KI156/21, Parashtruese: Sylhane Sahiti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 185/2020, të 24 qershorit 2020
KI156/21, Vendim i 21 tetorit 2021, publikuar më 10 nëntor 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, përsëritje e kërkesës
Kërkesa KI156/21 është përsëritje e kërkesës së mëparshme KI30/21. Në kërkesën KI30/21, parashtruesja kishte kërkuar kthimin në gjendje të mëparshme, dhe të njëjtën kërkesë, duke bashkangjitur prova tjera, përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e kishte përsëritur edhe në kërkesën e tanishme.
Parashtruesja e kërkesës përsëriti pretendimet siç i kishte në kërkesën e saj KI30/21, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të njëjtë të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Gjykata vlerësoi se kërkesa e tanishme nr. KI156/21, është përsëritje e kërkesës së mëparshme nr. KI30/21, të cilën Gjykata e kishte shpallur të papranueshme për shkak se ishte e pasafatshme.
Gjykata vlerësoi se në mënyrë që të shqyrtojë një kërkesë e cila ndërlidhet me të njëjtat fakte sikurse kërkesa e mëparshme, parashtruesja e kërkesës duhet që me të vërtetë të ofrojë informata të reja që më parë nuk janë shqyrtuar nga Gjykata. Në këtë drejtim, Gjykata rikujtoi se vendimet e saj janë të formës së prerë dhe të detyrueshme për gjyqësorin, për të gjithë personat dhe për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit, në fakt, është kërkesë për përsëritjen e procedurave të mëhershme, tashmë të vendosura nga Gjykata. Prandaj, në pajtim me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, kërkesa nr.KI156/21 u refuzua me procedurë të shkurtër.
Sylhane Sahiti
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile