Zyrtarë të Bundestagut vizituan Gjykatën

23.05.2024

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Remzije Istrefi – Peci, priti në takim një delegacion zyrtarësh të Bundestagut gjerman, i përbërë nga këshilltarë dhe staf mbështetës të deputetëve të parlamentit federal të Gjermanisë.

Përbërja e Gjykatës dhe puna e deritanishme, vendimet me rëndësi dhe referimi në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjatë vendimmarrjes, si dhe dispozitat kushtetuese që garantojnë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend, ishin vetëm disa ndër temat në të cilat u fokusua gjatë bashkëbisedimit me delegacionin gjerman gjyqtarja Istrefi – Peci.

Në vazhdim të takimit ajo shprehu mirënjohjen e saj për ndihmën e ofruar ndër vite nga Qeveria gjermane në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore të Gjykatës Kushtetuese, duke veçuar themelimin e Bibliotekës së Gjykatës me përkrahjen e agjencisë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar “GIZ” dhe trajnimet e organizuara me gjyqësorin e rregullt nga fondacioni gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar “IRZ”.

Nga ana e tyre, zyrtarët gjermanë shprehën interesimin që të informohen më në detaje përkitazi me vendimet më me rëndësi të Gjykatës që nga themelimi, për strukturën etnike të parashtruesve të kërkesave, për procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues dhe anëtarësimin e Gjykatës në organizatat dhe forumet profesionale ndërkombëtare.

Vizita në Kosovë e delegacionit të zyrtarëve të Bundestagut u organizua nga Shoqata e Evropës Juglindore, organizatë kjo e financuar nga Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë, në bashkëpunim me fondacionet gjermane: “Friedrich-Ebert-Stiftung”, “Friedich-Naumann-Stiftung für die Freiheit”, “Heinrich-Böll-Stiftung”, “Konrad-Adenauer-Stiftung” dhe “Rosa-Luxemburg-Stiftung”.