Njoftim për medie

03.09.2013

Më 2 shtator 2013, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi për rastin  KO95/13 përkitazi me kërkesën për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së  Serbisë dhe të Planit të zbatimit për këtë marrëveshje, Ligji Nr. 04/L-199, përkitazi me përmbajtjen e tij dhe procedurën e ndjekur për miratimin tij.

Kërkesa është parashtruar në Gjykatë, më 4 korrik 2013, nga z. Visar Ymeri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese vendosi si vijon:

1.    Njëzëri, të shpallë kërkesën e pranueshme;

2.    Njëzëri, të shpallë se procedurat e ndjekura për miratimin e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së  Serbisë dhe të Planit të zbatimit për këtë marrëveshje, Nr. 04/L-199, janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

3.    Me shumicë, të refuzojë kërkesën e parashtruesve për shqyrtim të kushtetutshmërisë së Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së  Serbisë dhe të Planit të zbatimit për këtë marrëveshje si jashtë juridiksionit ratione materiae të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i Gjykatës do t’u dorëzohet palëve, do të postohet në ueb-faqe të Gjykatës dhe do të shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në kohën e duhur.