Arta Rama-Hajrizi

Ish-Kryetare

Arta Rama-Hajrizi është zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës më 21 maj 2015 dhe është rizgjedhur për një mandat të dytë më 22 maj 2018. Gjithashtu, ajo është edhe ligjëruese e së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ndërmjet viteve 2014 dhe 2018, Arta Rama-Hajrizi ishte e emëruar zëvendës-përfaqësuese e Republikës së Kosovës në Komisionin e Venecias.

Deri në emërimin e saj gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2012, kryetarja Rama-Hajrizi ishte pjesë e grupit të parë të të emëruarve në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës në vitin 2008, ku është emëruar Konsulle e parë e Përgjithshme dhe themeluese e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, në të cilën cilësi shërbeu në vitet 2008-2012.

Gjatë viteve 2007-2008, ajo ishte pjesë e ekipit të ekspertëve në Komisionin për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Kryetarja Rama-Hajrizi, po ashtu ka punuar në disa projekte të USAID-it në Kosovë, për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe të sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës. Po ashtu, ajo ka qenë këshilltare ligjore në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës nëpërmjet financimit nga USAID-i.

Kryetarja Rama-Hajrizi ka punuar si eksperte në zbatimin e shumë projekteve për ngritjen e vetëdijesimit, për respektimin dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë, nëpërmjet Programit Finlandez për të Drejtat e Njeriut (Finnish Human Rights Programme), për disa vjet me radhë.

Kryetarja Rama-Hajrizi ka publikuar disa punime shkencore dhe hulumtime profesionale në kuadër të projekteve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka zhvilluar vizita të shumta studimore e profesionale, me qëllim të ngritjes profesionale.

Studimet për drejtësi, kryetarja Rama-Hajrizi i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, ndërsa magjistraturën për Drejtësi dhe Qeverisje e ka kryer në Washington College of Law, American University, në Uashington DC, si bursiste e programit Rob Brown, dhuruar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së për studentët e Evropës Juglindore. Studimet e doktoratës është duke i vijuar në Universitetin e Prishtinës.

Kryetarja Rama-Hajrizi është e martuar dhe ka dy djemë.