Njoftim për medie

07.09.2015

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Mr. sc. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim njohës ambasadoren e re të Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Kivilcim Kiliç, të hënën, më 7 shtator 2015. 

Pasi i uroi suksese në detyrën e re, kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht e njoftoi ambasadoren Kiliç me përbërjen dhe me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me ç’rast shprehu falënderimin e saj për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë. 

Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi vuri theksin në bashkëpunimin e mirë reciprok ndërmjet gjykatave kushtetuese të të dyja vendeve dhe në mundësitë e tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm, duke nënvizuar njëherësh rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së tyre institucionale, si kusht themelor për respektimin e kushtetutshmërisë në vend.

Ambasadorja Kiliç konfirmoi nga ana e saj se Turqia do të vazhdojë të mbështesë edhe më tutje Kosovën në përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona do të thellohen edhe më tej.