KI35/18 Parashtrues: “Bayerische Versicherungsverbrand”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës E.Rev.nr.18/2017, të 4 dhjetorit 2017
KI35/18, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2019, publikuar më 10 janar 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, shkelje e të drejtave kushtetuese, neni 31 – E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga i siguruari i INSIG në vitin 2007, i siguruari i parashtruesit të kërkesës, H.H., kishte pësuar dëme materiale. Më 12 maj 2009 parashtruesi i kërkesës ushtroi padi pranë Gjykatës Themelore. Shuma e kompensimit prej 10.500 euro në emër të borxhit kryesor, u miratua nga të gjitha gjykatat e rregullta. Kontestuese përgjatë procedurave para gjykatave të rregullta ishte lartësia e kamatëvonesës dhe mënyra e llogaritjes së saj.
Gjykata Themelore fillimisht kishte përcaktuar kamatëvonesën në lartësinë prej 20% në vit duke filluar nga 12 maji 2009 deri në pagesën definitive. Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar këtë Aktgjykim duke e përcaktuar kamatën “që e paguajnë bankat afariste për mjetet e deponuara në bankë mbi një vit pa destinim të caktuar” me një dënim shtesë (i) prej 20% duke filluar nga data 12 maj 2009 (data e paraqitjes së padisë), deri më 29 korrik 2011 (hyrja në fuqi e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia) ndërsa (ii) duke filluar nga data 30 korrik 2011 e deri në pagesën definitive, vetëm kamatëvonesën prej 12% të normës së kamatës vjetore, bazuar në nenin 26 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia. Në fund, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [E.Rev.Nr.18/2017] të 4 dhjetorit 2017, kishte ndryshuar Aktgjykimet e gjykatave më të ulëta përkitazi me kamatëvonesën dhe kishte përcaktuar si detyrim për INSIG kamatëvonesën “në lartësi të depozitimeve kursimore të paafatizuara të cilat i paguajnë bankat afariste në Kosovë pa destinim të caktuar mbi një vit” nga data 3 gusht 2015 (data në të cilën ishte bërë ekspertiza), e deri në pagesën definitive.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi [E.Rev.nr.18/2017] i 4 dhjetorit 2017, i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, dhe në cenim të parimit të sigurisë juridike, sepse sipas tij, Gjykata Supreme në nxjerrjen e këtij Aktgjykimi kishte vepruar edhe në kundërshtim më praktikën e saj gjyqësore në të paktën shtatë (7) raste të cilat ai i kishte dorëzuar në Gjykatë në mbështetje të argumenteve të tij.
Në shqyrtimin e meritave të rastit, Gjykata elaboroi (i) praktikën gjyqësore lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor dhe (ii) parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, si dhe kriteret përkatëse bazuar në të cilat, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerëson nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjenca në praktikën gjyqësore përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, përkatësisht tri kriteret themelore për të përcaktuar nëse një divergjencë e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, përfshirë nëse: (a) divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (b) ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla dhe (c) ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti.
Gjykata, duke i aplikuar parimet dhe kriteret e lartpërmendura, konstatoi se Aktgjykimi [E.Rev.nr. 18/2017] i 4 dhjetorit 2017 i Gjykatës Supreme ishte nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme në nxjerrjen e Aktgjykimit [E.Rev.nr. 18/2017] të 4 dhjetorit 2017, ka dështuar të arsyetoj pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe nuk e ka arsyetuar vendimin e saj përkitazi me lartësinë e kamatëvonesës së caktuar dhe momentin prej të cilit rrjedh llogaritja e kamatëvonesës; dhe
Gjykata përkitazi me aplikimin e dispozitave ligjore që ndërlidhen me lartësinë e kamatëvonesës së aplikueshme në rastet e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia, duke aplikuar tri kriteret e përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme ka “dallime të thella dhe afatgjata”, sepse në në të paktën nëntë (9) raste, brenda një periudhe pesë (5) vjeçare, Gjykata Supreme ka aplikuar dispozitat ligjore përkitazi me lartësinë e kamatëvonesës në mënyrë divergjente. Për më tepër, Gjykata theksoi se përkundër faktit që mekanizmat për sigurimin e konsistencës në praktikë gjyqësore janë të përcaktuar në ligjet përkatëse, ky mekanizëm nuk ishte përdorur nga Gjykata Supreme.
Ndërsa, sa i përket aplikimit të dispozitave ligjore që ndërlidhen me momentin prej të cilit fillon llogaritja e kamatëvonesës, Gjykata vlerësoi se devijimi i Gjykatës Supreme nga praktika gjyqësore në këtë aspekt, është rast i izoluar dhe i cili nuk mund të kalojë testin e përcaktuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të konstatuar “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën përkatëse gjyqësore.
“Bayerische Versicherungsverbrand”
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile