Punëtori me prokurorët e rinj të Kosovës

04.06.2018

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës organizuan punëtorinë e përbashkët në temën: “Roli dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Raporti me gjykatat e rregullta dhe institucionet tjera”, e cila u mbajt në gjykatoren e Gjykatës Kushtetuese, të premten, më 1 qershor 2018.

Qëllimi i punëtorisë së mbajtur ishte informimi i prokurorëve të sapoemëruar të Republikës së Kosovës, me rolin dhe me kompetencat që ka Gjykata Kushtetuese në raport me gjyqësorin e rregullt, si dhe me institucionet e tjera në vend, për të cilat ata u njoftuan më për së afërmi nga këshilltari i parë juridik i Gjykatës, z. Sevdail Kastrati.

Këshilltari Kastrati i njoftoi prokurorët e rinj edhe me pranimin dhe me procedimin e kërkesave të parashtruara nga palët, me kriteret e pranueshmërisë së kërkesave, si dhe me ankesat individuale ndaj vendimeve të gjykatave të rregullta, e në veçanti të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Prokurorët e rinj ndërkaq shprehën interesimin e tyre për t’u informuar më hollësisht përkitazi me shqyrtimin që i bën Gjykata Kushtetuese ankesave për stërzgjatje të procedurave gjyqësore nga gjykatat e rregullta, afatet kohore për shqyrtimin e kërkesave, si dhe për procesin e shqyrtimit të rasteve në bazë të radhës së parashtrimit/regjistrimit të tyre.

Përkitazi me marrëdhënien e bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Komisionit të Venecias, prokurorët e rinj i njoftoi më në detaje Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim, z. Veton Dula, njëherësh Zyrtar ndërlidhës i Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias.