Kryetarja Caka – Nimani u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës

08.07.2021

Në vazhdën e takimeve me udhëheqës institucional vendor dhe përfaqësues ndërkombëtar pas marrjes së detyrës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani u takua me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca.

Në takim ndër të tjera u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë institucional ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit të Kosovës, për sfidat në punën e Gjykatës Kushtetuese, si dhe për avancimin e kornizës ligjore në funksion të konsolidimit të mëtejmë të gjyqësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Të dy kryetarët nënvizuan rëndësinë e respektimit të ndarjes së pushteteve, duke theksuar tutje domosdoshmërinë e bashkëveprimit institucional në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.