Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 123/2022 të 25 marsit 2022

Nr. të lëndës KI88/22

Parashtruesit: Nexhat Konushevci

Shkarko:

Prishtinë, më 26 shtator 2022

Nr. Ref.:RK 2050/22

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI88/22

 

Parashtrues

 

Nexhat Konushevci

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 123/2022 të 25 marsit 2022

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është dorëzuar nga Nexhat Konushevci, nga fshati Llugë, Komuna e Podujevës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës). Parashtruesin e kërkesës e përfaqëson Vlerona Maliqi, avokate nga Prishtina.

 

Vendimi i kontestuar

 

  1. Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës [ nr. 123/2022], të 25 marsit 2022, në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN 1 DP. nr. 155/22], të 02 shkurtit 2022 dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore [P. nr. 27/2022], të 14 janarit 2022.

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të kontestuara të gjykatave të rregullta, përmes të cilëve pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenin 5 paragrafi 3 (E drejta për liri dhe siguri), dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  1. Më 22 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  1. Më 23 qershor 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin [GJR. KI52/22] caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha, dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).

 

  1. Më 27 qershor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.

 

  1. Më 8 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  1. Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje në bazë të nenit 248 par 3, nën par. 3.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës“, (në tekstin e mëtejmë: KPRK). Mirëpo, Gjykata konstaton se kërkesa konkrete në këtë Gjykatë nuk i referohet përgjegjësisë së tij penale, e cila ende është në fazën e përcaktimit nga gjykatat e rregullta, por se me vendimet e gjykatave të rregullta, atij i është caktuar paraburgimi katër herë, në kohëzgjatje të përgjithshme prej 14 janarit 2022 deri më 7 korrik 2022. Përveç kësaj, Gjykata në shkresat e lëndës ka vërejtur se ekziston edhe një procedurë gjyqësore të cilën parashtruesi i kërkesës e ka zhvilluar në gjykatat e rregullta në lidhje me kërkesën për hedhjen e aktakuzës së prokurorisë.

 

  1. Megjithatë, për ta kuptuar plotësisht këtë kërkesë, Gjykata në vazhdim të këtij aktvendimi do t’i paraqesë të gjitha procedurat gjyqësore të cilat janë iniciuar dhe zhvilluar në gjykatat e rregullta nga parashtruesi i kërkesës.

 

Procedura e parë gjyqësore në lidhje me caktimin e masës së paraburgimit për parashtruesin e kërkesës në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, nga 13 janari 2022 deri më 12 shkurt 2022

 

  1. Më 13 janar 2022, parashtruesi i kërkesës u arrestua nga Policia e Kosovës në orën 01:45 pas mesnate.

 

  1. Më 13 janar 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm ka ngritur aktakuzë [PP. II. nr. 23/22 F], në Gjykatën Themelore, kundër parashtruesit të kërkesës, së bashku me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale„Dhuna në familje në bazë të nenit 248 par 3, nën par. 3.2 të KPRK-së“.

 

  1. Më 14 janar 2022, gjyqtari i çështjes së Gjykatës Themelore ka mbajtur seancën shqyrtuese lidhur me kërkesën për caktim të paraburgimit, ku kanë marrë pjesë prokurori i shtetit, i pandehuri (parashtruesi i kërkesës) dhe avokati i tij sipas detyrës zyrtare. Në seancën shqyrtuese prokurori i shtetit ka shpjeguar arsyet e caktimit të paraburgimit, duke konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e asaj mase nga neni 241 paragrafi 2 dhe neni 193 paragrafi 1 lidhur me nenin 165 paragrafi 2 , nënparagrafi 2. 5., pikat 2. 5. 2. dhe 2. 5. 3 KPRK. Me atë rast prokurori i shtetit shtoi se „duke u bazuar në deklaratat e të dëmtuarve A. S., R.K. e D.K vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën edhe është akuzuar. Andaj me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe pa pengesa të procedurës penale në këtë çështje është e nevojshme që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit […]“.

 

  1. I pandehuri dhe avokati sipas detyrës zyrtare kontestuan kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se „[…] nuk është e vërtet se i njëjti ta ketë kryer veprën penale për të cilën po akuzohet dhe se është bashkëshortja e tij ajo që ka bërë dhunë psiqike ndaj të pandehurit …“.

 

  1. Më 14 janar 2022, Gjykata Themelore nxori aktvendimin [P. nr. 27/2022], me të cilin i caktoi parashtruesit të kërkesës masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji, përkatësisht nga 13 janari 2022 deri më 12 shkurt 2022.

 

  1. Në arsyetimin e aktvendimit [P. nr. 27/2022], Gjykata Themelore, ndër të tjera, theksoi:

 

Gjyqtarja e çështjes vlerësoj se duke pasur parasysh menyrën dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre penale, faktin se i pandehuri jeton në të njëjtën shtëpi me tani të dëmtuarit njërën prej të cilëve e ka bashkëshorte dhe dy prej tyre fëmije, ekziston rreziku se po te gjendet i njëjti në liri mund të përsëris vepër të njëjtë apo të ngjashme penale. Shkaqe ligjore të parapara me nenin 187 par. 1 nën par 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 te KPP-së.

Gjyqtarja konsideron se masa e paraburgimit në rastin konkret është e arsyeshme dhe e domosdoshme me qëllim të kryerjes me sukses të gjykimit ndaj të pandehurit. Gjyqtarja mori në shqyrtim edhe propozimin e të pandehurit dhe mbrojtjës së tij që eventualisht të pandehurit t’i caktohet ndonjë masë më e butë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, mirëpo vlerësoj se në rastin konkret masat tjera janë të pamjaftueshme, kurse paraburgimi është e vetmja masë me të cilën mund të sigurohet prania e të pandehurit në procedurë të mëtutjeshme”.

 

  1. Avokati i parashtruesit të kërkesës parashtroi ankesë në afatin ligjor në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [P. nr. 27/2022], të Gjykatës Themelore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar:

 

  1. „se gjykata nuk i ka vlerësuar saktë faktet vendimtare nga neni 187 par. 1, nën par. 1.2, pika 1.2.3 te KPPRK-së. Lidhur me këtë bazë mbi të cilën gjykata e mbështet caktimin e masës së paraburgimit, konsideroj se e njëjta nuk qëndron për faktin se i pandehuri ka raporte shumë të mira me fëmijët e tij …“

 

  1. „gjykata cakton masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, duke mos marrë fare parasysh masat tjera për sigurimin e prezencës së tij në procedurë …“

 

  1. „se gjykata duhet të merr parasysh parimin e prezumimit të pafajësisë për të pandehurin dhe nuk duhet të prejudikohet vendimi përfundimtar, andaj konsideroj se masa e paraburgimit nuk është masë adekuate për të pandehurin”.

 

  1. Më 2 shkurt 2022, Gjykata e Apelit nxori aktvendimin [PN 1 DP. nr. 155/22], me të cilin refuzoi si të pabazuar ankesën e avokatit të parashtruesit të kërkesës, ndërsa e vërtetoi në tërësi aktvendimin [P. nr. 27/22] e Gjykatës Themelore të 14 janarit 2022.

 

  1. Në arsyetimin e aktvendimit [PN 1 DP. nr. 155/22], Gjykata e Apelit, ndër të tjera, theksoi:

 

  1. “[…]pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara, aktvendimi i ankimuar është i drejtë dhe ligjor dhe se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar me të drejtë se ekziston dyshimi bazuar nga neni 187 par. 1 nën par. 1.1 te KPP-së, i pandehuri ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet e kjo mbështetur në provat materiale dhe shkresat e lëndës të siguruara deri më tani, mbi bazën e të cilës është ngritur aktakuza, si: raporti fillestar i incidentit, kallëzimi penal 2022-AB-131 të datës 13.01.2022, procesverbali mbi marrjen në pyetje e të dëmtuarve- dëshmitarëve, raportet e oficerëve, të dhënat nga Policia e Kosovës […]“.

 

  1. „Po ashtu e vlerëson si të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, konform nenit 187 par.1 nën par. 1.1 e 1.2 pika ne lidhje 1.2.3 të KPP, bazuar në peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, sepse dyshohet se i pandehuri me datën 12.01.2022, rreth orës 17:00, në banesën e tyre, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të cënimit të dinjitetit të personit tjetër, ka shkaktuar dhunë në familje […]“

 

  1. „Kjo gjykatë e vlerëson si të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, konform nenit 187 par. 1 nën par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 te KPPRK-së, për faktin se procedura penale hetimore ende është në fazën fillestare dhe se para Prokurorit Themelor kanë për t’u dëgjuar të dëmtuarit – dëshmitarët, A. S, R. K., dhe D.K., ekziston rreziku se po të gjendet i pandehuri në liri, mund ta pengoj rrjedhën normale të procedurës penale duke ndikuar tek të lartcekurit […]“.

 

  1. Avokati i parashtruesit të kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit [PN 1 DP. nr. 155/22], si dhe aktvendimit [P. nr. 27/22] të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1, nënparagrafi 1. 11 i KPPRK-së; dhe nga neni 187, paragrafi 1, nënparagrafët 1. 1. dhe 1. 2., pika 1. 2. 3. të KPPRK-së.”

 

  1. Ndërkohë, Prokuroria Themelore parashtroi kërkesë të re në Gjykatën Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës edhe për dy muaj, duke pasur parasysh se masa e paraburgimit prej një muaji e cila është caktuar me aktvendimin [P. nr. 27/2022], të Gjykatës Themelore të 14 janarit 2022, ka skaduar më 12 shkurt 2022.

 

  1. Më 11 shkurt 2022, Gjykata Themelore nxori aktvendim të ri [P. nr. 27/22], me të cilin vazhdoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës edhe për 2 muaj, përkatësisht deri më 10 prill 2022.

 

  1. Më 25 shkurt 2022, Gjykata Supreme nxori aktgjykimin [Pml. nr. 83/2022], me të cilin hodhi poshtë si jolëndore kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së avokatit të parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër aktvendimit [P. nr. 27/22] të Gjykatës Themelore të 14 janarit 2022, si dhe aktvendimit [PN 1. PD. nr. 155/2022] të Gjykatës së Apelit të 2 shkurtit 2022.

 

  1. Në arsyetimin e aktgjykimit [Pml. nr. 83/2022], Gjykata Supreme, ndër të tjera, theksoi:

 

„Nga shkresat e lëndës del se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë në këtë gjykatë është pranuar me datë 23.02.202, ndërsa në shkresa po ashtu gjendet aktvendimi për vazhdimin e paraburgimit P. nr. 27/2022 i datës 11.02.2022. Andaj, kjo gjykatë vlerëson se kërkesa nuk mund të jetë objekt shqyrtimi dhe si e tillë është jolëndore sepse pavarësisht shkeljeve të pretenduara në kërkesë i pandehuri e ka mbajtur paraburgimin për këtë një muaj të caktimit “.

 

Procedura e dytë gjyqësore në lidhje me aktvendimin e Gjykatës Themelore [P. nr. 27/22] të 11 shkurtit 2022, me të cilin parashtruesit të kërkesës i është vazhduar paraburgimi edhe për 2 (dy) muaj, përkatësisht nga 13 shkurti 2022 deri më 10 prill 2022

 

  1. Avokati i parashtruesit të kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [P. nr. 27/22] të Gjykatës Themelore të 11 shkurtit 2022, me të cilin parashtruesit të kërkesës i është vazhduar paraburgimi edhe për 2 muaj, duke pretenduar; “ […]se aktvendimi është marrë me një varg shkeljesh esenciale të dispozitave procedurale, nuk qëndron arsyetimi i gjykatës sa i përket pikës 1.2.3 të nenit 187 të KPP-së sepse i pandehuri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të veprës penale me të cilën ngarkohet…“.

 

  1. Më 11.03.2022, Gjykata e Apelit nxori aktvendimin [PN 1 DP. nr. 367/22], me të cilin refuzoi si të pabazuar ankesën e avokatit të parashtruesit të kërkesës.

 

  1. Në arsyetimin e aktvendimit [PN 1 PD. nr. 367/22], Gjykata e Apelit theksoi;

 

„ Kjo gjykatë e vlerëson si të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit […]“.

 

[…] peshën e veprës për dhunën e shkaktuar në vazhdimësi ndaj të dëmtuarve, frikën dhe shqetësimin në vazhdimësi të dëmtuarve, kanosjen serioze drejtuar të njëjtëve, sjelljen agresive dhe të vrazhdët në familje, fyerjet, sjelljen e mëparshme dhe karakteristikat personale të pandehurit ku nga deklaratat e të dëmtuarve kuptohet se i pandehuri është përdorues i substancave narkotike, pastaj nga të dhënat për personin e siguruar nga Policia e Kosovës del se i pandehuri edhe me parë kishte rënë ndesh me ligjin sepse në emrin e tij ka të evidentuara edhe vepra tjera penale te ndryshme për te ci1at është i dyshuar, faktin se i pandehuri me të dëmtuarit jetojnë në një shtëpi të përbashkët rezulton me siguri se po te gjendet i pandehuri në liri mund ta përsëris veprën penale me pasoja edhe më të renda në familje, nga del se masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe e nevojshme për parandalimin e mundësisë së përsëritjes dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale…“.

 

  1. Avokati i parashtruesit të kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit [PN 1 DP. nr. 367/22], të Gjykatës së Apelit të 11 marsit 2022, si dhe aktvendimit [P. nr. 27/22] të Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit nga 11 shkurti 2022, ku thuhet se: […]Aktvendimet e ankimuara janë marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nën par. 1.11 dhe neni 187 par. 1, nën par.!.l dhe 1.2, pika 1.2.3 te KPPRK-së, ngase në aktvendimet e ankimuara nuk është dhënë asnjë arsye ligjore apo fakt vendimtar që i përgjigjet gjendjes faktike të cilën e kanë konstatuar organet perkaëse gjyqësore në aktvendimet e ankimuara. Me këto vendime perveç se janë parafrazuar dispozitat ligjore është prejudikuar edhe fajësia e të pandehurit”.

 

  1. Më 25 mars 2022, Gjykata Supreme nxori aktgjykimin [PML. nr. 123/2022], me të cilin është refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së avokatit të parashtruesit të kërkesës, të parashtruar kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, [PN 1. DP. nr. 367/2022] të 11 marsit 2022 dhe aktvendimit [P. nr. 27/22] të Gjykatës Themelore të 11 shkurtit 2022.

 

  1. Në arsyetimin e aktgjykimit [PML. nr. 123/2022], Gjykata Supreme ndër të tjera theksoi:

 

„Gjykata Supreme vlerësoi se: “Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet nga kërkesa për mbrojtje te ligjshmërisë nuk janë të bazuara, sepse nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, e që gjykatat mjaft kjartë i kanë shpjeguar dhe arsyetuar në vendimet e tyre, me ta është plotësuar kushti ligjor nga neni 191 lidhur me nenin 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 te KPRK-së, për vazhdimin e paraburgimit, duke pasur parasysh faktin se të dëmtuarit i pandehuri i ka familjarë – bashkëshortja dhe dy djemtë e tij si dhe fakti se ata vazhdimisht kanë pasur probleme me të pandehurin, duke ushtruar dhunë psikologjike tek të njëjtit, por nuk i kane lajmëruar organet kompetente për këto veprime të tij, andaj me gjetjen e te pandehurit në liri ekziston mundësia e përsëritjes së veprës së njëjtë apo te ngjashme penale”.

 

Procedura e tretë gjyqësore lidhur me vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës edhe për 2 (dy) muaj, përkatësisht nga 10 prilli 2022 deri më 10 qershor 2022

 

  1. Më 7 prill 2022, Gjykata Themelore me propozim të prokurorisë nxori aktvendim të ri [P. nr. 27/22], me të cilin parashtruesit të kërkesës i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy (2) muaj, pra deri më 10 qershor 2022.

 

  1. Në aktvendimin [P. nr. 27/22] Gjykata Themelore ndër të tjera deklaroi;

“Gjyqtarja e çështjes duke vepruar sipas detyrës zyrtare u kujdes përkitazi me çështjen e paraburgimit dhe vlerësoi se kundër të pandehurit Nexhat Konushevcit pasi që vlerësoj se ende ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara me dispozitat e nenit 193 par. 1 lidhur me nenin 187 par. 1 nen par. 1.1 dhe pikat 1.2, 1.2.3 te KPPRK-se mbi vazhdimin e paraburgimit, […]

 

Ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara me dispozitat e nenit 193 par. 1 lidhur me nenin 187 par. 1 nen par. 1.1 dhe pikat 1.2, 1.2.3 te KPPRK-së mbi vazhdimin e paraburgimit, pasi që ende ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri, mund të përsëris veprën penale meqenëse të dëmtuarit janë familjarë të tij, gjegjësisht bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij, pastaj mënyra e kryerjes së veprës penale këmbëngulësia e tij në kryerjen e saj tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri ne liri mund të përsërisë vepër te ngjashme penale”.

 

  1. Avokati i parashtruesit të kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [P. nr. 27/22] të Gjykatës Themelore, duke theksuar se “Aktvendimi i atakuar është marrë me një varg shkeljesh esenciale të dispozitave procedurale, ngase gjyqtarja e çështjes nuk e arsyeton me asnjë fakt të ri vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për të pandehurin. Për më tepër aktvendimi i ankimuar është krejtësisht identik me aktvendimin e datës 11.02.2022 […]”.

 

  1. Më 23 maj 2022, Gjykata e Apelit nxori aktvendimin [PNIDP. nr. 736/22], me të cilin refuzoi si të pabazuar ankesën e avokatit të parashtruesit të kërkesës, duke theksuar; „[…] peshën e veprës penale – dhunën e ushtruar në vazhdimësi ndaj të dëmtuarve, friken dhe shqetësimin në vazhdimësi të dëmtuarve, kanosjen serioze drejtuar të njëjtëve, sjelljen agresive dhe të vrazhdët në familje, fyerjet, sjelljen e mëparshme dhe karakteristikat personale të pandehurit ku nga deklarata e të dëmtuarve kuptohet se i pandehuri është përdorues i substancave narkotike, pastaj nga të dhënat për personin të siguruara nga Policia e Kosovës del se i pandehuri edhe më parë kishte rënë ndesh me ligjin sepse në emrin e tij ka të evidentuara edhe vepra tjera penale të ndryshme për te cilat është i dyshuar, faktin se i pandehuri me të dëmtuarit jetojnë në një shtëpi të përbashkët rezulton me rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund ta përsëris veprën penale me pasoja edhe më të rënda në familje, nga del se masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe e nevojshme për parandalimin e mundësisë së përsëritjes dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale”.

 

  1. Avokati i parashtruesit të kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit [PNIDP. nr. 736/22] të Gjykatës së Apelit, si dhe aktvendimit [P. nr. 27/22] të Gjykatës Themelore, duke theksuar; “[…] se vendimet janë marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 nënpar. 1.11 dhe neni 187 par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3 te KPPRK-së, ngase n[ aktvendimet e ankimuara nuk është dhënë asnjë arsye ligjore apo fakt vendimtar që i përgjigjet gjendjes faktike të cilën e kanë konstatuar organet përkatëse gjyqësore në aktvendimet e ankimuara […]”.

 

  1. Në shkresat e lëndës, Gjykata nuk ka gjetur vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur nga avokati i parashtruesit të kërkesës dhe nga pretendimet në kërkesë, Gjykata mund të konstatojë se Gjykata Supreme nuk ka vendosur lidhur me këtë kërkesë deri në parashtrimin e kërkesës në Gjykatë.

 

Procedura e katërt gjyqësore në lidhje me vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës edhe për 1 (një) muaj, përkatësisht nga 10 qershori 2022 deri më 7 korrik 2022

 

  1. Më 6 qershor 2022, Gjykata Themelore nxori aktvendimin [P. nr. 27/22], në të cilën thuhet:

 

VAZHDOHET masa e paraburgimit kundër të pandehurit, edhe për një (1) muaj. ashtu që sipas këtij aktvendimi paraburgimi kundër të pandehurit do të zgjas deri me datën 07.07.2022.”

 

  1. Në arsyetimin e aktvendimit [P. nr. 27/22], Gjykata Themelore, ndër të tjera, theksoi;

 

“Gjyqtarja e çështjes duke vepruar sipas detyrës zyrtare u kujdes përkitazi me çështjen e paraburgimit dhe vlerësoi se kundër të pandehurit Nexhat Konushevcit pasi që vlerësoj se ende ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara me dispozitat c nenit 193 par. 1 lidhur me nenin 187 par. 1 nen par. 1.1 dhe: pikat 1,2. 1.2.3 të KPPRK-së mbi vazhdimin c paraburgimit. ngase nga shkresat e lëndës siç janë dëshmitë e dëshmitarëve të dëmtuar A. S, R. K., dhe D. K., si dhe dokuentacioni që gjendet në lëndë, vërtetohet dyshimi se i pandehuri e ka kryer veprën penaëe për të cilën ngarkohet.

 

Ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara me dispozitat e nenit 193 par. 1 lidhur me nenin 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe pikat 1.2, 1.2.3 të KPPRK-së mbi vazhdimin e paraburgimit pasi që ende ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri, mund të përsëris veprën penale meqenëse të dëmtuarit janë familjarë të tij, gjegjësisht bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij, pastaj mënyra e kryerjes së veprës penale këmbëngulësia e tij në kryerjen e saj tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të përsërisë vepër të ngjashme penale.”

 

Procedura gjyqësore në lidhje me kërkesën e parashtruesit për hedhje poshtë të aktakuzës [PP. II. nr. 23/22F] të Prokurorisë Themelore

 

  1. Më 25 shkurt 2022, avokati i parashtruesit të kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatën Themelore në të cilën kërkoi hedhjen poshtë të aktakuzës [PP. II. nr. 23/22F] të Prokurorisë Themelore, e cila është dorëzuar më 13 janar 2022, kundër parashtruesit të kërkesës. Në kërkesën e parashtruar thuhej se: „[…] nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”.

 

  1. Më 8 prill 2022, Gjykata Themelore nxori aktvendimin [P. nr. 27/22], me të cilin e refuzoi si të pabazuar kërkesën e avokatit të parashtruesit për hedhjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore [PP. II. nr. 23/22F] të 13 janarit 2022.

 

  1. Në aktvendimin [P. nr. 27/22], Gjykata Themelore ndër të tjera, theksoi;

 

“Gjyqtarja e çështjes pas shqyrtimit të kundërshtimit të mbrojtëses së të pandehurit dhe përgjigjes së prokurores së shtetit gjeti se kundërshtimi i mbrojtëses së të akuzuarit është i pabazuar pasi që vlerësojë se aktakuza është e hartuar konforme dispozitave të procedurës penale dhe si e tillë nuk mundë të hudhet”.

 

  1. Avokati i parashtruesit të kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [P. nr. 27/22], të Gjykatës Themelore, duke theksuar se aktvendimi është i paqartë, dhe se rrjedhimisht është nxjerrë në kundërshtim me nenin 384, paragrafi 2, pika 2.1. në lidhje me nenin 250 par. 3 të KPP-së.

 

  1. Më 13 maj 2022, Gjykata e Apelit nxori aktvendimin [PN. 438/2022], me të cilin aprovoi ankesën e avokatit të parashtruesit të kërkesës, anuloi aktvendimin [P. nr. 27/2022] të Gjykatës Themelore të 08 prillit 2022 dhe e ktheu çështjen penale në gjykatën e shkallës së parë për rishqyrtim.

 

  1. Në aktvendimin [PN. nr. 438/2022], Gjykata e Apelit, ndër të tjera, theksoi:

 

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e mësipërme ankimore të mbrojtëses së pandehurit në këtë drejtim janë të bazuara, për faktin se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave nga neni 384 paragrafi 2 pika 2.1 lidhur me nenin 250 par. 3 të KPP, ngase dispozitivi i aktvendimit të ankimuar është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e tij. Siç del nga shkresat e lëndës, i pandehuri është akuzuar për shkak të veprës penale Dhuna në familje nga neni 248 par. 3, pika 3.2 të KPRK”.

 

“Pra, nga arsyetimi i aktvendimit assesi nuk mund të kuptohet se cilat janë ato prova në të cilat është mbështetur aktakuza dhe fakte që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën është ngarkuar me aktakuzë…”.

 

  1. Më 14 qershor 2022, Gjykata Themelore në procedurë të përsëritur nxori aktvendimin [P. nr. 27/2022], me të cilin refuzoi si të pabazuar kërkesën e avokatit të parashtruesit për hedhjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore [PP/ll. nr. 23/22F] të 13 janarit 2022.

 

  1. Në arsyetimin e aktvendimit [P. nr. 27/2022], Gjykata Themelore, ndër të tjera, theksoi: gjyqtarja c çështjes pas shqyrtimit të kundërshtimit të mbrojtëses së të pandehurit dhe përgjigjëjes së prokurores se shtetit gjeti se kundërshtimi i mbrojtëses se të akuzuarit është i pabazuar pasi që vlerësojë duke pasë parasyshë deklaratat e të dëmtuarve A.S. R.K. e D.K. mbi veprimet e të pandehurit të ndërmarra ditën kritike ndaj të dëmtuarës A dhe ndaj tyre gjyqtarja e çështjes vlerësoj se aktakuza është e hartuar konform dispozitave të procedurës penale dhe si e tillë nuk mundë të hudhet”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe nenin 5, paragrafi 3, (E drejta për liri dhe siguri) dhe neni 6 (E drejta për proces të rregullt) të KEDNJ-së.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5, paragrafi 3 i KEDNJ-së

 

  1. Parashtruesi i kërkesës shpjegon shkeljen e nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 paragrafin 3 të KEDNJ-së, me pretendimet e mëposhtme „[…] qëndrimi edhe më tutje i të pandehurit nën masën e paraburgimit është shkelje e të gjitha të drejtave themelore të përcaktuara me akte vendore dhe ndërkombëtare. Kjo për faktin se vazhdimi i paraburgimit ndaj parashtruesit ka pushuar të jetë i bazuar në arsyetim relevant dhe të mjaftueshëm pasi që vetë gjykatat e rregullta në vazhdimësi kanë dhënë arsyetim identik në vendimet e tyre, me rastin e vazhdimit të masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, e në mungesë të një analize dhe vlerësimi të argumentuar të fakteve dhe rrethanave konkrete të rastit. Duke vepruar kështu gjykatat e rregullta dështuan të ofrojnë arsyetim konkret dhe të mjaftueshëm se pse vazhdimi i paraburgimit në pritje të gjykimit ndaj parashtruesit të kërkesës ishte i domosdoshëm dhe pse masat alternative nuk ishin të aplikueshme në rastin e parashtruesit të kërkesës. Mungesa e arsyetimit konkret dhe të detajuar si dhe vazhdimi i paraburgimit në pritje të gjykimit nga gjykatat e rregullta me arsyetim të njëjtë nuk është në pajtim me parimet dhe standardet e vendosura nga GJEDNJ. Sipas praktikës së GJEDNJ-së, ekzistenca e dyshimit të bazuar që i paraburgosuri është kryes i veprës penale është thelbësore për vazhdimin e paraburgimit por jo e mjaftueshme pas një periudhe të caktuar (shih Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, rasti nr. KI10/18 me parashtrues Fahri Deqani, par. 78) dhe autoritetet publike duhet të marrin parasysh edhe masat tjera alternative për sigurimin e pranisë së të pandehurit n[ funksion të përmbylljes me sukses të procedurës penale përkatëse (shih Aktgjykimin e lartëcekur, par 79).

 

„[…] Zgjatja pothuajse automatike e paraburgimit është në kundërshtim me garancitë e përcaktuara në nenin 5, par. 3 te KEDNJ-së, pasi që GJEDNJ-ja ka vlerësuar se edhe nëse arsyet për paraburgim kane ekzistuar në momentin e caktimit të paraburgimit, natyra e këtyre arsyeve apo rrethanave mund të ndryshojë me kalimin e kohës (shih Aktgjykimin e lartëcekur, par. 81). Mundësia e kryerjes së sërishme të veprës penale, mund te jetë faktorë për vazhdimin e paraburgimit, porse në vetvete nuk mund të jetë arsye për tejzgjatjen e tij […]“.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesë për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së

 

  1. Përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës thekson „[…] se atij po i bëhet një mohim flagrant i drejtësisë, duke e privuar nga e drejta për një proces të rregullt gjyqësor. Kjo për faktin se i njëjti ka mbi pesë (5) muaj që është në vuajtje të masës së paraburgimit dhe që nga mbajtja e seancës fillestare më 17 janar 2022, gjykata nuk ka mbajtur asnjë seancë tjetër gjyqësore për rastin e tij, ku të pandehurit do t’i ofrohej mundësia që të deklarohet lidhur me rastin e tij, ashtu siç e parasheh ligji“.

 

Gjykata Supreme e Kosovës, me Aktvendimin Pml. nr. 83/2022 të 25 shkurtit 2022, e ka hudhur si jolëndore kërkesën e parashtruesit, për shkak se kur lënda kishte shkuar në Supreme, i pandehuri veçse e kishte mbajtur paraburgimin e kontestuar dhe poashtu në shkresat e lëndës tanimë gjendej aktvendimi për vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurit. Një vendim i tillë me shumë gjasë pritet të merret nga Gjykata Supreme edhe në rastin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja më 1 qershor 2022, me të cilën ka atakuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti i Përgjithshëm P. nr. 27/22 të 07 prillit 2022 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PN. 1 DP. nr. 736/22 të 23 majit 2022, për faktin se para se lënda të procedohet në Gjykatën Supreme për vendosje sipas këtij mjeti juridik, në shkresat e lëndës ka zënë vend edhe një aktvendim i ri i gjykatës së shkallës së parë me ëe cilin të pandehurit përsëri i është vazhduar masa e paraburgimit“.

 

Një veprim i tillë i gjykatave të rregullta, në rastin e parashtruesit paraqet shkelje të të drejtave kushtetuese të të pandehurit dhe suprimon parimin e prezumimit të pafajësisë

 

  1. Në fund, parashtruesi kërkon nga Gjykata „të konstatojë se në rastin e të akuzuarit ka pasur shkelje flagrante të të drejtave të tij themelore kushtetuese të neneve 29 dhe 31 të Kushtetutës, respektivisht që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme PML. nr. 123/2022 i 25 marsit 2022, me të cilin u refuzua kërkesa e parashtruesit për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit te Gjykatës se Apelit PN.1 DP. nr. 367/22 te 11 marsit 2022 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtine P. nr. 27 /22 të 11 shkurtit 2022, nuk është në pajtueshmëri me nenin 29 paragrafin 1, piken (2) të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 paragrafin 3 të KEDNJ-së dhe nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në atë mënyrë që të shpallë të pavlefshme vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me shqiptimin përkatësisht vazhdimin e masës së paraburgimit dhe që parashtruesi i kërkesës të lirohet nga paraburgimi“.

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe dispozitat e KEDNJ-së

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 29

[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]

 

“1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:

(1) pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;

(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;

(3) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij/saj në një institucion kompetent, sipas një urdhri të ligjshëm;

(4) për mbikëqyrje shëndetësore të personit, i cili për shkak të sëmundjes paraqet rrezik për shoqërinë;

(5) për hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës ose pas urdhrit të ligjshëm për largim ose ekstradim.

 

  1. Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit.

 

  1. Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj dhe ka të drejtë që pa vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.

 

  1. Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit.

 

  1. Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.

 

  1. Personi që vuan dënimin, ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit nga liria, në mënyrën e përcaktuar me ligj.”

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

„1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

  1. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
  2. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
  3. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
  4. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
  5. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
  6. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.“

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 5

(E drejta për liri dhe siguri)

 

“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:

  1. kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
  2. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të parashikuar nga ligji;
  3. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
  4. kur një i mitur ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi të mbikqyrur ose për ndalimin e tij të ligjshëm me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor;
  5. kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
  6. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi;.

 

  1. Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.

 

  1. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.

 

  1. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm..

 

  1. Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

„1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm … e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile […]“.

 

Dispozitat përkatëse ligjore

 

KODI PENAL Nr. 06/L-074

 

Neni 248

Dhuna në familje

 

„[…]

  1. Çdo anëtar i familjes që ushtron dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik, seksual ose ekonomik ndaj anëtarit tjetër të familjes së tij/saj, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.

[…]

3.2. Dhuna në familje, dhuna fizike, psikologjike, seksuale dhe ekonomike, për nevojat e këtij kodi do të jetë e njëjtë siç është përkufizuar ne dispozitën e nenit 2, nën paragrafi 1.2. të Ligjit nr. 03/L-182 për mbrojtje nga Dhuna në Familje”.

 

KODI i PROCEDURËS PENALE nr. 04/L-123

 

Neni 187

Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit

 

“1. Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se:

1.1 ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale;

1.2 përmbushet njëri nga kushtet e mëposhtme:

1.2.1 kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij;

1.2.2 kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose

1.2.3 kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.

1.3 masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 173 të këtij Kodi do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e personit të tillë, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

  1. Në rastin nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.2. i këtij neni, paraburgimi i caktuar vetëm për shkak të mosvërtetimit të identitetit të personit hiqet posa të vërtetohet identiteti i tij. Në rastin nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.2. i këtij neni, paraburgimi hiqet posa të merren ose sigurohen provat për të cilat është caktuar paraburgimi.
  2. Nëse i pandehuri ka shkelur njërën prej masave më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 173 të këtij Kodi, gjykata në mënyrë të posaçme këtë e merr parasysh gjatë vërtetimit të ekzistimit të rrethanave nga paragrafi 1., nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3. të këtij neni”.

 

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  1. Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

 

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  1. Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

  1. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor… ”.

 

  1. Sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [PML. nr. 123/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 25 marsit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me nenin 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.

 

  1. Përveç kësaj, Gjykata i referohet edhe rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton:

 

“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.

 

  1. Gjykata së pari thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

  1. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.

 

  1. Me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  1. Duke iu rikthyer rastit konkret dhe duke u bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata rikujton se ka vërejtur se ekzistojnë dy lloje të procedurave gjyqësore të cilat parashtruesi i kërkesës i ka zhvilluar në gjykatat e rregullta dhe ato janë procedura gjyqësore për anulimin e masës së paraburgimit. dhe procedura gjyqësore për hedhjen e aktakuzës, të cilën prokuroria themelore e ka ngritur kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale „Dhuna në familje në bazë të nenit 248 par 3, nën par. 3.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

 

  1. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk e konteston në kërkesë procedurën gjyqësore që ai e ka zhvilluar në lidhje me hedhjen poshtë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore, prandaj ky fakt është i mjaftueshëm që kjo Gjykatë të mos lëshohet më tej në analizën e saj në këtë aktvendim.

 

  1. Ajo që Gjykata ka vërejtur konkretisht në kërkesë është fakti se parashtruesi i kërkesës konteston shprehimisht procedurën gjyqësore në lidhje me caktimin e paraburgimit përkitazi me aktvendimin [P. nr. 27/2022], e Gjykatës Themelore të 14 janarit 2022, me të cilin parashtruesit të kërkesës i është caktuar masa e parë e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, përkatësisht prej 13 janarit 2022 deri më 12 shkurt 2022, e për rrjedhojë edhe procedurat gjyqësore lidhur me këtë aktvendim.

 

  1. Megjithatë, Gjykata duhet të theksojë se me vendimet e Gjykatës Themelore parashtruesit të kërkesës i është vazhduar masa e paraburgimit edhe 3 herë, por ai nuk i konteston ato procedura gjyqësore, si dhe ato që dolën prej tyre, në kërkesë. Kështu, Gjykata do të shqyrtojë bazueshmërinë e shkeljeve të pretenduara të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5, paragrafin 3 të KEDNJ-së, si dhe me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, ekskluzivisht në rrethanat e procedurës gjyqësore në të cilin u caktua masa e parë e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës me aktvendimin [P. nr. 27/2022], e Gjykatës Themelore të 14 janarit 2022.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 paragrafi 3 i KEDNJ-së

 

  1. Duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 paragrafin 3 të KEDNJ-së, Gjykata konstaton se shkeljet e pretenduara kanë të bëjnë me faktin se Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit, dhe se nuk ka bazë ligjore për të; se në vetë vendimin për caktimin e masës së paraburgimit mungon analiza e provave dhe argumenteve nga ana e Gjykatës Themelore, se për këtë arsye nuk ka arsyetim të mjaftueshëm ligjor për një masë të tillë.

 

  1. Në të vërtetë, vetë thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës reduktohet në pretendimet se mungojnë arsyet dhe shpjegimet në favor të konkluzionit për plotësimin e kushteve të përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 187 i KPPK-së, dhe se Gjykata Supreme nuk është deklaruar lidhur me pretendimet e tij ankimore nga kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë.

 

  1. Gjykata rikujton se neni 5 paragrafi 3 i KEDNJ-së kërkon që autoritetet gjyqësore të shqyrtojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me paraburgim dhe të marrin vendime për paraburgim duke iu referuar kritereve objektive të parapara me ligj. Gjithashtu, ekzistimi i “dyshimit të bazuar” se personi i privuar nga liria ka kryer vepër penale për të cilën ngarkohet conditio sine qua nonza për caktimin apo vazhdimin e paraburgimit, por kjo nuk mjafton pas një kohe të caktuar, por duhet të vlerësohet nëse ka arsye relevante dhe të mjaftueshme për paraburgim (shih GJEDNJ, Trzaska kundër Polonisë, aktgjykim i 11 korrikut 2000, kërkesa numër 25792/94, paragrafi 63). Prandaj, së pari është e nevojshme të përcaktohet nëse arsyet e tjera mbi të cilat bazohet vendimi i gjykatës vazhdojnë të justifikojnë heqjen e lirisë, dhe kur këto arsye janë “relevante” dhe “të mjaftueshme”, nëse autoritetet publike kanë treguar “kujdes të veçantë” në në zhvillimin e procedurës (shih, GJEDNJ Idalov kundër Rusisë, kërkesa nr. 5826/03, aktgjykim i 22 majit 2012, paragrafi 140).

 

  1. Në mbështetje të kësaj, Gjykata rikujton se arsyetimi “relevant” dhe “i mjaftueshëm”, me ekzistencën e “dyshimit të bazuar”, sipas praktikës së GJEDNJ-së, përfshin: rrezikun e arratisjes, rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët ose që provat do të falsifikohen ose shkatërrohen, rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe nevojën për të mbrojtur personin e ndaluar (shih GJEDNJ, Buzadji kundër Moldavisë, aktgjykimi i 5 korrikut 2016, paragrafi 88). Për më tepër, arsyetimi i paraburgimit vlerësohet në rrethanat e rastit konkret dhe specifikën e tij. Përveç kësaj, është detyrim i autoritetit gjyqësor të shqyrtojë arsyet “për” dhe “kundër”, dhe të japë një arsye dhe arsyetim në lidhje me këtë (shih GJEDNJ, Aleksanyan kundër Rusisë, aktgjykim i 5 qershorit 2009, paragrafi 179).

 

  1. Gjykata gjithashtu thekson se sipas praktikës së GJEDNJ-së, bazueshmëria e dyshimit mbi të cilin duhet të bazohet arrestimi është një element thelbësor i mbrojtjes kundër arrestimit arbitrar dhe heqjes së lirisë, të paraparë në nenin 5 paragrafi 1.c të KEDNJ-së. Dyshimi i bazuar se ai ka kryer një vepër penale kërkon ekzistencën e disa fakteve ose informatave që do të bindin një vëzhgues objektiv se është e mundur që personi në fjalë të ketë kryer veprën penale (shih GJEDNJ, Fox, Campbell dhe Hartley kundër Mbretërisë së Bashkuar, vendimi i 30 gushtit 1990, Seria A Nr. 182, paragrafi 32, Stepuleac kundër Moldavisë, aktgjykim i 6 nëntorit 2007, kërkesa nr. 8207/06, paragrafi 68).

 

  1. Duke iu rikthyer kërkesës në fjalë, Gjykata konstaton se aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit është marrë nga Gjykata Themelore para fillimit të procedurës penale në të cilën duhet të përcaktohet përgjegjësia penale e parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale „Dhuna në familje në bazë të nenit 248 par 3, nën par. 3.2 të KPRK-së, që në vetvete paraqet kushtin fillestar “pa të cilin nuk mund” (conditio sine qua non) të mendohet për mundësinë e caktimit të masës së paraburgimit, e që është pikërisht në përputhje me parimin e GJEDNJ-së (shih aktgjykimin e sipërpërmendur Trzaska kundër Polonisë).

 

  1. Më tej, Gjykata konstaton se me rastin e caktimit të masës së paraburgimit, gjyqtari i çështjes ka mbajtur seancën shqyrtuese më 14 janar 2022, në të cilën kanë marrë pjesë prokurori i shtetit, i pandehuri (parashtruesi i kërkesës) dhe avokati i tij sipas detyrës zyrtare, me ç’rast ata kanë paraqitur argumentet e tyre në mbështetje të “pro” dhe “kundër” caktimit të masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, të cilën gjyqtari e ka shqyrtuar dhe vlerësuar, gjë që shihet nga vendimi i kontestuar i Gjykatës Themelore në të cilin ai ka deklaruar. “Gjyqtarja mori në shqyrtim edhe propozimin e të pandehurit dhe mbrojtës së tij që eventualisht të pandehurit t’i caktohet ndonjë masë më e butë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, mirëpo vlerësoj se në rastin konkret ka masat tjera janë të pamjaftueshme, kurse paraburgimi është e vetmja masë me të cilën mund të sigurohet prania e të pandehurit në procedurë të mëtutjeme”.

 

  1. Ka qenë analiza e argumenteve “pro” dhe “kundër” caktimit të paraburgimit, nga gjyqtari i çështjes, që ka ndikuar në faktin që parashtruesit të kërkesës i është caktuar masa e paraburgimit, të gjitha për qëllim të, siç thuhet në aktvendimin e kontestuar [P. nr. 27/2022], të Gjykatës Themelore, pasi që „[…] ekziston rreziku se po të gjendet i njëjti në liri mund të përsëris vepër të nyejt apo të ngjashme penale. Shkaqe ligjore të parapara me nenin 187 par. 1 nen par 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 te KPP-së”.

 

  1. Gjykata konstaton se dispozitat ligjore të cituara të nenit 178, paragrafi 1, nënparagrafët 1. 1. dhe 1. 2., pika 1. 2. 3. të KPP-së, në të cilat Gjykata Themelore ka bazuar vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, saktësisht i parashikon kushtet kur mund të caktohet masa e paraburgimit dhe ato janë, nëse;

 

„1.1 ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale;

1.2 përmbushet njëri nga kushtet e mëposhtme:

1.2.3 kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej;“

 

  1. Nga kjo rezulton se vendimi për domosdoshmërinë e caktimit të masës së paraburgimit është marrë nga gjyqtari i çështjes vetëm kur ka vlerësuar ekzistimin e “dyshimit të bazuar” nga provat e paraqitura në aktakuzë dhe pas argumenteve të paraqitura nga mbrojtja e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se janë plotësuar të gjitha kriteret e parapara me nenin 178, paragrafi 1, nënparagrafi 1. 1. dhe 1. 2., pika 1. 2. 3 të KPP-së. Në mbështetje të kësaj, Gjykata nuk ka gjetur argumente të reja në kërkesën që parashtruesi ka ngritur para kësaj gjykate dhe se ato nuk ishin marrë në shqyrtim nga gjyqtari i Gjykatës Themelore kur vlerësoi ekzistencën e “dyshimit të bazuar” se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

 

  1. Aq më tepër, pasi nga pretendimet e parashtruesit të kërkesës rezulton se ai konsideron se nuk ka prova për përgjegjësi penale dhe për këtë përfundim të Gjykatës Themelore. Megjithatë, Gjykata vëren se fakti që ai konsideron se provat janë të pamjaftueshme për përgjegjësinë e tij penale është çështje që Gjykata duhet të vendos në procedurën e përcaktimit të përgjegjësisë së tij penale, e jo në procedurën e caktimit të paraburgimit.

 

  1. Sa i përket procedurës në Gjykatën e Apelit, Gjykata përkujton se, edhe pse me nenin 5, paragrafin 4 të KEDNJ-së, shtetet kontraktuese nuk detyrohen që të konstatojnë shkallën e dytë të kompetencës për shqyrtimin e ligjshmërisë së privimit nga liria, shteti që vendos një sistem të këtillë, duhet në parim t’i ofrojë personit të privuar nga liria garanci të njëjta në procedurën e ankesës sikurse në shkallën e parë (shih GJEDNJ Kuçera kundër Sllovakisë, kërkesa nr. 48666/99, aktgjykimi i datës 17 korrik 2007, par. 107; shih po ashtu GJEDNJ Navarra kundër Francës, kërkesa nr. 13190/887, aktgjykimi i datës 23 nëntor 1993, par. 28).

 

  1. Po ashtu, me nenin 5, paragrafi 4 të KEDNJ-së, gjykatës e cila e shqyrton ankesën nuk i imponohet detyrimi që të trajtojë secilin argument në parashtresat e parashtruesit të kërkesës. Gjykata, megjithatë, nuk mund t’i konsiderojë të parëndësishme apo t’i injorojë faktet konkrete të cilave iu referohet personi i privuar nga liria dhe të cilat mund të vënë në dyshim ekzistimin e kushteve të domosdoshme për “ligjshmërinë” e privimit të tij nga liria, në kuptim të Konventës (shih GJEDNJ Ilijkov kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 33977/96, aktgjykimi i datës 26 korrik 2001, par. 94).

 

  1. Në rastin konkret, Gjykata gjen se argumentet kryesore të avokatit të parashtruesit të kërkesës në procedurën para Gjykatës së Apelit si gjykatë kompetente e shkallës së dytë për shqyrtimin e ligjshmërisë së paraburgimit të parashtruesit të kërkesës kanë qenë si ato të prezantuara para gjyqtarit të çështjes në Gjykatën Themelore gjatë procedurës së caktimit të masës së paraburgimit, të cilat Gjykata Themelore tashmë i kishte vlerësuar, me ç’rast kishte konstatuar se ato nuk janë “relevante” dhe “të mjaftueshme” për caktimin e një mase tjetër alternative ndaj parashtruesit të kërkesës.

 

  1. Megjithatë edhe përkundër këtij fakti, Gjykata gjen se Gjykata e Apelit, i ka shqyrtuar pretendimet ankimore të avokatit të parashtruesit të kërkesës me ç’rast ka konstatuar se, bazuar në provat e bashkangjitura, parashtruesi i kërkesës i) „[…] me dashje dhe me qëllim të cënimit të dinjitetit të personit tjetër, ka shkaktuar dhunë në familje […]”, dhe b) „[…]se procedura penale hetimore ende është në fazën fillestare dhe se para Prokurorit Themelor kanë për t’u dëgjuar të dëmtuarit – dëshmitarët, A. S, R. K., dhe D. K., ekziston rreziku se po të gjendet i pandehuri në liri, mund ta pengoj rrjedhën normale të procedurës penale duke ndikuar tek të lartcekurit […]“.

 

  1. Bazuar në këtë, rezulton se Gjykata e Apelit edhe një herë është lëshuar në vlerësimin e përmbushjes së kushteve për paraburgim, duke konstatuar se vendimi i ankimuar i Gjykatës Themelore është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se gjykata me të drejtë ka vlerësuar se ekziston “dyshimi i bazuar” nga neni 187, paragrafi 1 nën par. 1. 1. i KPP-së, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

 

  1. Për më tepër, Gjykata gjithashtu gjen se, Gjykata e Apelit “pa vonesë”, e ka zhvilluar procedurën sipas ankesës së avokatit të parashtruesit të kërkesës, edhe pse sipas GJEDNJ-së, vetë procedura kur vendimin fillestar për paraburgim e ka miratuar gjykata në procedurë në të cilën janë siguruar garancitë përkatëse të procedurës së drejtë, gjë që edhe ishte rasti në fjalë, “Gjykata është e gatshme të tolerojë periudha më të gjata të shqyrtimit në procedurën para gjykatës së shkallës së dytë” (shih GJEDNJ Shcerbin kundër Rusisë, kërkesa nr. 41970/11, aktgjykimi i datës 26 qershor 2014, par. 65).

 

  1. Duke i pasur parasysh këto, Gjykata gjen se Gjykata e Apelit në procedurën e shqyrtimit të ligjshmërisë së paraburgimit të parashtruesit të kërkesës, jo vetëm se në procedurën ankimore ka sjellë vendim lidhur me çështjen e ligjshmërisë së paraburgimit, porse gjithë procedurën e ka zhvilluar “pa vonesë”, edhe pse në raste të këtilla jepet fleksibilitet dhe tolerancë më e madhe, duke e pasur parasysh praktikën e GJEDNJ-së.

 

  1. Lidhur me procedurën në Gjykatën Supreme, Gjykata ashtu siç ka theksuar tashmë më lart, GJEDNJ nuk e parasheh nivelin e shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimit për paraburgimin edhe në nivelin e Gjykatës Supreme, edhe pse, Gjykata nuk e përjashton edhe këtë mundësi nga ana e Gjykatës Supreme, natyrisht me kushtin që për diçka të tillë të ekzistojnë mundësitë reale të cilat procedurën e zhvilluar në fjalë, e me këtë edhe vendimin, nuk do ta kishin bërë jolëndor.

 

  1. Pikërisht duke e shqyrtuar rastin konkret, Gjykata gjen se Gjykata Supreme nuk është lëshuar në vlerësimin e plotësimit të kushteve për paraburgim, nga vetë fakti se ndërkohë për shkak të skadimit të afatit të masës së parë të paraburgimit, gjyqtari i çështjes tashmë kishte nxjerrë një aktvendim të ri për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për 2 muaj, që në vetvete paraqet një veprim të ri procedural dhe një procedurë të re gjyqësore, dhe rrjedhimisht kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës u refuzua nga Gjykata Supreme si jolëndore.

 

  1. Në bazë të sa më sipër, Gjykata është e mendimit se vendimet e gjykatave për caktimin e paraburgimit, të cilat ai i konteston para gjykatës, nuk lënë përshtypjen e arbitraritetit. Për më tepër, sipas mendimit të gjykatës, gjykatat e rregullta kanë dhënë arsye dhe arsyetime të vlefshme lidhur me domosdoshmërinë e caktimit të masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës.

 

  1. Gjykata rithekson se sa i përket pretendimeve të tjera për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës dhe nenit 5 paragrafi 3 të KEDNJ-së, dhe të cilat parashtruesi i kërkesës i sjell në lidhje me aktvendimet tjera të Gjykatave Themelore, me të cilat i është zgjatur ose vazhduar paraburgimi, Gjykata konstatoi që në fillim të analizës juridike të pretendimeve, se nuk do të merret me to, pasi që parashtruesi i kërkesës kërkoi vetëm vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ nr. 123/2022], të 25 marsit 2022, në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN 1 DP. nr. 155/22], të 02 shkurtit 2022 dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore [P. nr. 27/2022], të 14 janarit 2022, dhe ato ekskluzivisht i referohen caktimit të masës së parë të paraburgimit për parashtruesin e kërkesës në kohëzgjatje prej 1 muaji, të cilës Gjykata i është përmbajtur në këtë kërkesë.

 

  1. Në bazë të sa më sipër, Gjykata pretendimet e parashtruesit të kërkesës se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës [ nr. 123/2022], të 25 marsit 2022, në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN 1 DP. nr. 155/22], të 02 shkurtit 2022 dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore [P. nr. 27/2022], të 14 janarit 2022, shkel nenin 29 të Kushtetutës si dhe nenin 5 paragrafi 3 të KEDNJ-së, i cilëson si pretendime që bëjnë pjesë në kategorinë (iii) e pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së

 

  1. Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës bazon shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në pretendimet se atij i është caktuar masa e paraburgimit, e megjithatë gjykata nuk ka mbajtur asnjë seancë tjetër gjyqësore lidhur me rastin e tij, ku atij do t’i jepej mundësia të deklarohej në lidhje me çështjen e tij, dhe se Gjykata Supreme me Aktvendimin [PML. nr. 83/2022] e hodhi poshtë si jo-lëndore kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, duke mos dhënë përgjigje nga kërkesa.

 

  1. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se procedurat e deritanishme të gjykatave të rregullta paraqesin shkelje të të drejtave të tij kushtetuese dhe suprimon parimin e prezumimit të pafajësisë.

 

  1. Gjykata vëren se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kontekst të drejtësisë së procedurës gjyqësore mund të shqyrtohen vetëm në kontekstin e procedurës që parashtruesi i kërkesës e zhvilloi, dhe që ka të bëjë me procedurën e caktimit të masës së paraburgimit dhe jo procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së tij penale, e cila në vetvete paraqet një procedurë të veçantë gjyqësore.

 

  1. Rrjedhimisht, duke marrë parasysh procedurën gjyqësore në lidhje me caktimin e masës së paraburgimit në kontekstin e drejtësisë, Gjykata konstaton se janë respektuar garancitë themelore të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke marrë parasysh faktin se për caktimin e masës së paraburgimit janë zhvilluar procedurat pranë Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, në të cilat të gjitha palët kanë pasur mundësi të paraqesin provat dhe argumentet e tyre, të paraqesin kundërshtime, të përdorin mjete të përcaktuara me ligj, të kenë përfaqësuesit e tyre, dhe kjo mund të shihet edhe në bazë të arsyetimit që Gjykata ka dhënë tashmë gjatë analizës juridike të pretendimit për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5, paragrafi 3 i KEDNJ-së.

 

  1. Gjykata gjithashtu, gjatë analizës së pretendimeve nga neni 29 i Kushtetutës në lidhje me nenin 5. paragrafi 3 i KEDNJ-së, i dha përgjigje pretendimit të dytë të parashtruesit të kërkesës se “Gjykata Supreme nuk ka marrë parasysh kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, por e ka hudhur atë si jolëndore“, dhe që Gjykata tani do ta përsërisë:

 

„Lidhur me procedurën në Gjykatën Supreme përkitazi me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, Gjykata konstaton se Gjykata Supreme nuk është lëshuar në vlerësimin e plotësimit të kushteve për paraburgim, nga vetë fakti se ndërkohë për shkak të skadimit të afatit të masës së parë të paraburgimit, gjyqtari i çështjes tashmë kishte nxjerrë një aktvendim të ri për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për 2 muaj, që në veçanti paraqet një veprim të ri procedural dhe një procedurë të re gjyqësore, dhe rrjedhimisht kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës u refuzua nga Gjykata Supreme si jolëndore” (paragrafi 75).

 

  1. Gjykata konstaton se një qëndrim i tillë i Gjykatës Supreme është i bazuar ligjërisht, duke u bazuar në faktin se me nxjerrjen e një aktvendimi të ri për vazhdimin e paraburgimit, aktvendimi i mëparshëm konsiderohet i përfunduar, dhe rrjedhimisht të gjitha procedurat gjyqësore që lidhen me të. Mirëpo, kjo gjendje i hap mundësinë parashtruesit të kërkesës që të vazhdojë procedurën gjyqësore të kontestimit të aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore duke përdorur sërish mjetet juridikes.

 

Pretendimi për paragjykim të përgjegjësisë penale të parashtruesit të kërkesës në kontekst të shkeljes së nenit 31 [E Drejta Për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së

 

  1. Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se “procedurat e mëparshme të gjykatave të rregullta paraqesin shkelje të të drejtave të tij kushtetuese dhe suprimon parimin e prezumimit të pafajësisë”, Gjykata, duke e shqyrtuar pikërisht këtë pretendim në kontekstin e vendimeve të kontestuara të Gjykatës Themelore dhe të Apelit, vëren se në to, me rastin e konstatimit të ekzistimit të plotësimit të kushteve për caktimin e masës së paraburgimit, qartë thuhet se ekziston “dyshimi i bazuar” se personi ka kryer veprën penale. Pra, shprehja “dyshimi i bazuar” i përdorur nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit në aktvendimet e tyre rrjedh nga provat se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale. Rrjedhimisht, është e qartë se gjykatat nuk kanë përdorur terminologjinë nga e cila kjo Gjykatë do të kishte mundur të nxjerrë përfundimin se gjykatat e rregullta kanë qenë të bindura për përgjegjësinë e tij penale edhe para fillimit të procedurës penale.

 

  1. Në përputhje me sa më sipër, Gjykata i cilëson pretendimet e parashtruesit të kërkesës se aktvendimi i Gjykatës Themelore, aktvendimi i Gjykatës së Apelit dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme shkelin nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe pretendimi për paragjykim të përgjegjësisë penale, cilësohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.

 

  1. Në lidhje me këtë, Gjykata konkludon se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara, në përputhje me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i përkasin kategorisë; (iii) së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

 

Përfundim

 

  1. Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5, paragrafi 3 të KEDNJ-së, si dhe pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë pretendime që kualifikohen si (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme në tërësi, si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashihet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 8 shtator 2022, njëzëri

 

VENDOS

 

  1. TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  1. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Gjyqtari raportues                          Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Radomir Laban                                                           Gresa Caka-Nimani

Parashtruesit:

Nexhat Konushevci

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale