Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 166/2021 të 29 qershorit 2021

Nr. të lëndës KI 197/21

Parashtruesit: Mazllum Belegu

Shkarko:

KI197/21, Parashtrues: Mazllum Belegu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 166/2021, të 29 qershorit 2021

KI197/21, Aktvendim për papranueshmëri i 8 qershorit 2022, publikuar më 29 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, mosshterim i mjeteve juridike

Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës në vitin 1987 ka lidhur kontratë me Bashkësinë Vetëqeverisëse të Interesit për Qeverisje me Tokë  Ndërtimore të Komunës së Prishtinës, sipas së cilës, për shumën e paguar prej 4,810,300 dinarë, fitoi në shfrytëzim pronën e paluajtshme e cila është regjistruar si ngastra kadastrale nr. 851/8. Në ndërkohë, Komuna e Prishtinës e mori një pjesë të kësaj ngastre e cila ka qenë pjesë e kontratës për shkak të ndërtimit të rrugës. Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Komuna e Prishtinës kompensimin për pjesën e marrë të ngastrës, ose që pjesa e marrë t’i kompensohet me një ngastër tjetër.

Gjatë vitit 2007, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Prishtinë, duke kërkuar kompensim adekuat për truallin e marrë për ndërtimin e rrugës nga Komuna e Prishtinës. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit aprovuan kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ndërsa në procedurën e revizionit Gjykata Supreme e pranoi revizionin e ushtruar të Komunës së Prishtinës, duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

Duke pasur parasysh pikërisht këtë rezultat të procedurës para Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatë, duke pretenduar se me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, si dhe me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 1 [E drejta e pronës] të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Duke i shqyrtuar me vëmendje pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata vërejti se ai i ndërton shkeljet kushtetuese në qëndrimin se i) revizioni i ushtruar nga Komuna e Prishtinës nuk i ishte dorëzuar asnjëherë dhe se fletëkthesa për dorëzimin e revizionit te përfaqësuesi i tij i atëhershëm është në fakt e falsifikuar; dhe se ii) Gjykata Supreme nuk është dashur ta pranojë revizionin e paraqitur të Komunës së Prishtinës, sepse rregullsia e kontestit nuk është vërtetuar asnjëherë.

Gjykata, me qëllim të vërtetimit të të gjitha rrethanave të rastit, kërkoi nga Gjykata Themelore që t’i dorëzojë të gjitha shkresat e lëndës në Gjykatë dhe ajo e bëri këtë.  Rrjedhimisht, Gjykata, gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës, vërejti se përfaqësuesi i atëhershëm i parashtruesit të kërkesës e ka pranuar revizionin e Komunës së Prishtinës më 24 shkurt 2021, por ai nuk është përgjigjur ndaj revizionit brenda afatit, dhe në këtë mënyrë ka hequr dorë vullnetarisht nga e drejta e shfrytëzimit të  mjeteve efektive juridike.

Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës se fletëkthesa për dorëzimin nga shkresat e lëndës është e falsifikuar, Gjykata konsideroi se kemi të bëjmë me vërtetimin e gjendjes faktike, dhe se kjo nuk është në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por të organeve të tjera kompetente.

Gjykata e deklaroi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të papranueshme në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Mazllum Belegu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri