Njoftim për medie

28.10.2015

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama – Hajrizi, priti në takim një delegacion të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, në krye me shefin e këtij Misioni, z. Gabriele Meucci, të mërkurën, më 28 tetor 2015.

Në takimin e mbajtur, kryetarja Rama-Hajrizi diskutoi ndërmjet tjerash për ecurinë e punës në Gjykatën Kushtetuese, si dhe për angazhimin e bërë në rritjen e cilësisë së vendimeve dhe të standardeve të gjykimit, duke u bazuar në përvojat dhe praktikat e  drejtësisë evropiane.

Të dyja palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre përkitazi me përpjekjet serioze që po bëhen për thellimin e reformave në sistemin gjyqësor të Kosovës, me ndihmën edhe të prezencës ndërkombëtare në vend, si dhe për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushat me interes reciprok.

Shefi i Misionit të EULEX-it, z. Meucci, shprehu zotimin për mbështetjen e mëtutjeshme të Gjykatës Kushtetuese në punën e saj dhe shfaqi shpresën se përbërja aktuale e gjyqtarëve do të kompletohet së shpejti me emërimin e dy gjyqtarëve të rinj.