KI187/20, Parashtrues: Lorik Salihu, Kërkesë për vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, PN. nr. 558/2020, të 18 gushtit 2020
KI187/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, publikuar më 05.08.2020
Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjet juridik, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezultoi që rasti ndërlidhet me sekuestrimin e automjetit të parashtruesit të kërkesës, i cili është bërë me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kërkesë kjo e miratuar nga Gjykata Themelore, nën dyshimin se automjeti i sekuestruar është përdorur nga parashtruesi i kërkesës për kryerjen e veprës penale, të cilën vepër dyshohet se e kishte kryer. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Themelore kundër Urdhrit për lejimin e sekuestrimit të veturës. Gjykata Themelore kishte refuzuar ankesën, dhe në këshillën juridike të aktvendimit të saj ishte shënuar që ndaj të njëjtit vendim, palët mund të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit në afat prej 3 (tri) ditësh. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit kishte hedhur poshtë ankesën si të palejuar, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë gabimisht kishte udhëzuar parashtruesin e kërkesës, pasi që bazuar në nenin 417, paragrafin 5 të KPPRK-së në këtë rast specifik nuk është e lejuar ankesa.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës të mbrojtur me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës.
Lidhur me nenin 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës vetëm kishte përmendur por nuk kishte elaboruar apo arsyetuar tutje para Gjykatës se si ka ardhur deri tek shkelja e të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me këtë nen.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës se atij i është cenuar e drejta në mjet juridik, sepse sipas tij ankesën e tij të parashtruar në Gjykatën e Apelit e kishte bazuar në nenin 24 në ndërlidhje me nenin 378 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, si dhe duke u bazuar në këshillën juridike të Aktvendimit të Gjykatës Themelore. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës pretendoi se mjeti juridik kishte qenë në dispozicion të parashtruesit dhe i paraparë me dispozita ligjore. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se vendimi i kontestuar është kontradiktor, duke shtuar se sipas tij dispozita e paragrafit 5 të nenit 417 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, vlen vetëm me përjashtim të rasteve, dhe sipas tij jo edhe në rastin konkret.
Gjykata së pari theksoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkelje të nenit 32 të Kushtetutës në esencë ndërlidhet me interpretim të gabuar të ligjit të aplikueshëm.
Gjykata konstatoi se pavarësisht nga e drejta kushtetuese për një mjet efektiv juridik, është e rëndësishme të theksohet se jo çdo udhëzim i gabuar për një mjet juridik do të rezultojë në shkelje të së drejtës për mjet efektiv juridik.
Gjykata lidhur me rastin theksoi se refuzimi i ankesës në fjalë nuk e cenon të drejtën e parashtruesit për mjet juridik sepse ai mund të ushtroj të drejtën e tij për çështjen lidhur me rastin konkret përmes një ankese kundër aktgjykimit final.
Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton që parashtruesi i kërkesës nuk kishte dëshmuar dhe nuk i kishte mbështetur mjaftueshëm pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë
Lorik Saliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri