Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 11/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 6 majit 2022

Nr. të lëndës KI125/22

Parashtruesit: Hakif Alshiqi

Shkarko:

KI125/22, Parashtrues i kërkesës: Hakif Alshiqi , Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 11/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 6 majit 2022

KI125/22, Aktvendim për papranueshmëri i  12 tetorit  2022, publikuar më 28 tetor 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, qartazi e pabazuar

Në vitin 1979, parashtruesi i kërkesës ka krijuar marrëdhënie pune me punëdhënësin Bankën “Bankos” në Prishtinë, ku ka punuar deri në vitin 1999. Pas licencimit dhe themelimit të bankës së re “Bankës së Re Kosovës”, ai nënshkroi një kontratë të re me afat të caktuar me punëdhënësin e tij të ri më 12 shkurt 2001. Gjatë muajit janar 2005, u caktua për të kryer detyrën e administratorit në hapjen dhe përpunimin e kartave për klientët e bankës, ku qëndroi deri më 30 shtator 2005, kur mori njoftimin [Nr. 2457] nga punëdhënësi, se kontrata e tij e punës nuk do të vazhdohet për shkak të “ristrukturimit dhe performancës së tij të pakënaqshme”.

Parashtruesi i kërkesës ka paraqitur një kërkesëpadi në Gjykatën Themelore, e cila e ka refuzuar atë si të pabazuar. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës në procedurë ankimore, duke konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e cila u miratua, duke e kthyer çështjen e parashtruesit për rigjykim.

Në procedurën e përsëritur, Gjykata Themelore e pranoi kërkesëpadinë e parashtruesit si të bazuar, në procedurën e ankimimit Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e punëdhënësit, me çka vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

Mirëpo, punëdhënësi ka paraqitur kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e cila u miratua, u ndryshua aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit si të pabazuar.

Duke pasur parasysh një rezultat të tillë të procesit gjyqësor, parashtruesi paraqiti kërkesë në Gjykatë duke pretenduar shkeljet e të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës si dhe nenin 6 (E drejta për gjykim i drejtë) të GJEDNJ-së.

Gjykata analizoi pretendimet kyçe të parashtruesit të kërkesës, duke zbatuar si praktikën e saj ashtu edhe praktikën e GJEDNJ-së, ku konstatoi se pretendimet e parashtruesit ishin të pabazuara, duke pasur parasysh faktin se Gjykata Supreme konstatoi se parashtruesi i kërkesës kishte një kontratë pune për një periudhë të caktuar kohe, gjë që çon në konkluzionin se është lidhur në një formë të vlefshme ligjore që është paraparë në paragrafin 1 të nenit 10 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, që përcakton “se marrëdhënia e punës mund të lidhet për një kohë të caktuar ose të pacaktuar”.

Gjykata konkludoi se kjo formë ligjore e kontratës që parashtruesi i kërkesës kishte me punëdhënësin çoi në situatën që punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën me të pa pasoja duke iu referuar nenit 11 paragrafi 1 pika e) të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27.

Rrjedhimisht, Gjykata e shpalli kërkesën e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, siç parashihet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Hakif Alshiqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile