Prishtinë, më 27 tetor 2022
Nr. Ref.:RK 2062/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI125/22
Parashtrues
Hakif Alshiqi
Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 11/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 6 majit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është parashtruar nga Hakif Alshiqi nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Naim Haliti, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [ nr. 11/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 6 majit 2022, i cili ka ndryshuar Aktgjykimin [AC. nr. 20-96/2017] të Gjykatës së Apelit të 28 gushtit 2020 dhe Aktgjykimin [C. nr. 682/2015] të Gjykatës Themelore në Prishtinë të 28 shkurtit 2017.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i cili pretendohet se cenon të drejtat dhe liritë e parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në pikat 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe Rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] i Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e Punës).
Procedura para Gjykatës Kushtetuese
- Më 12 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), e cila është pranuar dhe regjistruar nga Gjykata më 15 gusht 2022.
- Më 22 gusht 2022, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe njëkohësisht i kërkoi të plotësojë formularin standard të kërkesës dhe të dorëzojë të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta në lidhje me kërkesën e paraqitur. Në të njëjtën ditë, Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
- Më 25 gusht 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin [GJR.KI125/22] caktoi gjyqtarin Radomir Laban për Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare (kryesuese) Safet Hoxha dhe Nexhmi Rexhepi, (anëtarë).
- Më 5 shtator 2022, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës e dërgoi formularin e plotësuar të kërkesës si dhe vendimet përkatëse të gjykatës.
- Më 12 tetor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i paraqiti Gjykatës rekomandimin për papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Bazuar në dosjen e lëndës, rezulton se parashtruesi i kërkesës ka krijuar një marrëdhënie pune me punëdhënësin Banka “Bankos” në Prishtinë në vitin 1979, ku ka punuar deri në vitin 1999. Pas licencimit dhe themelimit të bankës së re “Banka e Re e Kosovës”, më 12 shkurt 2001, ai nënshkroi një kontratë të re për një periudhë të caktuar kohore me punëdhënësin e ri për kryerjen e detyrave të ushtruesit të detyrës së kontistit. Gjatë muajit janar 2005, u caktua për të kryer detyrën e administratorit në hapjen dhe punimin e kartelave për klientët e bankës, ku qëndroi deri më 30 shtator 2005, kur mori njoftimin [Nr. 2457] nga punëdhënësi, se kontrata e tij e punës nuk do të zgjatet për shkak të “ristrukturimit dhe kryerjes së pakënaqshme të punëve”.
- Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi i kërkesës ka parashtruar padi kundër punëdhënësit (në tekstin e mëtejmë: e paditura NLB Banka) në Gjykatën Komunale në Prishtinë, duke kërkuar “që të ANULOHET njoftimi-vendimi i të paditurës “NLB” Prishtina, për shkëputjen e kontratës së punës nr. 2457 e datë 30.09,2005. duke e detyruar të paditurën që paditësin ta kthej në punë dhe detyrat c punës nga datë 01.10.2005, duke i njohur të gjitha të drejta nga marrëdhënia c punës si dhe t’i paguajë shpenzimet e procedurës në lartësi prej 633 euro”.
- Në përgjigjen e saj në padi, gjatë shqyrtimit kryesor dhe në fjalën përfundimtare, e paditura NLB Banka e kontestoi kërkesëpadinë, duke shtuar se BRK, gjegjësisht NLB, nuk janë trashëgimtare juridike të Bankës Themelore “Bankos” të paraluftës, se parashtruesi i kërkesës ka krijuar marrëdhënie pune me të paditurën për një periudhë të caktuar kohore dhe se pas skadimit të atij afati, kontrata e tij nuk është vazhduar për shkak të vlerësimit jo të kënaqshëm të kryerjes së detyrave të punës në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, nga neni 11.1., pika d. dhe 11.7 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë.
- Më 2 shkurt 2011, Gjykata Komunale nxori Aktgjykimin [C1. Nr. 366/08] me të cilin e hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit si të pabazuar në tërësi.
- Në arsyetimin e Aktgjykimit [C1. Nr. 366/08] Gjykata Komunale ndër të tjera theksoi:
“Gjykata duke e vlerësuar ligjshmërinë e ndërprerjes së kontratës-marrëdhënies së punës, gjegjësisht mos vazhdimit të kontratës-marrëdhënies së punës nga ana e të paditurës, iu referua dispozitave ligjore të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, ku në nenin 11.1 (d) dhe 11.4 janë paraparë rrethanat nën të cilat mund të shkëputet kontrata e punës.
Me dispozitën e nenit 11.1 nën (d) të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, është paraparë se kontrata e punës mund të shkëputet me skadimin e kohëzgjatjes së punësimit, ndërsa me dispozitën e nenit 1 1.4 të rregullores në fjalë është paraparë se kontrata e punës mund të shkëputet nga punëdhënësi për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.
Gjykata vlerëson se kushtet e kontratës së lidhur në mes të paditësit dhe të paditurës, duke përfshirë edhe kushte ligjore për ndërprerjen e kontratës janë në harmoni me dispozita e cituara të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, andaj gjykata konstaton se si rrjedhim i kësaj gjendje, edhe njoftimi mbi ndërprerjen e kontratës së punës gjegjësisht mbi mos vazhdimin e kontratës së punës është i drejtë dhe i ligjshëm.
- Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C1. Nr. 366/08] të Gjykatës Komunale, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim jo të saktë dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
- Më 13 qershor 2014, Gjykata e Apelit nxori Aktgjykimin [ nr. 2467/2012], me të cilin e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, duke vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në tërësi.
- Në arsyetimin e Aktgjykimit [ nr. 2467/2012], Gjykata e Apelit ndër të tjera theksoi:
“[…] Kjo gjykatë, duke e vlerësuar përfundimin dhe vendimin e gjykatës së shkollës së parë ka gjetur se i njëjti është i drejtë, i bazuar në ligj, e ka mbështetjen në dispozitat ligjore, si dhe në shkresat e lëndës, ndërkohë që janë dhënë edhe arsyet e justifikueshme të cilat i pranon edhe kjo gjykatë. Pretendimet ankimore të të autorizuarit të paditësit, kjo gjykatë i vlerëson si të pabazuara, pasi që gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, e as aplikim të gabuar të së drejtës materiale, për të cilat kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare…”.
- Kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta të ndryshohen ashtu që kërkesëpadia e paditësit të pranohet si e bazuar.
- E paditura ka paraqitur përgjigje për revizionin në Gjykatën Supreme, me propozim që revizioni të hidhet poshtë si i pabazuar.
- Më 3 shkurt 2015, Gjykata Supreme e nxori vendimin [Rev. nr. 379/2014], me të cilin e pranoi revizionin e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi aktgjykimet e Gjykatës së Apelit të Kosovës [AC. nr. 2467/2012] të datës 13 qershor 2014, si dhe të Gjykatës Komunale në Prishtinë [CI. nr. 366/2008] të datës 2 shkurt 2011, duke e kthyer lëndën në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim.
- Në arsyetimin e Aktvendimit [Rev. nr. 379/2014], Gjykata Supreme ndër të tjera theksoi:
“Sipas nenit 112 të Ligjit mbi Marrëdhënien e Punës, organi kompetent ka për detyrë të paraqes kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore brenda 8 ditësh pasi të merr vesh për shkeljet e detyrës së punës ose për ndonjë shkelje tjetër të disiplinës së punës. Ndërsa komisioni disiplinor ka për detyrë që kërkesën për inicimin e procedurës ta shqyrtojë dhe ta marrë për procedure brenda 15 ditësh pasi të paraqitet kërkesa, i cili ligj ka qenë në fuqi në kohën e paraqitjes së padisë meqë Ligji mbi Marrëdhëniet e Punës ishte në fuqi gjer më datën 1 nëntor 2010, ndërsa i njëjti Ligj është shfuqizuar sipas nenit 99 të Ligjit të Punës nr. 03/L-212 datë 1 nëntor 2010.
Nga procesverbali i mbledhjes së rregullt të Këshillit të personelit të Bankës së Re të Kosovës, datë 30.9.2005, del se përveç paditësit kontrata e punës u është shkëputur edhe disa punëtorëve tjerë, andaj duke pasur parasysh dispozitat e Rregullores së sipërpërmendur që rregullon procedurën e shkëputjes së marrëdhënies së punës, gjykata e shkallës së parë është dashur që në procedurën e shkallës së parë të vërtetojë se a janë plotësuar kriteret e parapara sipas nenit 12 të Rregullores së UNMIK-ut, në të cilën janë paraparë të drejtat dhe obligimet e punëmarrësit dhe punëdhënësit, me rastin e shkëputjes së kontratës së punës për shkak të ndryshimeve ekonomiko-teknike ose strukturale, a janë pranuar punëtorë të rinj në periudhën e paraparë sipas dispozitës së cekur.
Gjykata e shkallës së parë është e detyruar që në rigjykim të urdhërojë të paditurën që gjykatës t’i sjellë prova të cilat vërtetojnë faktet relevante që kanë të bëjnë me ndryshimet strukturale dhe kryerjen e pakënaqshme të detyrave të punës, të vërtetojë se a është zhvilluar procedure disiplinore për paditësin dhe a është zbatuar procedure e paraparë me dispozitat e sipërpërmendura të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27 dhe Ligjit mbi Marrëdhënien e Punës, dhe pas vlerësimit të drejtë të provave të marrë një vendim të ligjshëm.
- Më 28 shkurt 2017, Gjykata Themelore, në procedurë të përsëritur, nxori Aktgjykimin [ nr. 682/15], me të cilin e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, vërtetoi se parashtruesi i kërkesës ka pasur statusin e punëtorit me kohë të pacaktuar tek e paditura, konstatoi se njoftimi/ vendimi i të paditurës [nr. 2457], datë 30.09.2005, për shkëputjen e kontratës së punës është i kundërligjshëm dhe si i tillë anulohet.
- Me të njëjtin aktgjykim, Gjykata Themelore ka obliguar gjithashtu të paditurën që për shkak të largimit të kundërligjshëm nga puna t’ia kompensojë paditësit të ardhurat nga marrëdhënia e punës për periudhën kohore nga data 1 tetor 2005 deri më 31 dhjetor 2014, në shumën prej 35,614,35€, me kamatë duke filluar nga muaji dhjetor 2005 deri më 31 gusht 2016, në shumën prej 6,479.87€, kontributin pensional në llogari të paditësit të paguajë shumën e parave prej 3,907,20€ dhe tatimin në pagë në shumën prej 1,504,05€.
- Në arsyetimin e Aktgjykimit [ nr. 682/15], Themelore gjykata është ndër të tjera theksoi:
“Pas shqyrtimit me kujdes dhe ndërgjegje të secilës provë veç e veç dhe në ndërlidhje me njëra tjetrën gjykata vlerësoi se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar, pasi vendimi për shkëputjen e kontratës së pumës ka rezultuar të jetë vendim i pa bazuar në ligj dhe gjithashtu vendimi nuk është mbështetur në asnjë provë për të vërtetuar faktin se paditësi nuk ka treguar performance të mirë në punë.
[…]
Nga përmbajtja e vendimit të përshkruar si në paragrafin më lart qartë rezulton se vendimi është i karakterit të përgjithshëm dhe nuk bazohet në asnjë fakt që do ta mbështeste ligjshmërinë e tij në raport me paditësin, pasi në rend të parë vendimi dhe njoftimi nr. 2457, datë 30.09.2005 edhe pse i referohet ristrukturimit, megjithatë e paditura nuk ka provuar se është bërë ristrukturimi apo riorganizimi i bankës në kuptim të dispozitave ligjore nga neni 12 i Ligjit themelor të punës ku veç tjerash parashihet: “… para se t’i zbatojë ndryshimet ekonomike, teknologjike dhe strukturale, punëdhënësi i njofton me shkrim punonjësit lidhur me ndryshimet e planifikuara dhe me rrjedhojat e tyre, duke përfshirë edhe numrin dhe kategorinë e punonjësve që duhet të largohen nga puna, masat që duhet të ndërmerren për zbutjen e pasojave të shkaktuara nga këto ndryshime”. Gjithashtu sipas dispozitës së nenit 12 parashihet që punëdhënësi i njofton punonjësit e tij me shkrim lidhur me shkëputjen e kontratës së punës së paku 3 muaj para datës së shkëputjes.”
[…]
Gjykata përkujton se sipas dispozitës së nenit 11 të LThP, performanca e pakënaqshme parashihet si arsye për shkëputjen e kontratës së punës. Megjithatë, vetëm arsyetimi formal për mospërmbushje të detyrave të punës, nuk është i mjaftueshëm për marrjen e vendimit që një punëtori t’i shkëputet kontrata e punës, por ky fakt i pohuar duhet të argumentohet dhe më pas të vendoset për shkëputjen e kontratës së punës apo për vazhdimin e saj.”
- Kundër Aktgjykimit [ nr. 682/15], të Gjykatës Themelore, e paditura NLB Banka ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit jo të drejtë të së drejtës materiale.
- Më 28 gusht 2020, Gjykata e Apelit nxori Aktgjykimin [A. C. 2096/17], me të cilin e refuzoi si të pabazuar ankesën e të paditurës NLB Banka, ndërsa Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 682/15] të datës 28 shkurt 2017 e vërtetoi në tërësi.
- Në arsyetimin e Aktgjykimit [C. nr. 2096/17], Gjykata e Apelit ndër të tjera theksoi:
“Pretendimi ankimor se gjykata e shkallës së parë është marrë me një mori shkeljesh thelbësore te dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2 pika n) të Ligjit nr. 3/L-006 për procedurën kontestimore, nuk qëndrojnë pasi që dispozitivi i Aktgjykimit është i kuptueshëm, i qartë dhe arsyetimi i Aktgjykimit përmban të gjitha faktet vendimtare, dhe arsyet pse është vendosë si në dispozitiv të Aktgjykimit.
Pretendimi ankimor i të paditurës se është gabim i Gjykatës që të anulojë njoftimin mbi mos ofrimin e kontratës, dhe se njoftimi nuk është një akt juridik, po thjeshtë një akt komunikimi i punëdhënësit me punëtorin, ky pretendim është i pabazuar, pasi që çdo person duhet të ketë në dispozicion një mjet juridik për ta përdorur kur është i pakënaqur me një vendim të punëdhënësit.
Sa i përket pretendimit ankimor të së paditurës se kontrata e punës me paditësin nuk është shkëputur para datës 30.09.2005, por ajo vetëm nuk është vazhduar, ky pretendim është i pa bazuar pasi që në njoftimin e të paditurës datë 30.09.2005 ndër të tjera thuhet se “…Kontrata e punës e cila skadon me dt. 30.09.2005, shkëputet…”.
- Kundër Aktgjykimit [C. A. nr. 2096/17] të Gjykatës së Apelit, e paditura NLB Banka, ka paraqitur revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljeve të theksuara të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
- Më 6 maj 2022, Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin [REV. nr. 11/2022], me të cilin e miratoi, si të bazuar, revizionin e të paditurës – NLB Banka dhe e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [C. A. nr. 2096/17] dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [P. nr. 682/15], duke e REFUZUAR, si të pabazuar, kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me të cilin kërkonte të vërtetohej se kishte pasur statusin e punëtorit me periudhë të pacaktuar tek e paditura, kërkonte anulimin e njoftimit/vendimit të të paditurës [Nr. 2457] të datës 30 shtator 2005 dhe të detyrohet e paditura që për shkak të largimit të kundërligjshëm nga puna për periudhën kohore nga data 1 tetor 2005 deri më 31 dhjetor 2014, të paguajë shumën prej 35,614,35 euro, me kamatë e cila duke filluar nga muaji dhjetor 2005 deri më 31 gusht 2016, arrin në shumën prej 6,479.87 euro, dhe në emër të kontributit pensional shumën e parave prej 3,907,20 euro dhe në emër të tatimit në të ardhura personale shumën prej 1,504,05 euro.
- Në arsyetimin e Aktgjykimit [REV. nr. 11/2022], Gjykata Supreme ndër të tjera theksoi:
“[…] gjykatat e niveleve më të ulëta zbatuan gabimisht ligjin material gjatë miratimit të vendimeve të lartpërmendura. “
“Në njoftimin numër [2457] dt. 30.09.2005, si arsye për shkëputje të kontratës së punës theksohen ndryshimet strukturale dhe risistematizimi i vendeve të punës tek e paditura, si dhe rezultatet e pakënaqshme të punës së paditësit. [..] Më pas, paditësi ka parashtruar padi në gjykatë. Në një gjendje të tillë të fakteve, gjykatat e instancës më të ulët kanë konkluduar se vendimi i të paditurës për shkëputje të kontratës me paditësin është i kundërligjshëm, ngase e paditura nuk ka zhvilluar procedure disiplinore kundër paditësit, dhe se marrëdhënia e punës e paditësit është ndërprerë më mënyrë të jashtëligjshme.”
“Gjykata Supreme e Kosovës nuk mund të pajtohet me një qëndrim të tillë juridik të gjykatave të instancës me të ulët. Rregullorja e UNMIK-ut numër 2001/27 për Ligjin themelor të punës me nenin 10, paragrafi 1, përcakton se marrëdhënia e punës mund të themelohet në kohë të caktuar dhe të pacaktuar. Ligji i njëjtë në asnjë dispozitë të tij nuk parasheh mundësinë e shndërrimit të marrëdhënies së punës në kohë të caktuar në marrëdhënie të punës në kohë të pacaktuar. Neni 11 i ligjit të njëjtë në paragrafin 1, përcakton situatat në të cilat marrëdhënia e punës ndërpritet. Në mesin e atyre situatave, nën pikën (e), është përcaktuar se kontrata e punës përveç tjerash pushon edhe me skadimin e kohëzgjatjes së kontratës së lidhur të punës. Pra, në situatën konkrete edhe pse janë përdorur termet “shkëputje e kontratës së punës”, nuk bëhet fjalë për shkëputje ngase nga aspekti formal juridik, kontrata e punës në mes të paditësit dhe të paditurës nuk është shkëputur, por e njëjta ka pushuar të prodhoj efekte si pasojë e skadimit të afatit kohor për të cilin është lidhur.
Njoftimi/ vendimi i të paditurit me numër [2457] dt. 30.09.2005 është vetëm i karakterit deklarativ, nuk është akt që ka sjellë deri tek ndërprerja e marrëdhënies së punës, por që me shkresën e njëjtë i punësuari thjeshtë njoftohet se ka skaduar afati për të cilin është lidhur kontrata e punës. Sipas kësaj që u tha, nuk ekziston detyrimi i zhvillimit të procedurës disiplinore ndaj punëtorit, dhe as të detyrimeve të përcaktuara me nenin 12 të ligjit të cekur. Është e panevojshme këtu të lëshohemi në problematikën dhe në natyrën e kontratave te punës në kohë të caktuar dhe në atë se të njëjtat sipas rregullit lidhen për një pune të caktuar për të cilën është e sigurt se do të zgjasin për një kohë të caktuar, dhe në praktikën që ekziston në Kosovë, ku me kontratat e punës në kohë të caktuar lidhen marrëdhëniet e punës për periudha disa vjeçare dhe kontratat e tilla vazhdohen në mënyrë suksesore, ngase me një çështje të tillë duhet të merren ata që i nxjerrin rregulloret dhe organet inspektuese. Gjykatat detyrohen që në punën e tyre të aplikojnë ligjet ashtu siç ligjet përcaktojnë, pa të drejtën e tejkalimit të kornizave te interpretimit të ligjit”.
Deklaratat e parashtruesit të kërkesës
- Gjykata kujton se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], të Kushtetutës si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të drejtë) KEDNJ.
- Megjithatë, parashtruesi i kërkesës i shpjegon shkeljet e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ ekskluzivisht me pretendimet e mëposhtme:
“Në rastin konkret gjykatat e instancave më të ulëta konsideron se drejt kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe dispozitat materiale, gjatë sjelljes së Aktgjykimeve ndërsa Aktgjykimi i Gjykatës Supreme mbi ndryshimin e këtyre Aktgjykimeve është marrë pa përfillë procedurat paraprake. Propozuesi konsideron se me Aktgjykimin e kontestuar janë shkelur të drejtat e përcaktuara të theksuara më lartë sepse gjatë sjelljes së këtij aktgjykimi nuk janë përfillë pretendimet e dy gjykatave të instancave më të ulëta të cilat drejt kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe në bazë të kësaj dhe aktgjykimet e sjella në këtë kontest juridiko civil janë të bazuara me ligj”.
- Parashtruesi i kërkesës pretendon gjithashtu se me veprimin e të paditurës, si dhe me pretendimet e paraqitura në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme sipas revizionit, është shkelur e drejta për jodiskriminim.
- Në mbështetje të kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme e Kosovës për çështjen e njëjtë – identike me rastin e njëjtë, por me palë tjetër që e zhvillon të njëjtën procedurë si propozues, e ka refuzuar revizionin dhe i ka vërtetuar të dy Aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta për rikthim në punë dhe njohjen e dëmit të shkaktuar nga largimi i kundërligjshëm nga puna.
- Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata; “Të shfuqizojë Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës Nr. 11/2022 të datës 06.05.2022 dhe të detyrojë këtë Instancë gjyqësore që edhe njëherë të vendos sipas Revizionit”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Dispozitat relevante kushtetuese dhe dispozitat e KEDNJ
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
- Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
- Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
- Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
- Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
- Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
“1. Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ose të çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm […]”.
Rregullorja e UNMIK-ut Nr. 2001/27, PËR LIGJIN THEMELOR TË PUNËS NË KOSOVË
Neni 10
Kontrata e punës
10.1 Kontrata e punës mund të lidhet:
(a) për një kohë të pacaktuar; ose
(b) për një kohë të caktuar
10.2 Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar dhe në një gjuhë zyrtare të përdorur
në Kosovë.
10.3 Kontrata e punës e nënshkruar dhe e datuar nga ana e punëdhënësit dhe e
punonjësit përfshin edhe dispozitat për:
(a) palët, vendbanimin e tyre, ndërsa për punëdhënësit selinë dhe numrin e
regjistrimit të tyre në regjistrin e subjekteve afariste;
(b) vendin e punës, ose kur vendi i përhershëm a kryesor i punës nuk ekziston,
deklaratën që puna do të kryhet në lokacione të ndryshme;
(c) emrin, natyrën, llojin e punës ose të shërbimeve dhe përshkrimin e
shkurtër të detyrave të punës ose të shërbimeve;
(ç) orët e punës e, sipas rastit, edhe orarin e punës;
(d) datën e fillimit të punës;
(dh) kohëzgjatjen e kontratës së punës sipas rastit dhe
(e) lartësinë e pagës/rrogës bazë si dhe ndonjë pagesë ose të ardhur tjetër;
10.4 Kontrata e punës nuk përfshin dispozita që kufizojnë të drejtat e punonjësve ose
që përcaktojnë kushte më pak të favorshme nga ato të përcaktuara me këtë rregullore dhe, sipas rastit, edhe me marrëveshjen kolektive.
Neni 11
Shkëputja e kontratës së punës
11.1 Kontrata e punës shkëputet:
[…]
(d) me skadimin e kohëzgjatjes së punësimit dhe
(dh) sipas fuqisë ligjore.
[…]
Neni 12
Shkëputja e kontratës së punës për shkak të ndryshimeve ekonomike, teknologjike ose strukturale në ndërmarrje
“12.1 Kontrata e punës mund të shkëputet nga punëdhënësi për shkak të ndryshimeve ekonomike, teknologjike ose strukturale në ndërmarrje. Ndryshimet e tilla paraqesin rastet kur punëdhënësi bën ndryshime në prodhim, në programim, në organizim, në strukturë dhe në teknologji të cilat kërkojnë zvogëlim të numrit të punonjësve. Në rastet kur për këtë arsye largohen nga puna të paktën 50 punonjës konsiderohet se largimi nga puna është i shkallës së gjerë.
[…]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të cilat janë të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
(…)
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
- Në vijim, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kërkesat e përshtatshmërisë të përcaktuara në Ligj. Në këtë kuptim, Gjykata u referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
- Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”
- Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, e cila kundërshton aktin e organit publik, pra aktgjykimin [Rev. nr. 11/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 6 majit 2022, pas që ka shteruar të gjitha mjeteve juridike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu theksoi të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në përputhje me kërkesat e nenit 48 të Ligjit, dhe kërkesën e ka paraqitur në përputhje me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
- Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu i referohet rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së Punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së Punës përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
- Gjykata vë në dukje fillimisht se rregulli i lartpërmendur, bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe Gjykatës, i lejon kësaj të fundit të shpallë kërkesat të papranueshme për arsye që lidhen meritat e çështjes. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund ta shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë dhe pas vlerësimit të meritës së saj, respektivisht nëse vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashikohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së Punës.
- Bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së, si dhe të Gjykatës, kërkesa mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm në lidhje me një pretendim specifik që mund të përmbajë kërkesa. Në këtë drejtim, është më e saktë t’i quajmë “pretendime qartazi të pabazuara”. Kjo e fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të klasifikohet në katër grupe të ndryshme: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GJEDNJ, Kemmachev kundër Francës, Aplikimi nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonisë, Aplikimi Nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii)).
- Për sa i përket vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, pra vlerësimit nëse ajo është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e çështjes që përmban kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, për vlerësimin e të cilave Gjykata do të zbatojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ, sipas të cilave, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e obliguar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
- Duke iu rikthyer rastit konkret, Gjykata thekson se thelbi i procesit gjyqësor të parashtruesit të kërkesës para gjykatave të rregullta lidhej me anulimin e njoftimit [2457] të datës 30.09.2005, të cilin e kishte marrë nga e paditura NLB Banka, me anë të cilit njoftohej se kontrata e tij e punës nuk do të zgjatet për shkak të “ristrukturimit dhe kryerjes së pakënaqshme të punëve”.
- Në mbështetje të kësaj, Gjykata rikujton se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit konstatuan, i) se parashtruesi i kërkesës kishte statusin e punëtorit për një periudhë të pacaktuar me të paditurën, ii) se njoftimi i të paditurës NLB Banka [Nr. 2457], datë 30.09.2005, për shkëputjen e kontratës së punës ishte i kundërligjshëm, iii) se megjithëse i referohet ristrukturimit, e paditura nuk ka dëshmuar se ristrukturimi ose riorganizimi i bankës është kryer në kuptim të dispozitave të nenit 12 të Ligjit Themelor të Punës.
- Mirëpo, Gjykata Supreme në procedurën e revizionit nuk është pajtuar me konstatimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, duke konsideruar se në procedurën e zhvilluar pranë gjykatave të instancave më të ulëta nuk ka pasur shkelje të theksuar të dispozitave të KPK nga neni 182, paragrafi. 2 pika n., për shkak se aktgjykimet e kontestuara janë mjaft të qarta dhe të arsyetuara, shqiptimi i tyre është i ekzekutueshëm dhe i kuptueshëm, por që gjykatat e instancave më të ulëta gjatë nxjerrjes së aktgjykimeve në fjalë në mënyrë të gabuar e kanë zbatuar të drejtën materiale, gjë që ka rezultuar në faktin se Gjykata Supreme i ka anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit.
- Pikërisht për shkak të një rezultati të tillë të procedurës së revizionit, parashtruesi i kërkesës konsideron se Gjykata Supreme me nxjerrjen e aktgjykimit të kontestuar ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe si bazë për shkeljet e pretenduara, parashtruesi i kërkesës thekson faktin “që Gjykatat e instancave më të ulëta në mënyrë të drejtë e kanë konstatuar gjendjen faktike dhe në mënyrë të drejtë i kanë zbatuar dispozitat materiale, ndërsa Gjykata Supreme e ka nxjerrë aktgjykimin pa i marrë parasysh konstatimet e tyre lidhur me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale”.
- Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së lidhen ekskluzivisht me përcaktimin e saktë të gjendjes faktike dhe të drejtës materiale të zbatuar nga Gjykata Supreme në procedurën e revizionit.
- Në këtë drejtim, Gjykata, bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh karakteristikat e saj, të përcaktuara nga KEDNJ si dhe parimi i subsidiaritetit dhe doktrina e shkallës së katërt, theksoi vazhdimisht dallimin midis “kushtetutshmërisë”. dhe “ligjshmërisë” dhe theksoi se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet faktike ose keqinterpretimet dhe zbatimin e gabuar të ligjit që pretendohet se janë kryer nga gjykata e rregullt, përveç në masën që gabimet e tilla mund të cenojnë të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/se GJEDNJ. (Shih: në këtë kuptim, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI128/18, parashtruesi i kërkesës: Shoqata Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendimi i 28 qershorit 2019, paragrafi 55; KI62/19, parashtrues i kërkesës: Gani Gashi, Aktvendimi për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafët 56-57; KI110/19, parashtrues i kërkesës: Fisnik Baftijari, Aktvendimi për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 40).
- Gjykata gjithashtu argumentoi vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate që të shqyrtojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet që kanë shtyrë gjykatën e rregullt të marrë një vendim në vend të një tjetri. Përndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në mosrespektimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih: në këtë kuptim rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, Aplikimi nr. 30544/96, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18, i cituar më lart, paragrafi 56; dhe KI62/19, i cituar më lart, paragrafi 58).
- Duke e marrë parasysh aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme në kontekstin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, më konkretisht në lidhje me pretendimin se Gjykata Supreme nuk ka marrë parasysh vendimet e gjykatave të instancave më të ulëta dhe të drejtën materiale gjatë nxjerrjes së aktgjykimit të kontestuar, konstaton se ky pretendim është i pabazuar për arsyet e mëposhtme. Është më se e qartë, dhe kjo që mund të konstatohet në bazë të arsyetimit të aktgjykimit të kontestuar, se Gjykata Supreme ka hedhur poshtë konkluzionet dhe konstatimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit lidhur me vërtetimin e gjendjes faktike, dhe çfarë shihet në bazë të përfundimin e saj në aktgjykimin në të cilin thuhet “Gjykata Supreme e Kosovës nuk mund të pajtohet me qëndrimin e tillë faktik të gjykatave të instancave më të ulëta”.
- Gjykata vlerëson se konstatimi se “Gjykata Supreme nuk pajtohet” është paraqitur si konkluzion i saj vetëm pas procesit të shqyrtimit të fakteve nga shkresat e lëndës me faktet e vërtetuara nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, gjë që në vetvete ka rezultuar në konkluzionin e Gjykatës Supreme se për shkak të gjendjes së tillë faktike, ai nuk është pajtuar me konstatimin e tyre “se vendimi i NLB Bankës [Nr. 2457] është i kundërligjshëm”.
- Më konkretisht, Gjykata konstaton se Gjykata Supreme, para së gjithash, nuk ishte pajtuar me konkluzionet e gjykatave të instancave më të ulëta se njoftimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës ishte i kundërligjshëm, sepse bazë e konstatimit të tyre për kundërligjshmërinë ishte mosmbajtja e procedurës disiplinore dhe mungesa e arsyetimit të njoftimit [Nr. 2457] në bazë të nenit 12 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27.
- Në mbështetje të kësaj, Gjykata Supreme theksoi se, sipas fakteve, parashtruesi i kërkesës i) kishte një kontratë me kohë të caktuar, ii) se kontrata e parashtruesit të kërkesës për një periudhë të caktuar kishte skaduar, iii) se njoftimi [Nr. 2457] i të paditurës NLB Banka, nuk është akt që ka çuar në ndërprerjen e marrëdhënies së punës, por me të njëjtën shkresë punëmarrësi vetëm informohet se i ka skaduar afati për të cilin është lidhur kontrata e punës. Rrjedhimisht, duke marrë parasysh këtë situatë faktike rezultoi në konkluzionin e Gjykatës Supreme “se nuk ekziston detyrimi i zhvillimit të procedurës disiplinore ndaj punëtorit, dhe as të detyrimeve të përcaktuara me nenin 12 të ligjit të cekur”.
- Pikërisht nga gjendja faktike e vërtetuar gabimisht nga gjykatat e instancave më të ulëta, sipas konkluzioneve të Gjykatës Supreme, ka pasur zbatim të gabuar të së drejtës materiale, ose më saktë, siç thekson Gjykata Supreme, zbatim të gabuar i nenit 12 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27. Gjykata rikujton se neni 12 i Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, parasheh mundësinë e shkëputjes së kontratës së punës nga punëdhënësi për shkak të ndryshimeve ekonomike, teknologjike apo organizative në ndërmarrje. Vetë fakti që njoftimi [Nr. 2457] për shkëputjen e marrëdhënies së punës nuk përmbante shpjegim për planet e ristrukturimit apo riorganizimit të bankës, sipas mendimit të Gjykatës Supreme në rastin konkret është një fakt i parëndësishëm.
- Në mbështetje të kësaj, Gjykata vëren se sipas mendimit të Gjykatës Supreme, me të cilin pajtohet edhe kjo Gjykatë, vetë fakti që u vërtetua se parashtruesi i kërkesës kishte një kontratë pune për një periudhë të caktuar kohe, çon në konkluzion se është lidhur në një formë të vlefshme ligjore që është paraparë në paragrafin 1 të nenit 10 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, që përcakton “se marrëdhënia e punës mund të lidhet për një kohë të caktuar ose të pacaktuar”.
- Gjykata konstaton se kjo formë ligjore e kontratës që parashtruesi i kërkesës kishte me punëdhënësin çoi në situatën që punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën me të pa pasoja duke iu referuar nenit 11 paragrafi 1 pika d) e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, që në pjesën thotë;
“ 11.1 Kontrata e punës shkëputet:
[…]
(d) me skadimin e kohëzgjatjes së punësimit;”
- Bazuar në të gjitha si më lart, Gjykata konstaton se në fakt kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës është shkëputur për arsye thjesht formale ligjore, respektivisht se ajo nuk është shkëputur në një moment gjatë kohëzgjatjes së saj, por se ka pushuar së prodhuari efekte si rezultat i skadimit të periudhës kohore për të cilën ajo ishte lidhur.
- Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, Gjykata vlerëson se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i shkel të drejtat e tij të garantuara nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në kontekstin e përcaktimit të gabuar të gjendja faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se këto pretendime duhet të shpallen të papranueshme si qartazi të pabaza sepse ato kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (i) si pretendime të “shkallës së katërt”. Prandaj, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç parashikohet në paragrafin (2) të rregullit 39.
- Gjykata ka nevojë të theksojë se parashtruesi i kërkesës ka pretenduar edhe në kërkesë, “se me veprimin e të paditurës por dhe me pretendimet e shprehura në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme sipas Revizionit, i janë shkelur edhe e drejta në jodiskriminim”, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Supreme në një rast tjetër, në të cilin Gjykata Supreme ka vepruar ndryshe.
- Në mbështetje të kësaj, Gjykata vlerëson se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës mund të shqyrtohet në kontekstin e nenit 24 të Kushtetutës, me kusht që parashtruesi i kërkesës të jepte në mënyrë adekuate shpjegime që do të mbështesnin këto pretendime.
- Megjithatë, duke pasur parasysh se ai nuk e ka bërë këtë, Gjykata shprehet se në vazhdim të raportit nuk do të merret me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës sepse është një pretendim që klasifikohet si (iii) pretendim “i pambështetur ose i paarsyetuar”.
- Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara nga nenet 31 të Kushtetutës dhe 6 të KEDNJ duhet të shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime kualifikohen si (i) pretendime të “shkallës së katërt”, ndërsa pretendimet për jodiskriminim, hidhen poshtë si pretendime që klasifikohen si (iii) “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashikohet në paragrafin (2) të rregullit 39.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 12 tetor 2022, njëzëri
VENDOS
- TË SHPALLË kërkesën të papranueshme;
- T’UA DËRGOJË këtë aktvendim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani