Njoftim për vendim në rastin KI 161/21

01.08.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KI 161/21, të parashtruar nga Suzana Zogëjani Sekiraqa. Kjo e fundit, bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Pml.nr.310/2020] të 28 prillit 2021 të Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. Nr. 133/2020] të 3 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PAKR.nr.37/19] të 24 janarit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykata, me shumicë votash, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në merita; dhe (ii) konstatoi se Aktgjykimi [Pml.nr.310/2020] i 28 prillit 2021 i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. Nr. 133/2020] të 3 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PAKR.nr.37/19] të 24 janarit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Aktgjykimi i Gjykatës sqaron që, rrethanat e rastit konkret dhe të cilat janë detajisht të shtjelluara në Aktgjykimin që do të publikohet, ndërlidhen me dënimin e parashtrueses së kërkesës prej njëzet e pesë (25) vite burgim, për vrasjen e bashkëshortit të saj, përkatësisht të ndjerit A.S., në vitin 2018. Më saktësisht, përmes Aktgjykimit [PKR.nr.37/19] të 24 janarit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, parashtruesja e kërkesës ishte shpallur fajtore për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, siç është përcaktuar në pikat 1.3 dhe 1.4 të paragrafit 1 të nenit 179 (Vrasja e rëndë) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktgjykimi më tej sqaron rrethanat të cilat i kanë paraprirë zhvillimit të procedurës penale ndaj parashtrueses së kërkesës, përkatësisht dhe ndër tjerash, faktin që (i) parashtruesja e kërkesës nga viti 2007 deri në vitin 2018, fillimisht para institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe më pas, edhe para autoriteteve të Republikës së Francës, kishte raportuar se ishte viktimë e dhunës në familje; (ii) nga viti 2010 deri në vitin 2018, në periudha të ndryshme kohore, asaj dhe fëmijëve të saj, u ishte ofruar strehim nga autoritetet franceze; (iii) në vitin 2018, Gjykata e Lionit në Republikën e Francës e kishte shpallur fajtor dhe dënuar për dhunë në familje tashmë të ndjerin A.S., dhe më pas e kishte liruar me kusht; ndërsa (iv) më 21 shtator 2018, A.S. ishte privuar nga jeta nga parashtruesja e kërkesës, e cila më pas bashkë me fëmijët e saj ishte kthyer në Republikën e Kosovës, ku ishte lajmëruar në Ambasadën e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës dhe më 4 tetor 2018, e njëjta ishte arrestuar nga autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës. Procedura penale në rrethanat e rastit konkret, kishte përfunduar me nxjerrjen e Aktgjykimit të kontestuar [Pml.nr.310/220] të 28 prillit 2021 të Gjykatës Supreme.

Parashtruesja e kërkesës në procedurat para gjykatave të rregullta, nuk kishte kontestuar aktin për të cilin akuzohej, megjithatë përgjatë zhvillimit të procedurës penale ndaj saj, në vazhdimësi, dhe ndër tjerash, kishte kërkuar (i) ekzaminimin përkatës psikiatrik; (ii) ballafaqimin me dëshmitarët dhe dëshmitë e të cilëve ishin marrë nga autoritetet franceze, por të cilat përgjatë zhvillimit të procedurës penale vetëm ishin lexuar gjatë shqyrtimit kryesor dhe parashtruesja e kërkesës nuk kishte pasur mundësinë t’i ballafaqojë në asnjë fazë të procedurës penale; (iii) marrjen parasysh të dëshmive, përfshirë ato të autoriteteve franceze lidhur me faktin që e njëjta ishte viktimë e dhunës në familje; dhe kishte kontestuar (iv) marrjen në pyetje të të birit të saj, përkatësisht të miturit, X.X, në cilësi të dëshmitarit gjatë procedurës së zhvilluar në Gjykatën Themelore, pa mbështetje profesionale, përkatësisht pa praninë e psikologut. Kërkesat dhe/ose pretendimet e parashtrueses së kërkesës ishin refuzuar nga gjykatat e rregullta. Për pasojë, parashtruesja e kërkesës i ngritë të njëjtat pretendime para Gjykatës, duke kontestuar Aktgjykimet përkatëse të gjykatave të rregullta, me pretendimet që të njëjtat janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, me theks, në cenimin e parimit kushtetues të barazisë së armëve.

Në kontekst të pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata (i) fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme përkitazi me parimin e barazisë së armëve bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke përfshirë edhe parimet relevante që burojnë nga Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës kundër Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës, të aplikueshme drejtpërdrejtë në rendin juridik të Republikës së Kosovës dhe me epërsi mbi ligjet e aplikueshme, dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat specifike të rastit konkret. Sipas sqarimeve të shtjelluara në Aktgjykimin e Gjykatës, Gjykata, ndër tjerash, fillimisht theksoi se bazuar në garancitë kushtetuese dhe ato të përcaktuara më Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, çdokush që akuzohet për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet, garanci këto të cilat janë të saktësuara më tej në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës.

Në rrethanat e rastit konkret dhe në kontekst të parimit kushtetues të barazisë së armëve, Gjykata, ndër tjerash, theksoi që në procedurat gjyqësore para gjykatave të rregullta në këtë proces penal, prokuroria dhe mbrojtja, nuk ishin trajtuar në mënyrë të barabartë, ndër tjerash, duke marrë parasysh që (i) parashtruesja e kërkesës dhe/ose mbrojtja e saj, në asnjë fazë të procedurës penale, nuk kishin pasur mundësinë e ballafaqimit të dëshmitarëve apo dëshmive të këtyre të fundit, deklaratat e të cilëve ishin lexuar në procesin gjyqësor, por që bazuar në arsyetimet e gjykatave të rregullta, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim procedural në mënyrë që parashtrueses të kërkesës të mund të i jetë siguruar një mundësi e tillë; (ii) kërkesat e parashtrueses së kërkesës dhe/ose mbrojtjes së saj për të paraqitur dëshmitë, përfshirë ato të autoriteteve franceze, bazuar në të cilat do të mund të vërtetohej se e njëjta ishte viktimë e dhunës në familje, ishin refuzuar nga të gjitha instancat gjyqësore; dhe (iii) në rrethanat specifike të rastit konkret, refuzimi i vazhdueshëm i gjykatave të rregullta për të bërë ekzaminimin psikiatrik të parashtrueses së kërkesës, është në kundërshtim me garancitë e përcaktuara në kontekst të rrethanave specifike të rastit konkret, përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, në Aktgjykimin Gaggl kundër Austrisë, për më tepër, marrë parasysh faktin që vet arsyetimi i Gjykatës Themelore përdorë gjuhë paragjykuese ndaj parashtrueses së kërkesës.

Për më tepër dhe me rëndësi, Aktgjykimi shtjellon parimet dhe standardet e aplikueshme, përfshirë përmes instrumenteve ndërkombëtare, në rastet në të cilat të miturit dëshmojnë në procese gjyqësore. Duke u referuar në (i) nenin 50 [Të Drejtat e Fëmijës] të Kushtetutës; (ii) nenin 3 (pa titull) të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve; (iii) detyrimet që burojnë nga neni 18 (Detyrimet e Përgjithshme) të Konventës së Stambollit; dhe (iv) praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata vuri theks në faktin që, të gjitha autoritetet publike, përfshirë gjykatat, kanë detyrimin për të mbrojtur interesin më të mirë të fëmijës në procedurë penale dhe se në rrethanat e rastit konkret, gjykatat kishin dështuar të përmbushin këtë detyrim, duke marrë parasysh, ndër tjerash, faktin që i mituri X.X., ishte dëshmitari i vetëm okular në rrethanat e rastit konkret, në një kontekst në të cilin dëshmonte në një rast penal lidhur me vrasjen e babait të tij, vepër për të cilën akuzohej nëna e tij, dhe se i njëjti, ishte marrë në pyetje pa mbështetje profesionale, përkatësisht pa praninë e psikologut dhe/ose profesionistit adekuat. Gjykata theksoi se, në kuptim të obligimeve pozitive të përcaktuara me Kushtetutë dhe me instrumentet ndërkombëtare, përfshirë edhe praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, interesi më i mirë i fëmijës duhet të jetë konsiderata e parë dhe më e rëndësishme për të gjitha autoritetet publike, përfshirë sistemin e drejtësisë.

Bazuar në të lartcekurat, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimet përkatëse të gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të parimit kushtetues të barazisë së armëve dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me garancitë procedurale të mishëruara në paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, Gjykata shpalli të pavlefshme të njëjtat dhe ktheu çështjen përkatëse penale në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në fund, Gjykata vuri theks në faktin që efektet e këtij Aktgjykimi ndërlidhen vetëm me konstatimet në kuptim të garancive procedurale të mishëruara në nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me cenimin e parimit të barazisë së armëve në kontekst të procedurës së zhvilluar penale dhe se, Gjykata në asnjë mënyrë nuk paragjykon meritat apo rrjedhën e procedurës penale në procedurën e rigjykimit, çështje këto të cilat janë në kompetencë të plotë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu siç është përcaktuar përmes dispozitave përkatëse të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org