KI01/21, Parashtruese: Ajshe Aliu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 37/2020 të 11 qershorit 2020
KI01/21, Aktgjykim i 7 tetorit 2021, publikuar më 1 nëntor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, mungesë e arsyetimit të vendimit gjyqësor
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me të drejtën e pretenduar të një nëne biologjike për njoftuar/kontaktuar fëmijën e saj të dhënë në adoptim dhe i cili tashmë ka arritur moshën madhore, në specifikat e sqaruar në Aktgjykimin e publikuar. Çështjet që ngërthen kërkesa, ndër të tjera, ndërlidhen me të drejtën në jetë private, dhe parimet e përjashtimet përkatëse, siç janë garantuar përmes neneve respektive të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe praktikës përkatëse të Gjykatës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Më specifikisht, nga shkresat e lëndës rezultoi se parashtruesja e kërkesës, më 1 mars 2016, në Qendrën për Punë Sociale në kuadër të Komunës së Prishtinës kishte parashtruar kërkesë, përmes së cilës kishte kërkuar që fëmija i saj biologjik i moshës madhore, të cilin e kishte dhënë për birësim në vitin 1989, të njoftohet për: (i) ekzistimin e nënës së tij biologjike; dhe (ii) interesimin e saj për ta njoftuar atë. Qendra për Punë Sociale ishte përgjigjur duke theksuar se (i) nuk ka bazë ligjore për të njoftuar fëmijën e saj biologjik në lidhje me birësimin e tij; dhe se (ii) bazuar në paragrafin 2 të nenit 194 (Parimet) të Ligjit për Familjen të Kosovës, qasja në informatë në lidhje me prindërit biologjikë i garantohet vetëm fëmijës së adoptuar të moshës madhore në bazë të kërkesës së tij/saj. Si rezultat i kërkesës së parashtrueses së kërkesës për rishqyrtim të përgjigjes së Qendrës për Punës Sociale, konstatimi i kësaj të fundit ishte konfirmuar edhe nga Komisioni i Ankesave në kuadër të Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Për pasojë, parashtruesja e kërkesës në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte parashtruar kërkesëpadi përmes së cilës, ndër tjerash, kishte kërkuar që të detyrohet Departamenti për Politika Sociale dhe Familjare që të informojë fëmijën e saj biologjik në lidhje me birësimin e tij. Gjykata Themelore e kishte refuzuar si të pabazuar padinë e parashtrueses së kërkesës duke vërtetuar konstatimet e lartcekura të Qendrës për Punë Sociale dhe të Komisionit për Ankesa pranë Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe duke konstatuar se bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, Qendra për Punë Sociale nuk është e obliguar që të njoftojë fëmijën në lidhje me birësimin e tij dhe se të drejtën e qasjes në të dhëna të tilla e ka vetëm i adoptuari i moshës madhore në bazë të kërkesës së tij. Në vijim, parashtruesja e kërkesës kundër këtij Aktgjykimi të Gjykatës Themelore, kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit kishte refuzuar ankesën e saj e si të pabazuar duke vërtetuar konstatimin e gjykatës së shkallës së parë. Si rezultat i kërkesës së parashtrueses së kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të parashtruar në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të 11 qershorit 2020, këtë kërkesë të parashtrueses së kërkesës gjithashtu e kishte refuzuar si të pabazuar. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar kishe vërtetuar konstatimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit dhe kishte përfunduar se të dhënat dhe rrethanat e adoptimit nuk duhet të zbulohen ose të hulumtohen pa pëlqimin e adoptuesit dhe të fëmijës, përveç nëse kjo kërkohet për arsye të veçanta dhe për arsye të interesit publik.
Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës i kontestoi konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, përfshirë edhe ato të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë. Thelbi i pretendimit të parashtrueses së kërkesës para Gjykatës ishte se gjykatat e rregullta i kanë shkelur asaj të drejtën për jetë private, të garantuar me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke mos i miratuar asaj kërkesën për njoftimin e fëmijës së saj biologjik në lidhje me ekzistimin e nënës së tij biologjike dhe interesimin e parashtrueses së kërkesës për ta njoftuar atë. Si rezultat i kësaj, ajo po ashtu kishte pretenduar: (i) shkelje të nenit 31 (E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm) të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor; dhe (iii) shkelje të nenit 7 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata u fokusua në garancitë e mishëruara në nenin 36 (E Drejta e Privatësisë) të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe në këtë kontekst, së pari shtjellojë parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës dhe e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas, aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata theksoi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës, përmes së cilës kishte shprehur interesimin e saj për ta njoftuar fëmijën e saj të dhënë për adoptim në vitin 1989, ngërthen elemente që i përkasin një pjese të rëndësishme të identitetit të saj si nënë biologjike dhe të cilat afektojnë të drejtën e saj për jetë private në kuptim të nocionit të “jetës së saj private” të garantuar me paragrafin 1 të nenit 36 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Thënë këtë, duke pasur parasysh që ky pretendim afekton të drejtën e saj për jetë private, Gjykata rikujtoi se, sipas praktikës së saj dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjatë shqyrtimit të rasteve për të konstatuar nëse në një rast konkret ka pasur kufizim dhe shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara me Konventë, aplikon të njëjtat koncepte, përkatësisht nëse kufizimi apo ndërhyrja përkatëse: (i) është “në përputhje me ligjin” ose “e përcaktuar me ligj”; (ii) ka “ndjekur një qëllim legjitim”; dhe (iii) është “e domosdoshme në një shoqëri demokratike.” Në këtë kontekst, Gjykata në rrethanat e rastit konkret, vlerësoi se vendimet e gjykatave të rregullta, përmes së cilave ishte refuzuar kërkesa specifike e parashtrueses së kërkesës: (i) ishin të bazuara në ligj; (ii) kishin ndjekur një qëllim legjitim – mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të fëmijës së adoptuar dhe familjes së tij adoptuese; dhe (iii) kishin ndjekur një ekuilibër të drejtë në mes të interesave të fëmijës së adoptuar, tashmë të moshës madhore, dhe respektimin e të drejtës së tij private dhe familjare brenda familjes së tij adoptuese.
Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk ishte i përfshirë në shkelje të së drejtës së saj për jetë private të garantuar me paragrafin 1 të nenit 36 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa, përkitazi me pretendimin për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata, duke aplikuar parimet e përgjithshme të vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke rikujtuar që bazuar në të njëjtat dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret, konstatoi se në rrethanat parashtrueses së kërkesës, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme përmbush kriteret dhe standardin për një vendim të arsyetuar gjyqësor, ashtu siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës.
Përfundimisht, mbështetur në rrethanat e rastit konkret dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është në pajtueshmëri me (i) nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe po ashtu (ii) nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejtat në proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ajshe Aliu
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Administrative