Njoftim për medie

23.01.2016

Një grup studentësh të studimeve pasdiplomike nga Universiteti i Vjenës dhe nga Qendra Evropiane Ndëruniversitare për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim me seli në Venecia, vizitoi Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të shtunën, më 23 janar 2016.   

Ata u pritën në takim nga zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të prirë nga Këshilltari i Parë juridik, z. Sevdail Kastrati, i cili fillimisht bëri një prezantim përkitazi me përbërjen, me strukturën dhe me funksionin e Gjykatës, duke nënvizuar rolin e saj si garantuese e respektimit të kushtetutshmërisë në vend.

Gjatë bashkëbisedimit, z. Kastrati, ndërmjet tjerash, iu përgjigj pyetjeve të studentëve përkitazi me ripërtëritjen e përbërjes së gjyqtarëve të Gjykatës, përkitazi me raportet me institucionet e tjera shtetërore dhe me gjyqësorin e rregullt, përkitazi me procesin e vendimmarrjes, si dhe për sfidat me të cilat aktualisht ballafaqohet ky institucion. 

Studentët shprehën interesimin e tyre të veçantë për vendimet e Gjykatës Kushtetuese në rastet e shkeljeve të të drejtave individuale, si dhe për zbatimin e praktikës ligjore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjatë shqyrtimit të kërkesave.

Në takim u diskutua edhe për anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Komisionin e Venecias dhe për marrëdhëniet e Gjykatës me institucionet e tjera homologe në botë.