Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E. Rev. nr. 60/2021, të 6 qershorit 2022 

Nr. të lëndës KI112/22

Parashtruesit: “Suva Rechtsabteillung”

Shkarko:

KI112/22, Parashtrues:  “Suva Rechtsabteillung” Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E. Rev. nr. 60/2021, të 6 qershorit 2022 

KI112/12, Aktvendimi për papranueshmëri i 8 dhjetorit 2022, publikuar më  28 dhjetor 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendimet të pambështetura.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një aksident i cili kishte ndodhur në vitin 2011. Ai ishte shkaktuar nga i siguruari i Kompanisë se Sigurimeve “Illyria”, ndërsa i siguruari i parashtruesit të kërkesës S.Sh.A., kishte pësuar lëndime fizike. Përgjegjësia për aksidentin kishte rënë mbi të siguruarin e kompanisë së sigurimit “Illyria”. Parashtruesi i kërkesës e kishte kompensuar të siguruarën e tij, përkatësisht S.Sh.A., në shumën prej 132,852,80 euro, në emër të trajtimit mjekësor dhe kompensimit për shkak të paaftësisë në punë. Përkitazi për ketë shumë në vitin 2012, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Kompanisë së sigurimeve “Illyria” me kërkesën për kompensim mbi bazën e të drejtës në subrogim dhe në mungesë të një marrëveshjeje, iu drejtua Gjykatës Themelore përmes padisë. Kërkesa për kompensim të dëmit material ishte aprovuar nga Gjykata Themelore, dhe ishte caktuar kamata në lartësi prej 8% (tetë për qind) në vit, duke filluar nga 5 shkurti 2014 deri në pagesën definitive. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit të saj, arsyetoj përcaktimin e kamatës ndëshkuese prej 8% (tetë për qind) në vit, duke u bazuar në nenin 305 dhe 382 të Ligjit nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit kishte konfirmuar të drejtën e parashtruesit në kompensimin përkatës mbi bazën e subrogimit, por kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore përkitazi me shpenzimet e procedurës, duke e detyruar Kompaninë e Sigurimeve “Illyria” që të paguajë shpenzimet e procedurës  në lartësi prej 7,932.00 euro. Gjykata Supreme gjithashtu përfundimisht kishte konfirmuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës në kompensimin përkatës mbi bazën e subrogimit, por kishte ndryshuar  Aktgjykimin e Gjykatës Themelore edhe asaj të Apelit, përkitazi me  kamatën. Gjykata Supreme kishte vendosur që Kompania e sigurimeve “Illyria” shumën e kompensimit në vlerë prej 94, 154.22 euro, të aprovuar sipas Aktgjykimit [IV. EK. nr.  581/2014] të 4 qershorit 2020, të Gjykatës Themelore, ta paguaj kamatën të cilën e paguajnë bankat vendore si për deponimet në kursim, në afat mbi një vit e pa destinim të përcaktuar, duke e llogaritur nga 5 shkurti 2014, e deri në pagesën definitive, duke u bazuar në dispozitat e nenit 186 dhe 277 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve të viti 1978 si dhe duke u bazuar në pjesën e parë, pika I të Mendimit Juridik [nr.265/2020] të Gjykatës Supreme, të 1 dhjetorit 2020, me arsyetimin se  aksidenti ka ndodhur para vitit 2012 dhe ky fakt përjashton mundësinë e aplikimit të Ligjit nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve siç kishte vepruar Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.

Parashtruesi i kërkesës i kontestoj konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme para Gjykates,  duke specifikuar se Aktgjykimi i kontestuar është i përfshirë në shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me aplikueshmerinë e ligjit në lidhje me kamatëvonesën, duke e ndërlidhur sërish me shkeljet e pretenduara me të se drejtës për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor.

Në lidhje me ketë, Gjykata vërejti se Gjykata Supreme, duke ju referuar rrethanave të rastit konkret dhe pikës se parë (I) të Mendimit Juridik të 1 dhjetorit 2020, Gjykatës Supreme, arsyetoi se Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve të RSFJ-së, të vitit 1978 është i aplikueshëm në rrethanat e rastit meqë aksidenti i sigurueses së parashtruesit të kërkesës kishte ndodhur para 20 dhjetorit 2012, respektivisht me 9 shtator 2011, datë kjo e cila, sipas Gjykatës Supreme, përjashtonte mundësinë e aplikimit të Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 2012.

Gjykata konkludoj se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që i takojnë kategorisë së “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

“Suva Rechtsabteillung”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile