Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0180] të 12 tetorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Nr. të lëndës KI44/22

Parashtruesit: Agjencia Kosovare e Privatizimit

Shkarko:

KI44/22, Parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0180] të 12 tetorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

KI44/22, Aktvendim i 20 shtatorit 2022, i publikuar më 27 tetor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, person jurdik, kontest civil, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë e paafatshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil ndërmjet parashtrueses së kërkesës (AKP) dhe ish-punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore, N. Sh. “Fabrika e Amortizatorëve”, të cilët kërkonin nga parashtruesja e kërkesës që t’i përfshinte në listën përfundimtare të përfitimeve të 20% nga të ardhurat e privatizimit të ndërmarrjes në fjalë. Kjo ndërmarrje ishte privatizuar më 31 mars 2011, në lidhje me të cilën ishte shpallur lista përfundimtare e punëtorëve që kishin përfituar nga 20% i privatizimit të saj. Ne si shumicë e konsiderueshme e punëtorëve u ankuam në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për mospërfshirje në listën përfundimtare. Përkitazi me këto ankesa, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, më 28 dhjetor, nxori Aktgjykimin C-II-19-0014, nëpërmjet të cilit aprovoi ankesat e 291 punëtorëve, duke e detyruar parashtruesen e kërkesës, t’i përfshinte të njëjtit në listën përfundimtare, si përfitues të 20%-it. Megjithatë, parashtruesja e kërkesës dhe disa punëtorë të ndërmarrjes në fjalë, të pakënaqur me këtë Aktgjykim parashtruan ankesë në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, e cila me Aktgjykimin [AC-I-21-0180] e 12 tetorit 2021, mes tjerash aprovoi ankesat e pesë punëtorëve të cilët kishin ngelur jashtë listës, me arsyetimin se kishin arritur moshën e pensionit para privatizimit të ndërmarrjes. Parashtruesja e kërkesës kishte shfrytëzuar një mjet tjetër ligjor, atë të korrigjimit të Aktgjykimit [AC-I-21-0180] të 12 tetorit 2021, në lidhje me  disa punëtorë që ishin përfshirë nga dy herë në listën përfundimtare, duke kërkuar mes tjerash edhe rishikimin e Aktgjykimit në fjalë përkitazi me shtatë ankues të tjerë që, sipas saj, ishin përfshirë në listën përfundimtare në kundërshtim me ligjin. Në lidhje me këtë kërkesë, Kolegji i Apelit kishte aprovuar kërkesën e parashtrueses së kërkesës për korrigjimin e emrave që figuronin nga dy herë në listë dhe kishte refuzuar kërkesën e parashtrueses së kërkesës në lidhje me shtatë ankuesit tjerë, duke arsyetuar se në bazë të Ligjit për Dhomën e Posaçme nuk ekziston mjet juridik efektiv për rishikimin e vendimeve përfundimtare, të formës së prerë, përveç se kontestimit të tyre drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 9, paragrafit 15 të Ligjit për Dhomën e Posaçme.

Parashtruesja e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj). Për më tepër, parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar nga Gjykata që të caktonte masë të përkohshme, deri në vendosjen përfundimtare për meritat e kërkesës.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar kritereve të pranueshmërisë së kërkesës, të përcaktuara në Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës së Gjykatës, konstatoi se parashtruesja e kërkesës legjitimohej si palë e autorizuar për të kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-21-0180] të 12 tetorit 2021 të Kolegjit të Apelit, se e njëjta kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, megjithatë, kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, e kishte parashtruar jashtë afatit ligjor. Kjo për faktin se bazuar në rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, Gjykata konsideroi se “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik” ishte Aktgjykimi [AC-I-21-0180] i 12 tetorit 2021, i Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së dhe jo Aktvendimi korrigjues [AC-I-21-0180], i cili ishte pjesë e tij. Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës ishte parashtruar jashtë afatit ligjor të paraparë me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Si rezultat, Gjykata e konsideroi se edhe kërkesa për masë të përkohshme duhej refuzuar, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe me rregullin 57 (Vendimi për masë të përkohshme) të Rregullores së punës, pasi që e njëjta ishte pa objekt shqyrtimi, sepse nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë me nenin 49 të Ligjit.

Parashtruesit:

Agjencia Kosovare e Privatizimit

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile