisionit të Policisë për Ankesa dhe Shpërblime. Gjykata Themelore e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit, duke anuluar si të kundërligjshme vendimet e Komisionit të Brendshëm Disiplinor të Policisë së Kosovës dhe Komisionit Policor për Ankesa dhe Shpërblime dhe anuloi dënimin e shqiptuar disiplinor. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore, Policia e Kosovës, përkatësisht MPB-ja parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e MPB-së si të pabazuar dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se vendimi i kontestuar nuk ka karakteristika të shkeljes esenciale procedurale dhe se e drejta materiale është zbatuar drejt. MPB-ja parashtroi  kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe të Apelit për shkak të  vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata Supreme aprovoi si të bazuar  revizionin e MPB-së, në atë mënyrë që ndryshoi vendimin e Gjykatës Themelore dhe të Apelit dhe refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për anulimin e vendimit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor të Policisë së Kosovës dhe Komisionit të Policisë për Ankesa dhe Shpërblime.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së, si dhe nenin 10 të DUDNJ-së.

Gjykata Kushtetuese fillimisht ka vlerësuar kriteret për pranueshmërinë e kërkesës, sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke pasur parasysh se parashtruesi ka qenë pale e autorizuar, ka shteruar mjetet juridike në dispozicion, ka sqaruar nenet e Kushtetutës dhe aktine  organit të autoritetit publik që e konteston në Gjykatë dhe kërkesa është dorëzuar brenda afatit prej katër muajve. Gjykata shqyrtoi pretendimet kryesore të parashtruesit në lidhje me shkeljet e pretenduara, duke zbatuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në rrethanat e rastit konkret, duke konsideruar se konkluzionet e gjykatave të rregullta janë bërë pas shqyrtimit të detajuar të të gjitha argumenteve të paraqitura nga parashtruesi, prandaj, si përfundim, Gjykata konstatoi se vendimi i Gjykatës Supreme është i qartë dhe se me të janë shqyrtuar në thelb të gjitha pretendimet kryesore të paraqitura nga parashtruesi I kërkesës. Parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, përmendi edhe shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese dhe të drejtave të garantuara me DUDNJ, megjithatë parashtruesi nuk ka dhënë asnjë shpjegim në kërkesën e tij se si janë shkelur këto garanci.

Rrjedhimisht, Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha sqarimet e dhëna në vendim, konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, që kanë të bëjnë me lejueshmërinë e revizionit hyjnë në kategorinë e dytë të pretendimeve me (ii) „mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes“ ndërsa çështjet e vërtetimit të fakteve dhe zbatimit të ligjit, i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj në baza kushtetuese të njëjtat duhet të deklarohen si qartazi të pabazuara, ndërsa pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e neneve 32, 46 të Kushtetutës dhe nenit 10 të DUDNJ-së, i përkasin gjithashtu kategorisë së tretë të pretendimeve (iii)  „të pambështetura apo të paarsyetuara, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht ka cekur dispozitën e Kushtetutës, pa arsyetuar se si ka ardhur deri te shkelja e neneve të përmendura.

Parashtruesit:

Ekrem Breznica

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale