Seancë dëgjimore publike më 25 prill 2023

20.04.2023

Në Gjykatoren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të martën, më 25 prill 2023, do të mbahet seanca dëgjimore publike, në të cilën do të shqyrtohet kërkesa me numër të lëndës KI82/22, me parashtrues: z. Valon Loxhaj, që për objekt të shqyrtimit kushtetues ka çështjen e “largimit nga puna dhe mos kompensimin”.

Në kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës pretendon se, ProCredit Bank – Dega në Pejë, në mënyrë të kundërligjshme e ka larguar atë nga puna dhe se për periudhën nga data 15 dhjetor 2010 e deri në kthimin e tij në punë më 3 tetor 2016, i njëjti nuk është kompensuar si duhet për pagat e papaguara dhe kërkesat tjera aksesore nga marrëdhënia e punës.

Në këtë seancë dëgjimore publike janë ftuar për të marrë pjesë parashtruesi i kërkesës, z. Valon Loxhaj, dhe përfaqësuesit e autorizuar të ProCredit Bank.

Seanca dëgjimore publike do të fillojë në orën 10:00. Dyert e Gjykatores, për pranimin e qytetarëve dhe të mediave të interesuara për të përcjellë seancën dëgjimore, do të hapen në orën 09:30.