KI88/22, Parashtruesi i kërkesës: Nexhat Konushevci, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 123/2022 të 25 marsit 2022
KI88/22, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2022, publikuar më 27 shtator 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës është burgosur nga policia për dyshimi e bazuar se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje në bazë të nenit 248 par 3, nën par. 3.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës“.
Me propozim të prokurorisë, Gjykata Themelore fillimisht parashtruesit të kërkesës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, e cila më pas i është vazhduar edhe 3 herë. Parashtruesi i kërkesës ka paraqitur ankesa në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Suprem, por gjykatat i kanë hedhur poshtë ato si të pabazuara.
Parashtruesi i kërkesës i paraqiti Gjykatës kërkesë me të cilën konteston ligjshmërinë e vendimit në lidhje me procedurën e parë për caktimin e masës së paraburgimit, dhe konsideron se vendimet e gjykatave të rregullta i kanë shkelur atij të drejtat e garantuara me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe nenin 5, paragrafi 3, (E drejta për liri dhe siguri) dhe neni 6 (E drejta për proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Gjykata shqyrtoi procedurën e caktimit të paraburgimit nga gjykatat, të cilën parashtruesi i kërkesës ekskluzivisht e konteston në kërkesën e paraqitur, duke zbatuar standardet dhe parimet e garancive të veçanta të nenit 5 paragrafi 3 të KEDNJ-së të lartpërmendur, ndërsa konstatoi se vendimet e gjykatave për caktimin e masës së paraburgimit, të cilën ai i konteston para Gjykatës, nuk të lënë përshtypjen e arbitraritetit. Për më tepër, sipas Gjykatës, gjykatat e rregullta kanë dhënë arsye dhe shpjegime të vlefshme lidhur me domosdoshmërinë e caktimit të masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës.
Prandaj, Gjykata pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e nenit 29 të Kushtetutës dhe nenit 5, paragrafi 3 të KEDNJ-së i kualifikon si pretendime që bien në kategorinë e (iii) pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”.
Nexhat Konushevci
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale