KI28/19, Parashtrues i kërkesës: Lutfi Morina, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit Ac.nr.4035/18 i 5 tetorit 2018
KI28/19 , Aktvendim i miratuar më 27 nëntor 2019, i publikuar më 10 janar 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, dëgjimi i dëshmitarëve, dhunë në familje, urdhër i mbrojtjes, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.4035/18] të 5 tetorit 2018, duke pretenduar se Aktvendimi i kontestuar, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së me pretendimin se gjykatat e rregullta: (i) kanë nxjerrë vendimet e tyre bazuar në dëshmi të papranueshme; (ii) kanë vënë parashtruesin e kërkesës në pozitë të pabarabartë me palën kundërshtare.
Duke u mbështetur në praktikën e GJEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe theksoi se për sa i përket dëshmisë së të miturës E.L., Gjykata vëren se gjykatat e rregullta kanë vërtetuar gjendjen faktike duke u bazuar në dëshmitë e shumë dëshmitarëve të tjerë. Çka tregon se dëshmia e të miturës E.L. nuk ka qenë dëshmi e vetme apo kryesore që ka mundur ta influencojë rezultatin e rastit apo kushtetutshmërinë e procesit si tërësi. Gjykata po ashtu nënvizoi se dispozitat përkatëse të kuadrit ligjor në Republikën e Kosovës lejojnë gjykatat që t’i marrin në pyetje edhe të miturit dhe se ato kanë diskrecion për të vlerësuar nëse një i mitur do të merret në pyetje ose jo. Gjykata, duke u mbështetur në juridiksionin e saj rishikues, ritheksoi se si rregull i përgjithshëm, nuk është detyrë e saj ta zëvendësojë vlerësimin e vet të fakteve me atë të gjykatave të rregullta.
Përfundimisht, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstatoi që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur mjaftueshëm pretendimin e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, kërkesa në baza kushtetuese, u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar.
Lutfi Morina
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile